KATEDRALJA “NËNË TEREZA” NË QENDËR TË VËMENDJES

Nov 13 • Kisha në Kosovë

Pas disa shkrimeve nëpër media të Kosovës, që është përfolur mbi Katedralen, çështjen e saj pronësore dhe punët që po bëhen aty, sot ka ardhur një reagim nga Katedralja që është publikuar në faqen e saj zyrtare në facebook. 

Ja reagimi i plotë:

Këto ditë kryefjala e medieve ka qenë KATEDRALJA. Jemi të prirë për ta marrë këtë fakt si indikacion të mirë, sepse të gjithë, me dashje apo pa-dashje, duan që ky tempull i kushtuar bijës sonë, të lumes Nënë Terezës, të merr formën e saj të paraparë. Edhe pse krejt kjo vëmendje mediatike ka krijuar te qytetarët edhe paqartësi.

Në opinionin publik për Katedralen shfaqen/ngritën dy çështje të pavërteta mbi të cilat diskutohet qe sa kohë, përkundër sqarimeve që janë bërë disa herë nga përfaqësues të Kishës. Këtu nuk duami të hymë në polemikë, por vetëm duami të ri-pohojmë qartë të vërtetën, plotë respekt ndaj të gjithëve.

Çështja nr. 1:  A po pengon Katedralja biznesin e qytetarëve të Prishtinës?

Parcela e kontestuar, që në opinion paraqitet gabimisht “lokalet”, është një ndërhyrje e paligjshme në pronën e Katedrales, e dy subjekteve në bashkëpumin: Komunës së Prishtinës dhe Ndërmarrjes Publike Banesore. Madje, mund të themi që kam manipuluar njëra tjetrën në dëm të Katedrales.

Shëmtia që e shohim për çdo ditë buzë Katedrales e ka adresën te këto dy subjekte.

Së pari, këtu kemi të bëjmë me një shtrembërim emërtimi: quhet problem i lokaleve konteksti pronësor.

Së dyti, këtu është imponuar padrejtësisht një opinion duke e kamufluar intencën e dy subjekteve të lartpërmendur, kinse qiradhënësve të ish bizneseve të vogla ju është marr e drejta e bërjes biznes. Në fakt, këtu intenca është për të dëmtuar pronën e Katedrales për interesat grupore.

Presioni i pandershëm ndaj Katedrales, nga këto dy subjekte, ka bërë që çështja të shkojë në organet e drejtësisë. Tani besojmë se drejtësia do ta kryejë punën e vet, që të kemi një verdikt i cili do ta bëjë të qartë të vërtetën, që të mund të krijohen kushtet normale për jetë në paqe për të gjithë.

Çështja nr. 2: Pse nuk po përfundon Katedralja?

Që në fillimin të ndërtimit të Katedrales ka qenë e qartë se ky tempull i të Lumes Nënë Tereza, do të jetë vepër e duarve të shqiptarëve, do të ndërtohet me ndihmën e mundit të tyre, që të konsiderohet vepër e tyre e jo e dikujt nga jashtë që vjen dhe na dhuron. Të nisur nga kjo premisë, e duke pasur parasysh mundësitë reale të njeriut tonë, kemi qenë të vetëdijshëm që nuk mund të përcaktohen afate të sigurta për ta kryer Katedralen.

Duke marrë parasysh këtë, punët e deritashme në Katedrale janë një mrekulli e kontributit shqiptar. As që kemi paraparë që kjo punë do të ecte kaq shpejt.

Që nga viti 2007 punët kanë vazhduar pandërprerë dhe vazhdojnë edhe sot, e do të vazhdojnë deri të përfundimin e saj.

Në Katedrale tashmë kremtohet mesha, pra është funksionale për besimtarë, dhe siç e ka pa edhe opinioni i gjerë, aty janë ekzekutuar disa nga koncertet e Filarmonisë së Kosovës e koncerte tjera klasike. Pra, ka filluar të jetë vend lutje dhe kulture, njëkohësisht.

Shpresojmë të jemi të qartë se, Kisha Katolike, veprimtarinë e vet nuk e bazon në strategji, sikur të ishte një qeveri a një ndërmarrje, a biznes. Ajo mbështet, së pari, në ndihmën e Zotit, e cila e shpirtëzon për të qëndruar dhe e shoqëron në ecjen e sajë, së dyti, ajo mbështet në bashkësinë e besimtarëve dhe njerëzve vullnetmirë që bëjnë pjesë në jetën e saj apo e përkrahin vizionin ungjillor.

Katedralja, me ndihmën e Zotit dhe të njerëzve vullnetmirë, do të kryhet në kohën e duhur, gjithnjë me djersën dhe mundin e njeriut tonë shqiptar.

 

 

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »