FRANCA PREKET PËRSËRI NGA E KEQJA E TERRORIZMIT

Nov 14 • Opinion

Mbrëmjen e të premtes, 13 shtator 2015, Parisi i Francës u prek përsëri rëndë nga e keqja e terrorizmit. E gjithë bota mbeti e ngrirë para ekraneve televizive duke shikuar, i shokuar, një terror të pamëshirshëm e çnjerëzor ndaj të pafajshmëve. Të vdekur e të lënduar, të traumatizuar e të dëshpëruar janë njerëzit e Parisit, por edhe të gjithë njerëzit e botës të qytetëruar. Edhe njëherë preket një qytetërim, vlerat e përbashkëta të perëndimit, preket kultura e bashkëjetesës dhe paqes, sulmohet njerëzimi, nga njerëz të mbushur me të keqen e madhe, që po shtrihet gjithnjë e më shumë në planetin tonë, duke shkaktuar vdekje, terror dhe pasiguri.

Bashkohemi me të gjithë njerëzit vullnetmirë, por në mënyrë të veçantë me Atin e Shenjtë, në lutjen e përbashkët për Parisin (#PrayforParis), i cili na thërret të lutemi për viktimat, për familjet e viktimave, të lutemi për Francën në këto momente të vështira. Edhe Kisha Katolike në Kosovë, nesër (e diele) do të kushtojë lutje në të gjitha kishat, në Katedralen “Nënë Tereza” Prishtinë do të kremtohet mesha në ora 11:00 për viktimat dhe për paqen në botë.

Zoti i paqes dhe i dashurisë, i shndrittë mendjet dhe zemrat e të gjithë njerëzve, që të jetojnë si vëllezër dhe motra, në respekt ndaj njëri-tjetrit; të punojnë për paqen mes njerëzve dhe të popujve.

Viktimave të terrorit në Paris, Zoti ju dhuroftë jetën e pasosur, dritën e amshuar dhe lumturinë e pambarim. Kurse familjarëve të tyre e të gjithë popullit francez, forcën e përballjes me këtë sfidë të rëndë.

Ne sot, jemi të gjithë francezë, pjesë e një populli që u lëndua thellë në shpirt, prandaj qëndrojmë pranë të gjithëve me solidaritetin tonë.

RevistaDrita

Shpërndaje

Comments are closed.

« »