DUKE PRITUR TË PAPRITURËN

Nov 15 • Meditimi i ditës

15 nëntor 2015 – e diela 33-të gjatë vitit (B), MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 

Prania e Hyjit

 

Me të filluar këtë kohë lutjeje të qetë, gjeje një vend të rehatshëm për t’u ulur me shpinë drejt dhe këmbët lëshoji në tokë. Lejoji vetes ta vësh re frymëmarrjen tënde ndërsa vazhdon të marrësh frymë normalisht. Merr frymë. Qite frymën jashtë.

 

Liria

 

O Zot, ma ke dhënë jetën dhe dhuratën e lirisë.
Unë ekzistoj në këtë botë falë dashurisë sate.
Më ndihmo që gjithmonë të di ta çmoj këtë dhuratë të jetës dhe që gjithmonë ta respektoj të drejtën e tjetrit për të jetuar.

 

Vetëdija

 

O Zot, ma ke dhënë natën për pushim dhe fjetje.

Në momentet e mia kur jam zgjuar kurrë mos e harrofsha mirësinë tënde.

Më mëso që bekimin tënd ta ndaj me të tjerët.

 

Fjala

 

Hyji i flet secilit prej nesh personalisht.

Duhet ashtu ta dëgjoj në mënyrë që ta ndiej çfarë dëshiron të më thotë.

Do ta lexoj tekstin disa herë, pastaj do të dëgjoj…

 


 

Mk 13, 24-32

 

24 “Porse, në ato ditë, pas asaj vështirësie,

‘dielli do të terratiset,

hëna nuk do ta lëshojë dritën e vet,

25 yjet do të bien prej qiellit

e trupat qiellorë do të lëkunden.’

26 Atëherë do ta shohin ‘Birin e njeriut duke ardhur mbi re’ me fuqi të madhe e me lavdi. 27 Ai do t’i dërgojë engjëjt e vet e do t’i bashkojë të zgjedhurit (e vet) nga katër anët e botës ‑ prej skajit të tokës deri në skaj të qiellit.”

28 “Mësoni prej shëmbëlltyrës së fikut:

Posa i lëngëzohen gemat e qet gjethe, e dini se vera është afër. 29 Kështu edhe ju, kur të shihni se po ndodhin këto, ta dini se është afër ‑ te dera! 30 Përnjëmend po ju them: nuk do të kalojë kjo brezni pa u bërë të gjitha këto. 31 Qielli e toka do të kalojnë, e fjalët e mia nuk do të kalojnë.”

32 “Sa për atë ditë e për atë orë, s’di askush, as engjëjt në qiell, as Biri, por vetëm Ati.

 


 

Ç`dëshiron të më thuash, o Zot?

 

Disa mendime mbi tekstin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

– Ne shpesh dëgjojmë shprehjen “shenjat e kohës?” Kjo pjesë e ungjillit flet për shenjat në fund të kohës. A ka një tension mes përshkrimit të këtyre ngjarjeve, të marra nga libri i Danielit profet, dhe rreshtit të fundit, i cili thotë se “për atë ditë e për atë orë, s’e di askush… por vetëm Ati”?

– Disa të krishterë kanë qenë të mashtruar duke u fiksuar në shenjat e llojeve të ndryshme dhe duke profetizuar fundin e afërt të botës. Do të ishte më mençur të presësh të papriturën dhe thjesht të jesh gati për të mirëpritur Birin e njeriut, kur ai të vijë. Në ndërkohë, të të ngushëllojnë fjalët e Jezusit: “Qielli dhe toka do të kalojnë, por fjalët e mia nuk do të kalojnë.”

 

Bashkëbisedimi

 

E filloj bisedën me Jezusin në bazë të tekstit të Shkrimit Shenjt që pikërisht e lexova.

Çka më nxiti më së shumti të mendoj?

Ndoshta nëpërmjet atij rreshti të tekstit në sipërfaqen e vetëdijes sime

nga kujtesa ngadalë dalin fjalët e mikut, apo ndonjë tregim që e kam dëgjuar para pak kohe.

Nëse është ashtu, a po e ndriçon tregimi atë çfarë mundohet të më thotë teksti i Shkrimit Shenjt?

O Zot, emrin tim e ke shkruar në pëllëmbët e duarve të tua.

Madje edhe nëse më harrojnë të tjerët, ti këtë nuk do ta bësh kurrë.

 

Përfundimi

 

Po të falënderoj o Zot për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtyre momenteve të kaluara vetëm me ty.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim ashtu tash

E përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Papa na bën me dije që të kemi kujdes nga predikues të rremë apokaliptikë. Ai tha: Jezusi nuk e përshkruan fundin e botës. Edhe kur përdor figura apokaliptike, ai nuk sillet si “parakallëzues”. Përkundrazi, ai dëshiron që nxënësve të tij të të gjitha kohëve t`ua marrë kureshtjen për datat dhe parakallëzimet. Në vend të kësaj dëshiron t`u japë një çelës leximi të thellë, esencial dhe para së gjithash t`u tregojë rrugën e drejtë që duhet të kalojnë, sot dhe nesër për të hyrë në jetën e pasosur. “Qielli e toka do të kalojnë, e fjalët e mia nuk do të kalojnë.” Jezu Krishti që është Fjala e Zotit është qendra e së tashmes dhe e së ardhmes, ,pika e sigurt’.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »