IMZOT DODË GJERGJI, LETËR NGUSHËLLIMI KARDINALIT TË PARISIT

Nov 15 • Kisha në Kosovë

 

Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, i ka dërguar Kardinalit të Parisit, Sh. T. André Vingt-Trois, një letër ngushëllimi për viktimat e Parisit. Letrën po e japim të plotë më poshtë.

 

Eminencë e dashur,

me dhimbje të thellë dhe me neveri, kam përcjellë lajmet trishtuese që vinin nga Parisi, ku Ju jeni Kryebari. Tmerri ishte aq prekës sa tronditi menjëherë mbarë botën e qytetëruar.

Sa e dhimbshme ishte të shihje në sytë e atyre njerëzve, një përzierje mes gëzimit trishtues që shpëtuan dhe dhimbjes e zemërimit për atë që kishte ndodhur. Sigurisht, njëlloj ngushëllimi ishte solidarizimi i shpejtë i mbarë botës, duke dëshmuar kështu se bota është në anën popullit tuaj francez. Kjo dëshmon se shumica absolute e njerëzimit e do paqen dhe me neveri e refuzon qyqarinë e njerëzve zemërlig, që janë të mbushur me urrejtje.

Që në ato momente jam i bashkuar me Ju në lutje dhe në dhimbje. Për të shprehur këtë bashkim vëllazëror, kam kërkuar prej të gjithë meshtarëve, që këtë të diele (33 gj. v.), të kremtohet mesha në të gjitha kishat e Kosovës, që të lutemi për paqe dhe për shpirtrat e të gjitha viktimave.

Mund të paramendoj se sa e madhe është dhimbja që keni për grigjën Tuaj, e cila, në “lundrën e jetës”, u përfshi nga stuhia e vdekjes dhe urrejtjes.

Eminencë, jam i bindur që Krishti Shpëtimtar, edhe pse i përgjumur, është i pranishëm në “Lundër”. Duhet t’i lutemi Atij që të zgjohet, sepse vetëm pushteti dhe forca e dashurisë së Tij, mund të urdhërojë që të pushojë, kjo stuhie urrejtje, që ka përfshirë zemrat e shumë njerëzve në shumë vende të botës. (khs. Mk 4, 35-41).

Unë, Bariu i Kishës në Kosovë dhe i gjithë kombi im, katolikë e jo katolikë, jemi të vetëdijshëm se kjo kulturë vdekjeje dhe urrejtje, gradualisht do të vazhdojë të shtrijë veprimtarinë e vetë të së keqes edhe në vende të tjera të botës. Ndoshta një ditë, do të duhet të përballemi edhe ne me këtë të keqe. Por, “lundra jonë” nuk mund të përmbytet, pasi në të është Krishti shpëtimtar.

Këndej, vazhdojmë të ecim para me guximin e shpresës drejtë së vërtetës, duke iu lutur Zotit të paqes dhe të dashurisë. Ai gjithnjë na thotë, “Zëmër, he burra! Unë jam! Mos druani!(Mk 6, 50). Prandaj, si besimtarë, e dimë se fati i të gjithë neve dhe i mbarë njerizimit, nuk është në forcën e urrejtjes njerëzore, por në dashurinë dhe paqen e Hyjit tonë.

E dimë, po ashtu, që krishterimi si qytetërim i dashurisë, gjithnjë ka ngadhënjyer me forcën e faljes, ka shkëlqyer me bukurinë e flijimit dhe ka ecë para me guximin e shpresës, duke u përballë me të keqen me forcën e dashurisë, pa ndjenjën e hakmarrjes. Dhe, derisa përjetojmë këtë mllef të së keqes mbi ne, vazhdojmë të klithim, “Fali, o Atë, se nuk dinë ç ‘bëjnë!”(Lk 23, 34), klithmë kjo, që do të “zgjojë Krishtin e përgjumur” në zemrat e shumë njerëzve të pagëzuar, po edhe do të qetësojë, britmën e urrejtjes, në zemrat e njerëzve, si në Lindje ashtu edhe në Perëndim, që ta dëgjojnë zërin e ëmbël të Zotit dashuri dhe të mos kenë frikë ta përqafojnë Princin e Paqes dhe Shpëtimtarin e botës.

Jam i bindur që Ju do të dini, si Kishë dhe si Komb, ta përballoni me urti këtë situatë të dhimbshme.

Familjarët, të cilët humbën më të dashurit tyre, i ngushëlloj me fjalën e fesë, të plagosurve ju uroj shërim të shpejtë, kurse për ata që humben jetën, lutem që të pushojnë në paqe.

Eminencë e nderuar dhe vëlla i dashur në Episkopat, edhe njëherë ju siguroj se, unë dhe populli im, jemi të bashkuar me Ju, në lutje dhe në dhimbje.     

Prishtinë, 14.11.2015

 

+ Dodë Gjergji, Ipeshkëv i Kosovës

Shpërndaje

Comments are closed.

« »