MESHA NË KATEDRALE PËR TË VRARËT NË PARIS DHE PËR PAQE NË BOTË

Nov 15 • Kisha në Kosovë

Sot, në ora 11:00, në Katedralen “Nënë Tereza” në Prishtinë, u kremtua mesha e shenjtë për viktimat e aktit vdekjeprurës në Paris dhe për paqen në botë, të prirë nga Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji. Po ashtu, edhe në të gjitha kishat e Kosovës, është kushtuar e njëjta lutje dhe është shprehur solidaritet ndaj popullit francezë.

Në fillim të meshës, Ipeshkvi i shoqëruar nga fëmijë, në mënyrë simbolike ndezën qirinj para altarit, që ishin përgatitur për nderim të viktimave të Parisit. Në meshë ishte i pranishëm edhe Gjenerali i KFOR-it, Z. Miglietta dhe Komandanti i Karabinierëve Coletta, të shoqëruar me ushtarakë dhe karabinierë.

Imzot Dodë Gjergji, në fillim të meshës i ftojë të gjithë të pranishmit në Katedrale, që ishte përplot me besimtarë dhe njerëz vullnetmirë, që ta kushtojmë këtë bashkim eukaristik për shpirtrat e viktimave, që këtë të premte janë vrarë në Paris.

Në predikim e kësaj meshe, Ipeshkvi u ndal më gjerësisht tek shpresë e të krishterëve, që përkundër dhunës dhe terrorit që përballemi dita ditës nga njerëz të mbushur me urrejtje dhe zemërlig, ne nuk ndalemi ta jetojmë atë, si dëshmi se jetët tona nuk janë të dorëzuar në fatin e urrejtjes, por në dashurinë e Zotit që dhuron shpresë.

Pas një reflektimi të leximeve të së dielës, Ipeshkvi e lexojë edhe letrën që i ka dërguar argjipeshkvit të Parisit, kardinalit Sh. T. André Vingt-Trois, përmes së cilës e shpreh edhe qëndrimin e Kishës sonë për ngjarjen e dhimbshme, që ka përjetuar populli francez, e në veçanti parisienët, ku kardinali është bari i tyre shpirtëror.

Letra e Ipeshkvit është një shprehje e një vëllau në episkopat, ka një theksim shpresëdhënës se as dhuna as e keqja nuk do ta mundin qytetërimin tonë të dashurisë, që Jezu Krishti e ka mbjell në zemrat e të krishterëve. Edhe pse nganjëherë – theksoj Imzot Doda – na  duket se stuhitë e forta të urrejtjes dhe barbaritë e të keqes, që shprehen përmes fanatikëve, se e përplasin “Lundrën” (lexo të krishterët) dhe e pengojnë në lundrimin e saj, megjithatë, Krishti është i pranishëm në atë “Lundër” e na shoqëron edhe në detin e trazuar.

Po i shkëpusim disa fragmente të letrës së Ipeshkvit, pasi tekstin e plotë të letrës mund ta lexoni në portalin tonë.

“Eminencë e dashur, me dhimbje të thellë dhe me neveri, kam përcjellë lajmet trishtuese që vinin nga Parisi, ku Ju jeni Kryebari. Tmerri ishte aq prekës sa tronditi menjëherë mbarë botën e qytetëruar.

Sa e dhimbshme ishte të shihje në sytë e atyre njerëzve, një përzierje mes gëzimit trishtues që shpëtuan dhe dhimbjes e zemërimit për atë që kishte ndodhur. Sigurisht, njëlloj ngushëllimi ishte solidarizimi i shpejtë i mbarë botës, duke dëshmuar kështu se bota është në anën popullit tuaj francez. Kjo dëshmon se shumica absolute e njerëzimit e do paqen dhe me neveri e refuzon qyqarinë e njerëzve zemërlig, që janë të mbushur me urrejtje.

Që në ato momente jam i bashkuar me Ju në lutje dhe në dhimbje. Për të shprehur këtë bashkim vëllazëror, kam kërkuar prej të gjithë meshtarëve, që këtë të diele (33 gj. v.), të kremtohet mesha në të gjitha kishat e Kosovës, që të lutemi për paqe dhe për shpirtrat e të gjitha viktimave.”

(…)

Unë, Bariu i Kishës në Kosovë dhe i gjithë kombi im, katolikë e jo katolikë, jemi të vetëdijshëm se kjo kulturë vdekjeje dhe urrejtje, gradualisht do të vazhdojë të shtrijë veprimtarinë e vetë të së keqes edhe në vende të tjera të botës. Ndoshta një ditë, do të duhet të përballemi edhe ne me këtë të keqe. Por, “lundra jonë” nuk mund të përmbytet, pasi në të është Krishti shpëtimtar.

(…)

E dimë, po ashtu, që krishterimi si qytetërim i dashurisë, gjithnjë ka ngadhënjyer me forcën e faljes, ka shkëlqyer me bukurinë e flijimit dhe ka ecë para me guximin e shpresës, duke u përballë me të keqen me forcën e dashurisë, pa ndjenjën e hakmarrjes. Dhe, derisa përjetojmë këtë mllef të së keqes mbi ne, vazhdojmë të klithim, “Fali, o Atë, se nuk dinë ç ‘bëjnë!”(Lk 23, 34), klithmë kjo, që do të “zgjojë Krishtin e përgjumur” në zemrat e shumë njerëzve të pagëzuar, po edhe do të qetësojë, britmën e urrejtjes, në zemrat e njerëzve, si në Lindje ashtu edhe në Perëndim, që ta dëgjojnë zërin e ëmbël të Zotit dashuri dhe të mos kenë frikë ta përqafojnë Princin e Paqes dhe Shpëtimtarin e botës.

Mesha u përcjellë nga mediat e Kosovës, kurse RTK ka bërë transmetimin e drejtpërdrejt.

Kjo meshë, lutje e përbashkët e të qytetarëve të Kosovës, tregojë edhe njëherë se populli ynë është në anën e paqes dhe të qytetërimit evropian, që gërsheton ne vetvete, respektin, lirinë, dinjitetin e çdo personi pa dallim kombi, ngjyre, feje dhe bindje, dhe se nuk do të pranojë që të na mbisundojë asnjë e keqe që do e prish rrugëtimin tonë për një të ardhme paqësore.

Teksti: Revista Drita

Fotografitë: Arian Ramaj


Shpërndaje

Comments are closed.

« »