ÇFARË PA I VERBRI

Nov 16 • Meditimi i ditës

16 nëntor 2015 – E hënë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 

Prania e Hyjit

 

Ndërsa po qëndroj pranë kompjuterit, Hyji është këtu i pranishëm,
ai i jep jetë jetës sime dhe gjithë atyre sendeve që më rrethojnë.
Do të qëndroj një moment në heshtje,
dhe do të bëhem i/e vetëdijshëm/e për praninë e Hyjit.

 

Liria

 

Kur e ndiej veten të robëruar dhe kur gjithçka më ngarkon,

madje edhe atëherë kur rrezet e diellit nuk arrijnë në hapësirën ku ndodhem,

edhe atëherë, në heshtjen e thellë, shpirti im është i/e lirë dhe i/e papenguar.

Në këtë liri shpirti po të drejtohem ty.

 

Vetëdija

 

E pyes veten, si po e ndiej veten sot?

A jam ndoshta i/e lodhur, nën stres apo jashtë forme?

Nëse diçka prej kësaj ekziston në mua,

a mund të provoj t`i hedh tej këto brenga që po më shqetësojnë?

 

Fjala e Zotit

 

Do t`i jap vetes kohë që ta lexoj Fjalën e Zotit avash, disa herë,

dhe do të ndalem në atë fjalë apo ngjarje që më prek, që më flet pikërisht mua.

 


 

Lk 18, 35-43

 

35 Kur Jezusi po i afrohej Jerihos, një lypës ishte ulur në një skaj të rrugës e po lypte. 36 Kur dëgjoi se po kalonin shumë njerëz, pyeti ç’është. 37 Ata i thanë:

“Po kalon këndej Jezusi prej Nazaretit.”

38 Ai zuri të bërtasë:

“Jezus, Biri i Davidit, ki mëshirë për mua!”

39 Ata që ecnin përpara i bërtitnin të heshtte, por ai bërtiti edhe më të madhe:

“Biri i Davidit, ki mëshirë për mua!”

40 Jezusi zuri vend dhe urdhëroi t’ia sillnin para. Kur ky u afrua, Jezusi e pyeti:

41 “Çka dëshiron të bëj për ty?”

Ai u përgjigj:

“Zotëri, që të shoh”

42 “Shih! ‑ i tha Jezusi ‑ Të shpëtoi feja jote!”

43 Atij i erdhi aty për aty drita e syve dhe u nis pas tij duke i dhënë lavdi Hyjit. Edhe populli mbarë, kur pa këtë mrekulli, i dha lavdi Hyjit.

 


Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?

 

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

– Le të na tërheqë kjo histori e shkëlqyer, dramatike me rrjedhën e ngjarjes së saj.

– E imagjinoj veten si një lypës i verbër i cili pa shpresë është ulur buzë një rruge. Krejt çfarë mund të bëj është të bërtas me zë të lartë kur kalon Jezusi. Të tjerët duhet të më udhëheqin edhe kur Jezusi më thotë që të shkojmë afër.

– Si ndihem kur e dëgjoj pyetjen e ndjeshme të Jezusit plot respekt: “Çfarë dëshiron të bëj për ty?” Së shpejti, për shkak të besimit dhe shpresës sime do të më rikthehet drita e syve. Gëzohem dhe falënderoj Hyjin.

– A sillem me lypës (të cilët përfaqësojnë të gjithë njerëzit e varfër) dhe të verbër(që përfaqësojnë njerëzit me disamangësi) me respekt dhe ndjeshmëri siç i ka shfaqur këtu Jezusi?

 

Bashkëbisedimi

 

Ku ndodhen ato fjalë kryesore që po mundohen të më tregojnë dashurinë e Hyjit?
Ku jam i/e thirrur për të falur, për të kuptuar, për të kërkuar falje, për tu përmirësuar?
Ku kam qenë i/e lëvizur nga dashuria apo nga frika?
Ndaji ndjenjat e tua me Jezusin.

 

Përfundimi

 

Të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto pak momente vetëm me ty.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »