“QË TË GJITHË TË JENË NJË” (GJN 17, 21)

Nov 16 • Këndvështrime

 Nga Veneranda Qerimi

 

Karizma e Lëvizjes së Fokolarëve, është leximi, meditimi dhe jetësimi i  Fjalës së Zotit.

Fjala, për ta jetuar këtë muaj, është shumë e bukur, sepse shpreh të gjithë dashurinë e Hyjit për Krijesën e vet. Jezusi i lutet Atit, i ngre sytë drejt qiellit duke thënë: Nuk po të lutem vetëm për këta, por edhe për të gjithë ata, që, për shkak të fjalës së tyre, do të besojnë në mua: që të gjithë të jenë një. Sikurse ti, Atë, që je në mua dhe unë në ty, ashtu edhe ata të jenë në ne, që ta kuptojë bota se ti më dërgove. Edhe unë ua dhashë lavdinë që ti ma dhe që të jenë një sikurse ne jemi një unë në ta e ti në mua, që të jenë plotësisht një, që bota ta dijë se ti më dërgove dhe se i deshe ata siç më deshe mua. Atë, dua që ata, të cilët m’i dhe, të jenë aty ku jam unë, bashkë me mua, që të kundrojnë lavdinë time, lavdinë që ti ma dhe, sepse më dëshpëruara se të krijohej bota. Atë i drejtë! Bota nuk të njohu e unë të njoha. Edhe këta e kuptuan se ti më dërgove. Këtyre ua dëftova Emrin tënd dhe do të vazhdoj t’ua dëftoj, që dashuria me të cilën ti më deshe mua, të jetë në ta ‑ dhe unë në ta.” (Gjn 17, 20-26)

Në realitet, Jezusi, i është lutur Atit për atë gjë që i kishte më shumë për zemër: për bashkimin, për të jetuar në harmoni si vëllezër dhe për ta pranuar njëri-tjetrin si të tillë. Nëse mendojmë për botën moderne me kaq shumë teknologji, kaq shumë zhvillim, por shpesh me pak njerëzi që na vjen të shkurajohemi, na vjen të mendojmë që ajo gjë nuk do jetë kurrë e mundur- e në fakt, ne nuk duhet të pushojmë së luturi, duke bërë gjithçka që gjendet brenda mundësive tona. Detyra jonë duhet të jetë, mbi të gjitha, lutja, sepse bashkimi është një dhuratë që vjen prej së larti. Një dhuratë për të cilën Jezusi e ka dhuruar jetën e tij dhe e ka ofruar vdekjen e tij si monedhë, të cilën e ka paguar me një çmim shumë të lartë. Kjo monedhë e tij është e çmuar dhe duhet ta ruajmë, po është e vërtetë: bota nuk e njeh. Rivaliteti, frika se mos arrijmë më pak, inati, xhelozia janë gjuha me të cilën shërbehet bota që t’i kundërvihet bashkimit.

Le ta lusim Zotin, për bashkimin në çift: në familje, me të afërmit tanë, në famullinë tonë, në bashkësitë fetare, mes besimeve të tjera fetare që të mos bëhen shkak konfliktesh dhe vuajtjesh; le t’i kërkojmë bashkimin e të gjithë njerëzve vullnet mirë.

Atë Fabio Ciardi na i shkruan këto fjalë që ne të përpiqemi për të jetuar këtë muaj.“Që të gjithë të jenë një”(Gjn 17, 21).

Është e fundit lutje e thellë që Jezusi i drejton Atit. E di se po i kërkon një gjë që e ka fort për zemër. Në të vërtetë, Hyji e krijoi njerëzimin porsi familjen e tij, me të cilën të ndante bashkë çdo të mirë, edhe vetë jetën e tij hyjnore. Çfarë ëndërrojnë prindërit për fëmijët, në mos që ata ta duan njëri-tjetrin, ta ndihmojnë njëri-tjetrin, të jetojnë të bashkuar mes tyre? E cili është hidhërimi i tyre më i madh, në mos ai që t’i shohin të ndarë prej xhelozive, interesave ekonomike, deri në atë pikë sa nuk flasin më me njëri-tjetrin? Edhe Hyji prej amshimit e ka ëndërruar familjen e tij të bashkuar në bashkim dashurie të bijve me të dhe me njëri-tjetrin.

Tregimi dramatik i zanafillës, na flet për mëkatin e për shkërmoqjen progresive të familjes njerëzore: sikurse lexojmë në librin e Zanafillës burri akuzon gruan, Kaini vret vëllain e vet, Lamek mburret për hakmarrjen e tij të stërmadhe, Babeli lind mosmarrëveshjen dhe shpërndarjen e popujve… Plani i Hyjit duket se ka dështuar.

Megjithatë, ai nuk dorëzohet, dhe me ngulmim ndjek ribashkimin e familjes së vet. Historia rifillon me Noehin, me zgjedhjen e Abrahamit, me lindjen e popullit të zgjedhur; dhe vazhdon, deri kur vendosi që të dërgonte në tokë birin e vet, duke i besuar misionin e madh: për të bashkuar në një familje të vetme bijtë e shpërndarë, për të mbledhur delet e humbura në një grigjë të vetme; për të përmbysur muret e ndarjes dhe armiqësitë mes popujve; për të krijuar një popull të vetëm të ri (khs. Ef 2,14-16).

Hyji nuk rresht së ëndërruari bashkimin, për këtë Jezusi ia kërkon si dhuratën më të madhe që ai mund t’ia lypë për të gjithë ne: Po të lutem, o Atë, “Që të gjithë të jenë një”

Çdo familje, mbart gjurmët e prindërve. E njëjta gjë është edhe me familjen e krijuar prej Hyjit. Hyji është Dashuri, jo vetëm pse e do krijesën e tij, por është Dashuri në vetvete, në dhurimin dhe bashkimin e ndërsjellët të Vetjeve Hyjnore, është një dashuri në marrëdhënie.

Pra, kur krijoi njerëzimin, ai e bëri sipas shëmbëlltyrës dhe përngjasimit të tij, dhe i dha po të njëjtën aftësi për të pasur lidhje, në mënyrë që çdo njeri të jetojë në dhurimin e ndërsjellët të vetvetes. E gjithë fjalia e lutjes së Jezusit, që dëshirojmë ta jetojmë gjatë këtij muaji, thotë në fakt: “që të gjithë të jenë një; sikurse ti, Atë, që je në mua dhe unë në ty, ashtu edhe ata të jenë në ne.” Modeli i bashkimit tonë nuk është gjë tjetër veçse bashkimi që ekziston mes Atit dhe Jezusit. Aq i thellë është ai, saqë duket i pamundur. Megjithatë, ai është bërë i mundshëm prej asaj sikurse, që ka kuptimin edhe sepse: ne mund të jemi të bashkuar sikurse janë të bashkuar Ati dhe Jezusi, pikërisht sepse ata na përfshijnë në vetë unitetin e tyre, na e bëjnë dhuratë atë.

“Që të gjithë të jenë një” Pikërisht kjo është vepra e Jezusit, që të gjithë ne të na bëjë një gjë të vetme: sikurse ai është me Atin, një familje e vetme, një popull i vetëm. Për këtë, ai u bë njëlloj si ne, i ngarkoi mbi vete ndarjet tona dhe mëkatet tona duke i gozhduar ato në kryq.

Ai vetë e ka treguar rrugën që do të përshkonte për të na çuar tek bashkimi: “Kur të jem lartësuar nga toka, do t’i tërheq tek unë të gjithë njerëzit” (Gjn 12,32). Sikurse e kishte profetizuar kryeprifti, “do të vdiste (…) që bijtë e Hyjit të shpërndarë t’i bashkojë në një” (Gjn 11,52). Në misterin e tij të vdekjes dhe të ringjalljes, e përmblodhi gjithçka në vetvete (khs. Ef 1,10), e rikrijoi bashkimin e prishur prej mëkatit, e rikrijoi familjen përreth Atit dhe na bëri sërish vëllezër e motra me njëri-tjetrin.

Jezusi, misionin e tij e ka plotësuar. Tani mbetet pjesa jonë, pranimi ynë, “po-ja” jonë ndaj lutjes së tij: “Që të gjithë të jenë një”

Cili është kontributi ynë në plotësimin e kësaj lutjeje?

Para së gjithash, duhet që ta përvetësojmë atë. Mund t’ia japim gojën dhe zemrën Jezusit, që ai të vazhdojë t’ia drejtojë këto fjalë Atit, dhe të përsërisë, çdo ditë, me besim lutjen e tij. Bashkimi është një dhuratë prej së larti, që duhet kërkuar me besim, pa u lodhur kurrë.

Gjithashtu, ajo duhet të mbetet vazhdimisht në majë të mendimeve dhe të dëshirave tona. Nëse kjo është ëndrra e Hyjit, dëshirojmë që të jetë edhe ëndrra jonë. Herë pas herë, para çdo vendimi, çdo zgjedhjeje, çdo veprimi, mund ta pyesim veten: a shërben ajo për të ndërtuar bashkimin, është gjëja më e mirë për bashkimin?

Në fund duhet të rendim aty ku përçarjet janë më të dukshme, dhe t’i marrim mbi vete, sikurse bëri Jezusi. Mund të ketë fërkime brenda në familje ose mes njerëzve që i njohim, tensione që etohen në lagje, mosmarrëveshje në mjedisin e punës, në famulli, mes Kishave. Të mos i ikim mosmarrëveshjeve dhe moskuptimeve, të mos qëndrojmë indiferentë, por të çojmë aty dashurinë tonë të shprehur në dëgjim, vëmendje ndaj tjetrit, bashkëndarje të dhimbjes që lind prej asaj çarjeje.

Dhe mbi të gjitha: të jetojmë në bashkim me ata që janë të gatshëm të ndajnë së bashku idealin e Jezusit dhe lutjen e tij, pa i dhënë rëndësi keqkuptimeve apo fërkimeve për shkak të ideve, të kënaqur “ kur bashkimi është më pak i përsosur sesa kur ndarja është më shumë e përsosur”, duke pranuar me gëzim dallimet, madje duke i quajtur si një pasuri për një bashkim, i cili nuk është kurrë një thjeshtim në njëtrajtësi.

Po, nganjëherë kjo gjë do të na verë në kryq, por është pikërisht udha që Jezusi ka zgjedhur për ta ribërë bashkimin e familjes njerëzore, udha që edhe ne dëshirojmë ta përshkojmë së bashku me të.

Ndërsa Chiara Lubich, në një shkrim të sajin është shprehur me këto fjalë lidhur me bashkimin: “Bashkimi është fjala që përmbledhë të gjithë përshpirtërinë tonë. Bashkimi me Zotin, bashkimi me vëllezërit. Përkundrazi: bashkimi me vëllezërit për të arritur bashkimin me Zotin… Kushtetuta jonë e vendosë bashkimin si themel të gjithçkaje, si normë të çdo norme, si rregull të çdo rregulli që duhet të zbatohet para çdo rregulli tjetër. Është fjala për ne, është shkëmbi ynë.

Vetëm nëse e kemi distinktivin e dashurisë mes nesh, mund t’i themi vetes se jemi të krishterë të vërtetë. Kush e drejton jetën e vet drejt bashkimit,  ka arritur në zemër të Zotit.

Bashkimi mes vëllezërve është e papërcaktueshme sikurse vetë Zoti.

Të gjithë e gëzojnë praninë e tij e të gjithë e vuajnë mungesën e tij.

Është paqe, gëzim, dashuri, ngrohtësi, parajsë heroizmi dhe bujari e shumtë. Është Jezusi në mesin tonë. Shenjtërit, duke qenë të krishterë, të realizuar, nuk mund të mos e arrijnë bashkimin. E nuk e arrijnë sepse e kanë marrë si propozim, por si rezultat i jetës autentike të krishterë. E realizojnë bashkimin praktikisht.

Ekziston një gërshetim i mrekullueshëm mes Eukaristisë dhe idealit të bashkimit. Fakti që Zoti për t’i dhënë fill kësaj lëvizjeje, është përqendruar në lutjen e Jezusit, mbi testamentin e tij, kjo do të thotë se ai duhej të na shtynte me forcë drejt atij që mund ta bënte ketë gjë aktualitet: Jezusit-Eukaristi.

Bashkimi, nuk mund të perceptohet pa dhimbjen, pa vdekjen. Sepse bashkimi është një dhuratë, por është edhe fryt i mënyrës tonë të veçantë të të vepruarit si të krishterë dhe nuk ka shfaqje të vërtetë të jetës pa kryqin.” (Chiara Lubich)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »