SHMANGIA E KONFLIKTIT REAL BASHKËSHORTOR

Nov 16 • Familja

Nga Pavao BRAJSHA

Në konfliktin martesor shpeshherë ne e përdorim metodën e shmangies, ikjes nga ballafaqimi direkt me arsyet dhe problemet e njëmenda, d.m.th. me shkaqet e njëmenda të konfliktit të ndërsjellë. Më së shpeshti, problemi në brendi i njëmend shndërrohet në një problem të ndërsjellë të marrëdhënies. Shumë shpejt prej problemit, për të cilin është fjala dhe me të cilin ka filluar grindja, kalohet në fajësim, kundërshtim, shantazhim, presion dhe ofendim të ndërsjellë. Pak nga pak partnerët bashkëshortorë harrojnë për çka kanë filluar të grinden dhe shpejt gjenden në një terren të një qërimi hesapesh të ndërsjellë armiqësor.

Në rastin e dytë njeriu gjen diçka jashtë tij, diçka objektive, si arsye kryesore e konfliktit. Edhe kjo është një formë e keqpërdorimit të fakteve të njëmenda, që kurrë nuk do të bëheshin arsye konfliktesh, po të mos kinin nevojë partnerët bashkëshortorë për to në mënyrë që ta shmangin takimin direkt me marrëdhënien tonë konfliktive. Gjithmonë është më lehtë të bisedohet dhe të grindet për diçka “të tretë”, për diçka “të njëmend” jashtë nesh sesa për diçka në mes nesh.

Në rastin e tretë njeriu e shmang dhe kalon përskaj partnerit të njëmend, me të cilin është në konflikt dhe grindet nëpërmjet dikujt të tretë. Nuk jemi në gjendje t`i afrohemi atij drejtpërdrejt dhe të flasim me të për konfliktin, kështu që këtë e bëjmë tërthorazi, zakonisht me dikë që për ne është më pak i rrezikshëm, që na kërcënon më pak. Brenda familjeve tona për këtë gjë shërbejnë shkëlqyeshëm fëmijët, dhe në këtë mënyrë konfliktet nga vendi i punës mbarten edhe në martesë. Më lehtë është ta shaj gruan sesa drejtuesin në vendin e punës! Shoqërisht është më e pranueshme “me qëllim për ta edukuar” t`i mëshohet shuplakë fëmijës sesa gruas. Ky është keqpërdorim i më të dobëtit dhe më të arritshmit në llogari të më të fortit dhe të më të rrezikshmit, më vështirë të arritshmit.

Në rastin e katërt, shmanget dhe kalohet tërthorazi ballafaqimi direkt me problemin e njëmend, që është eventualisht më vështirë i zgjidhshëm apo me të cilin për çfarëdo arsye njeriu nuk dëshiron të ballafaqohet, kështu që thjesht zëvendësohet me një tjetër me tahmin, të parëndësishëm, sekondar – që e kam afër dorës. Nëse i shikojmë nga një distancë shumë konflikte dhe grindje bashkëshortore, atëherë na bëhet qesharake, kur fillojmë të mendojmë për cilat arsye grinden partnerët. Vështirë është të besosh, që ato janë arsyet e njëmenda të grindjeve, sidomos nëse e kemi para sysh rrjedhën dhe zhvillimin e tyre, pasojat dhe gjithë atë deri ku ato çojnë. Zakonisht përfundojmë, që kjo nuk mund të jetë arsyeja e tyre e njëmendë.

Në bazë të katër mënyrave të përshkruara të ikjes nga konflikti i njëmendë, domosdo vihet deri te bindja, që në shumë raste, thjesht grindemi “gabim”, se shpesh jemi Don Kishota që luftojnë me mullirin e erës. Atëherë grindjet tona janë të pushtuara me iluzione fantazirash, që na pamundësojnë që të takohemi me problemet e njëmenda dhe me partnerë të njëmendë.

Përktheu: P. Shtjefën Dodes, SJ

Shpërndaje

Comments are closed.

« »