ZOTI NA TAKON ATY KU NDODHEMI

Nov 17 • Meditimi i ditës

17 nëntor 2015 – e marte, Shën Elizabeta e Hungarisë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 

Prania e Hyjit

 

“Ndaluni e shihni se unë jam Hyji.” (Ps 46,11)
Qetësohu dhe njihe Zotin.
O Zot, fjalët e tua na çojnë në
qetësinë dhe madhështinë e Pranisë sate.

 

Liria

 

I kërkoj Hyjit të të gjitha mirësive
Dhe Atit të të gjithë përdëllimeve,
Ta dërgojë Shpirtin Shenjt.
Që të më lirojë t`i shoh të gjitha të mirat që më janë dhënë e që më rrethojnë.
Për të më çuar në liri Hyji dëshiron që unë të gëzohem.

 

Vetëdija

 

Në praninë e Hyjit që më do
i vështroj të gjitha ato që më kanë ndodhur ditën e kaluar,
prej këtij momenti në mënyrë retroaktive, hap për hap.
E kujtoj gjithë atë që ka qenë e mirë dhe e bukur, dhe falënderoj për këtë.
I vërej edhe hijet (gabimet) dhe pyes se çfarë më flasin; lus për shërim, guxim, falje.

 

Fjala

 

Tani e lexoj pjesën e leximit të Shkrimit Shenjt që është parashikuar për sot.
Lexoj avash
dhe vërej fjalinë apo ngjarjen që më flet diçka.

 

________________________________________

Lk 19, 1-10

1 Jezusi hyri në Jeriho dhe po kalonte nëpër qytet.
2 Dhe, ja, një njeri që quhej Zake. Ky ishte kryetagrambledhës dhe pasanik. 3 Dëshironte të shihte kush është Jezusi, por nuk mundte prej popullit, sepse ishte me shtat i vogël. 4 U lëshua vrap përpara, shkoi e hipi në një fik për ta parë sepse andej do të kalonte.
5 Kur Jezusi erdhi në atë vend, shikoi përpjetë dhe i tha: “Zake, zbrit shpejt! Sot do të vij të rri në shtëpinë tënde!” 6 Ai zbriti me nxitim dhe e pranoi plot gëzim. 7 Të gjithë ata që panë, filluan të murmurisin:
“Ktheu të rrijë te një mëkatar!”
8 Zakeu u ngrit në këmbë dhe i tha Zotërisë:
“Ja, Zotëri, gjysmën e pasurisë po ua jap skamnorëve, e, nëse ia kam bërë ndokujt ndonjë të padrejtë, ia kthej katërfish!”
9 Atëherë Jezusi i tha:
“Sot i erdhi kësaj shtëpie shëlbimi, sepse edhe ky është bir i Abrahamit! 10 Pai, Biri i njeriut erdhi ta kërkojë e ta shëlbojë atë që pati humbur.”

________________________________________

 

Çka dëshiron të më thuash, Zotëri?

 

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

– A thua Zakeu nuk ishte shumë i shpejtë, kur vrapoi drejt pemës dhe u ngjit në të për ta parë Jezusin? Ai ishte një njeri i botës së pasanikëve, i pozicionuar lartë në punë, por nuk ishte i pëlqyer në komunitet: tagrambledhësit nuk ishin grup i popullarizuar njerëzish. Megjithatë, diçka ngjalli në të dhe shkaktoi që të gjente një mënyrë për t`u ngritur mbi turmën. Pastaj përjetoi përvojën e kthimit, kur i shikoi sytë e Jezusit, atëherë bota e tij u rrotullua.

E pyes veten, a thua çfarë ndodhi me të kur Jezusi u largua nga fshati …

– O Zot, e ke takuar Zakeun atje ku ishte, e ke ndryshuar atë plotësisht, duke i prurë shpëtim shtëpisë së tij. Njeriu i penduar dhe i kthyer ndryshon tërësisht. Ndihmomë që edhe unë ta ndryshoj jetën time dhe të pendohem për shumë dështime dhe rrëzime të jetës sime.

 

Bashkëbisedimi

 

Si e kam përjetuar Fjalën e Hyjit? A më ka lënë të ftohtë?
A më ka ngushëlluar apo nxitur që të veproj më ndryshe?
E paramendoj Jezusin sesi është duke qëndruar apo ulur pranë meje,
i drejtohem dhe ia tregoj të gjitha çfarë ndiej.

 

Përfundimi

 

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe të lutjes sime mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash 
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »