TË GUXOSH TË RREZIKOSH

Nov 18 • Meditimi i ditës

18 nëntor 2015 – e mërkurë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 

Prania e Hyjit

 

Ndërsa jam ulur këtu, të rrahurat e zemrës sime, ritmi i frymëmarrjes, lëvizjet e mendjes,

të gjitha këto janë shenja se Hyji më krijon vazhdimisht.

Ndalem një moment, dhe ndërgjegjësohem për këtë prani të Hyjit në mua.

 

Liria

 

O Zot, ma jep hirin që të bëhem i/e lirë nga ekseset dhe teprimi.

Mos lejo që të më robërojë dëshira për posedim dhe për pasuri.

Ma ruaj mendjen dhe zemrën të lira që të dua dhe të të shërbej.

 

Vetëdija

 

Ndërsa i kthehem detyrave të mia të përditshme,
ma përkujto, o Zot,
se gjithmonë je pranë meje.
Kurrë nuk duhet të dëshpërohem.

 

Fjala

 

Lute Shpirtin Shenjt që të të ndriçojë dhe të ta hapë mendjen dhe zemrën që të mund ta dëgjosh Zotin se si po të flet në Fjalën e tij.

 

Lk 19,11-28

 

11 Ndërsa ata po e dëgjonin, ai shtoi shëmbëlltyrën për arsye se mendonin se do të vinte Mbretëria e Hyjit aty për aty, pse Jezusi ishte afër Jerusalemit. 12 Tha, pra:

“Një njeriu prej familjes bujare iu desh të shkojë në një vend të largët për të marrë në dorëzim mbretërinë e vet e pastaj të kthehej. 13 I thirri dhjetë shërbëtorët e vet, u dha dhjetë mna dhe u tha: ‘Tregtoni derisa të kthehem!’

14 Por bashkëqytetarët e tij e urrenin dhe dërguan pas tij përfaqësues për të thënë: ‘Nuk duam që ky të mbretërojë mbi ne.’

15 Kur ai u kthye, pasi e mori në dorëzim mbretërinë, urdhëroi t’ia sjellin shërbëtorët, të cilëve u kishte dhënë të hollat, për të parë sa kishin fituar.

16 Doli i pari dhe tha: ‘Zotëri, mnaja jote dha dhjetë mna.’ 17 Ai iu përgjigj: ‘Të lumtë, shërbëtor i mirë! Pasi qe besnik në një gjë kaq të vogël, sundo mbi dhjetë qytete!’

18 Erdhi edhe i dyti e tha: ‘Zotëri, mnaja jote dha edhe pesë mna.’ 19 ‘Sundo ‑ i tha edhe këtij ‑ edhe ti mbi pesë qytete!’

20 Atëherë erdhi një tjetër e tha: ‘Zotëri, qe mnaja jote! E ruajta të mbështjellë në rizë. 21 U frikësova prej teje sepse je njeri i rreptë: merr çka nuk depozitove, korr çka nuk mbolle.’

22 Ai iu përgjigj: ‘Të dënoj pikërisht prej fjalëve të tua, shërbëtor i keq! E dite se jam njeri i rreptë, që marr çka nuk depozitova, korr çka nuk mbolla! 23 Pse nuk e depozitove paranë time në bankë që, kur të kthehesha, ta merrja bashkë me kamatë?’ 24 Atëherë u tha të pranishmëve: ‘Merrjani mnanë e jepjani atij që ka dhjetë!’ [25 Ata i thanë: ‘Zotëri, ai i ka dhjetë mna!’] 26 Unë po ju them se atij që ka, do t’i jepet edhe më shumë e atij që s’ka, do t’i merret edhe ajo pakicë që ka. 27 Ndërkaq armiqtë e mi ‑ ata që nuk më deshën për mbret ‑ sillni këtu dhe vritni para syve të mi!”

28 Si i tha këto, vazhdoi rrugën përpara duke u ngjitur në Jerusalem.

 

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

 

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  – Kjo është një shëmbëlltyrë enigmatike.Ka dy tregime paralele. E para, armiqësinë midis mbretit dhe popullit që duan të heqin qafe. E dyta ka të bëjë me marrëdhëniet midis mbretit dhe shërbëtorëve të tij. Të dytës i është e përkushtuar më shumë vëmendje. Vetë mbreti është lakmitar–një tiran mizor. Cilësia e tij e vetme pozitive është se ai është i gatshëm të shpërblejë besnikërinë dhe përkushtimin e skllevërve të vet.

– Është e vështirë ta shohësh se çfarë drite hedh shëmbëlltyra mbi natyrën e Mbretërisë së Hyjit(e kjo është ajo që hyrja na shtyn të presim). Mund të jetë mësimi që shërbimi ynë për Hyjin të mos jetë minimalist, të mos ankohemi apo të trembemi, por të jemi bujarë, krijues dhe aktivë?

  – A kemi nevojë për gatishmërinë për të marrë përsipër rreziqe duke iu përgjigjur misionit të Hyjit që na ka dhënë? A duhet të jemi të gatshëm “të humbim jetën tonë” në mënyrë që “ta gjejmë”?

 

Bashkëbisedimi

 

Cilat ndjenja zgjohen në mua

kur lus dhe e meditoj Fjalën e Hyjit?

E paramendoj Jezusin se si është duke qëndruar apo ulur pranë meje

dhe ia hapi zemrën time.

 

Përfundimi

 

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe të lutjes mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen

Shpërndaje

Comments are closed.

« »