I ZHGËNJYER NË NJERËZ

Nov 19 • Meditimi i ditës

19 nëntor 2015 – e enjte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 

Prania e Hyjit

 

O Zot, ti je këtu dhe gjithmonë më pret.

Mos qofsha kurrë aq tepër i/e preokupuar me punë sa të mos mund të gjeja kohë dhe të qëndroj me ty.

 

Liria

 

Trungu i trashë dhe i shtrembër i pemës kurrë s`do të besonte
se mund të bëhet statujë, vepër e mrekullueshme artistike,
dhe kurrë s`do t`i nënshtrohej daltës së skulptorit,
që me gjeninë e tij depërton për të nxjerrë gjithçka mund të bëhet prej këtij trungu (Shën Injaci)
Lus për hirin që të lejoj të formohem me dorën e Krijuesit tim të dashur.

 

Vetëdija

 

Më ndihmo o Zot që të bëhem edhe më i/e vetëdijshëm/e për praninë tënde.

Më mëso se si të të identifikoj në të tjerët.

Ma mbush zemrën me mirënjohje për të gjitha ato momente

kur nëpërmjet njerëzve të tjerë e ke treguar kujdesin për mua.

 

Fjala

 

Kaloje këtë kohë duke e qendërzuar vetveten për të dëgjuar atë që Hyji mund të jetë duke të të thënë gjatë kësaj lutje, për të dëgjuar atë që gjallërohet në zemrën tënde. Mbylli sytë një moment. Ndërsa rri ulur me sy mbyllur, përdori këto ose fjalë të ngjashme: “Ja ku jam, o Zot. Ja ku jam.” Kur të jesh gati, hapi sytë dhe lexo, lutu.

 

Lk 19, 41-44

 

41 Kur u afrua dhe e pa qytetin, qau mbi të 42 e tha:

“O po ta kuptoje edhe ti në këtë ditë çka ta sjell ty paqen! Por tashti është e fshehur për sytë e tu! 43 E do të vijë dita, kur armiqtë e tu do të të rrethojnë me llogore, do të bëjnë rrethim e do të të shtrëngojnë nga çdo anë. 44 Do të të përplasin për tokë ty e fëmijët e tu në ty dhe s’do të lënë në ty as gur mbi gur, sepse nuk e bëre për gjë kohën kur Hyji erdhi të të ndihmojë.”

 

 Ç`dëshiron të më thuash, o Zot?

 

Disa mendime mbi tekstin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  – Ungjilli i Lukës është strukturuar rreth rrugës së Jezusit për në Jerusalem. Faza e fundit e udhëtimit kthehet në një procesion të lavdishëm nga mali i Ullinjve në qytet (E diela e larit). Por në të njëjtën kohë, Jezusi ndalet i pushtuar nga emocionet. Ai shikon në ngrehinat e qytetit të dominuar nga Tempulli madhështor dhe qan me zë të lartë.

– Çfarë është duke parë? Çfarë e ka prekur thellë? Tërë historia e Izraelit, popullit të tij, i del para syve të tij. Të gjitha të çojnë në këtë ditë, ardhjen e tij në mesin e tyre. Por ata janë të verbër, kokëfortë dhe nuk besojnë. Ata hedhin poshtë Mesinë. Jezusi gjithashtu parashikon se çfarë do të pësojë ky popull gjatë rrethimit të Jerusalemit nga Romakët në vitin 70.

– Qëndro në heshtje pranë Jezusit dhe bashkoju në pikëllimine tij.

 

 Bashkëbisedimi

 

Fjalët nuk po më vijnë lehtë, o Zot.

Shiko në zemrën time dhe shih se sa shumë e dëshiroj paqen.

Më ruaj, o Zot. E di që gjithmonë je pranë meje.

 

Përfundimi

 

Po të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto pak momente vetëm me ty.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim ashtu tash

E përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »