NA PRET DASHURIA

Nov 19 • Këndvështrime

Kur të hyjmë në jetën e amshuar, na pret një dashuri e pafund, e pakushtëzuar. Ne s`i dimë të gjitha detajet, por kjo s`ka rëndësi. Hyji i Befasive është duke përgatitur për ne çdo gjë që do të mund të na bëjë të lumtur në mënyrë unike. Në fund të fundit, ne jemi të krijuar për dashuri, të jemi të dashur dhe në Fund, Vetë Dashuria do të na përqafojë. Së bashku me Trininë e Shenjtë do të jenë të gjithë ata që kanë shkuar para nesh, të lumtur që edhe ne arritëm në fund.

Në këtë jetë, shpesh ndihemi si vrapues të vetmuar të maratonës, por pastaj do ta gjejmë veten duke hyrë në një stadium të madh të mbushur me një turmë të madhe njerëzish që do të ngrihen dhe do të na duartrokasin. S’ka dyshim që pastaj do të biem në gjunjë dhe do të qajmë, por lotët tanë do të jenë lot gëzimi, jo trishtimi. Hyji do të na marrë për dore dhe do të na prezantojë bashkësisë së mbledhur, në të cilën të gjithë do të jenë në anën tonë.
Nëse kjo të duket joreale sille nëpër mend shëmbëlltyrën e djalit të humbur, plëngprishës. Babai nuk pret që i biri të mbërrijë. Ai lëshohet vrap për ta përqafuar dhe e merr atë dhe e fut në shtëpi. E veshë atë me rroba shkëlqimi, pastaj me krenari e prezanton në gostinë e madhe.
Ndërsa përkujdesemi për ata që ndodhen në prag të vdekjes, mund t`ua përkujtojmë se do të jenë të tërhequr nga zemra e dashurisë. Dashuria vjen për t`i marrë ata në shtëpi, duke thënë: “Çohu, mikesha ime, pëllumbesha ime, bukuroshja ime dhe eja! Se tashmë dimri mbaroi … ma dëfto fytyrën tënde, le të më tingëllojë në veshë zëri yt, se i ëmbël është zëri yt e fytyra jote e hijshme” (Kënga e Këngëve 2, 10-15). A mund të kërkojmë diçka më shumë se kjo?

(Nga “Sacred Space”; Përktheu: Shtjefën Dodes) 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »