MBRETËRIA E SË VËRTETËS, LIRISË DHE DASHURISË

Nov 21 • LEXIMET E SË DIELËS

Krishti Mbret (B)

Leximi i parë Dan 7,13-14

Lexim prej Librit të Danielit profet

Unë po shikoja kështu në vegimin e natës: kur qe, në retë e qiellit, po vinte dikush si Biri i njeriut! Arriti deri tek i Tejetlashti i motit dhe qe paraqitur para tij. Ai i dha pushtetin, nderin e mbretërinë. Të gjithë popujt, fiset e gjuhët u shtruan nën shërbimin e tij: pushteti i amshuar që kurrë s’do të merret, mbretëria e tij kurrë nuk do të prishet.

Fjala e Zotit

 

 Psalmi 93

Ref. Ardhtë Mbretëria jote, o Zot

—————————————————–

Hyji mbretëron! U vesh me madhëri!

Zoti u vesh, me fuqi u ngjesh.

—————————————————–

Të palëkundshme e bëri botën;

Assesi s’do të trandet!

I patundshëm është froni yt

qysh prej fillimit,

ti je i amshueshëm!

—————————————————–

Dëshmitë e tua

Janë plotësisht të besueshme,

shenjtëria i përket shtëpisë sate

përgjithmonë e jetës, o Zot.

——————————————————

 

 Leximi i dytë Zb 1,5-8

 Lexim prej Zbulesës së Shën Gjonit apostull

Jezu Krishti është Dëshmitari besnik, i Parëlinduri ndër të vdekur, Sunduesi i mbretërve të tokës! Atij që na do, që na çliroi nga mëkatet tona me gjak të vet, që na bëri Mbretëri priftërinjsh për Hyjin, Atin e vet, Atij i qoftë lavdi dhe pushtet në shekuj të shekujve. Amen.  Ja, po vjen me re dhe do ta shohë çdo sy, edhe ata që e shporuan dhe të gjitha fiset e tokës do të vajtojnë për shkak të Tij. Po! Amen! Unë jam Alfa dhe Omega, thotë Zoti Hyj. Ai që është, që ishte, dhe që po vjen, i Gjithëpushtetshmi.    

Fjala e Zotit

 

Aleluja!

Qoftë bekuar ai që vjen në Emër të Zotit!

Qoftë bekuar Mbretëria e Tij që po vjen.

Aleluja!

 

Ungjilli Gjn 18, 33-37

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit

Në atë kohë, Pilati e thirri Jezusin dhe e pyeti: “A je ti mbreti i judenjve?” Jezusi i përgjigji: “A e thua ti këtë prej vetvetes, apo ta thanë tjerët për mua?”

Pilati përgjigji: “Pse, a mos jam unë judeas? Popullit yt dhe kryepriftërinjtë të dorëzuan mua. Çka ke bërë?” Jezusi përgjigji: “Mbretëria ime nuk është e kësaj bote. Po të ishte Mbretëria ime e kësaj bote, ushtarët e mi do të kishin luftuar që të mos u bie në dorë judenjve. Porse, Mbretëria ime nuk është prej këndej.”

“Pra, ti qenke Mbret?” – i tha atëherë Pilati. “Mirë thua!” – i përgjigji Jezusi – “Unë jam mbret! E unë linda dhe erdha në botë për të dëshmuar të vërtetën. Kush e do të vërtetën, ai e dëgjon fjalën time.”

Fjala e Zotit

 

POROSIA

Në leximin e parë, Danieli profetë përjeton aq shumë të këqija dhe vështirësi në botë dhe në popullin e zgjedhur, të këqijave sikurse mos t’u vinte kurrë fundi. Duket sikur nuk ka zgjidhje dhe nuk ka shërim për të gjitha ato të zeza. Por prapëseprapë, Danieli s’e humb besimin dhe shpresën në Zotin, do të vijë i Premtuari, Shpëtimtari, Mesia, i cili do të vë drejtësinë mbi popuj. Do të krijohet një botë e re, Mbretëria e Zotit nuk do të shkatërrohet kurrë. Për këtë Mbretëri janë të angazhuar të japin kontributin e vet të gjithë, jemi të ftuar të bëjmë një botë të re, botë të paqes dhe drejtësisë. E sot është më e nevojshme se kurrë të veprojmë në këtë mënyrë, për një bashkësi me të shëndosh, për familje me të ngritura shpirtërisht.

Në leximin e dytë, shohim që Jezusi është Ai që na shëlboi dhe është fillimi dhe mbarimi, është Alfa dhe Omega, është Ai, i cili u flijua, vdiq dhe u ngjall për ne. Prandaj, ne nuk kemi frikë për të ardhmen,  por ndihemi të sigurt duke qenë të bashkuar me Të.

Sot është festa e Krishtit Mbret, dhe është dita e fundit e një cikli liturgjik gjatë vitit. Kështu të dielën e ardhshme, fillon koha e Ardhjes, e përgatitjes shpirtërore për festen e Krishtlindjes.

Mbretin gjithmonë e mendojmë të tmerrshëm, person me ndikim, person që kërkon nderim dhe lavd nga të gjithë. E duan apo jo, populli duhet ta nderoj, sepse ka pasoja. Mbretërit luftojnë për territore, luftojnë për të zgjeruar kufijtë e mbretërisë, luftojnë që të mbizotërojnë mbi të tjerët. Por sado që të jetë i pasur dhe me territore të mëdha, ai një ditë do t’i lenë të gjitha dhe do t’i kthehet tokës. Emrat e tyre harrohen apo mbeten në fletë të shënuara, ku i mbulon pluhuri dhe s’kanë aq shumë vlerë.

Sot, kur festojmë festën e Krishtit mbret, mund të pyesim: çfarë Mbreti është Krishti dhe çfarë është Mbretëri e tij? Ne e dimë se Krishti lindi në varfëri shumë të madhe, ardhja e tij ishte  anonime dhe në heshtje. Atëherë kur u dëgjua këndimi i engjëjve, u përhap lajmi për lindjen e një Foshnje, që do t`i prijë popullit në një rrugë të re.

Në krejt jetën e Jezu Krishtit shohim thjeshtësinë dhe përvujtërinë, që aspak nuk i përngjajnë një mbreti të rëndomtë. Sepse, krahas mrekullive që bënte, ai përfundon tragjikisht duke i bërë edhe apostujt të mendojnë dhe dyshojnë, kur thonim“e ne mendonim se do të ripërtërijë mbretërinë e Izraelit”. Mandej, tendencat e apostujve për t`u bërë të parët, si p.sh. Jakobi dhe Gjoni…

Dy gjëra janë argument i fuqishëm për të treguar Krishtin si Mbret:

Lindja dhe lajmërimi nga qielli dhe vdekja.

Ai lindi për arsye se bota pati nevojë për të… Mëkati dhe e keqja ishin arsye që Jezusi erdhi ndër ne… Mundimi dhe vdekja ishin dëshmi e dashurisë së tij ndaj nesh. Kjo është argumenti i shpëtimit dhe shëlbimit. Zoti është mbret dhe mbretëria e tij nuk është e kësaj bote, sepse kjo mbretëri nuk është mbretëri materialiste, politike dhe e racës njerëzore, për të sunduar dhe gjykuar sipas parimeve të shekullit, por është Mbretëri e paqes dhe dashurisë. Krishti nuk dëshiron të sundojë, nuk dëshiron të mbizotërojë mbi të tjerët, por të shërbejë dhe ta jep jetën për ne.

Jezusi është Mbret, jo ai që sundon të tjerët, dhe flijon të tjerët, por është mbret sepse vet flijohet, mundohet dhe vdesë e, mbi të gjitha, ngjallet që ne të ngjallemi në jetë të re. Jezusi e bënë këtë për dashuri që ka për ne, e bën që ne të jetojmë, të jetojmë përgjithmonë në mbretërinë e tij, në jetën e pasosur, jetën që nuk përfundon askurrë.

Jezusi është mbret dhe mbretëria e tij nuk ka mbarim.

Për këtë pra, ne duhet  të lutemi dhe shpresojmë, që Jezusi të jetë mbret i zemrave dhe i jetës sonë, mbret i mendimeve dhe ndjenjave tona, mbret i të gjithë atyre që do të pranojnë si Shpëtues dhe Shëlbues.

Mbret i popujve, që janë në vështirësi dhe lufta të pakuptimta, mbret i atyre zemrave në frikë dhe pikëllim. Mbret i atyre njerëzve në vuajtje dhe në sëmundje, duke i forcuar dhe duke ju dhënë hirin e shpresës dhe të dashurisë.

Një shembull: Një mbret, një herë, duke u shëtitur e takoi një djalosh, i cili ishte bonjak dhe shumë i varfër. Mbretit i erdhi keq dhe dha urdhër që ky djalosh te sillet në pallatin mbretëror. Mbreti u kujdes për shkollim dhe të gjitha gjërat që ka nevojë. Kur u rritë i dha pozitë shumë të lartë në oborrin mbretëror. Djaloshi në vend të falënderimit për kujdesin, që mbreti tregoi ndaj tij duke e konsideruar si  djalin e vet, shkoi dhe u lidh me një grup të njerëzve, të cilët dëshironin ta vrasin mbretin. Mbreti kur dëgjoi u zemërua në krejt ata, e në veçanti në djaloshin. Vendosi t`i vrasë të gjithë.

Megjithatë pati dhembje dhe mëshirë: I tha djaloshit: Nëse hynë në një dhomë të errët dhe tregon krejt ngjarjen, që ke dashur të bësh dhe pendohesh do të të fal. Kështu ndodhi dhe mbreti e fali, duke e lënë në pozitën që kishte.

Sot, duke medituar për Krishtin Mbret, t`ia hapim zemrën tonë dhe ta pranojmë mbretërinë e Tij, në të cilën ne bëhemi të lumtur në jetë. Të jemi gjithnjë të udhëhequr nga Ai, i cili, edhe pse ndoshta gabojmë dhe mëkatojmë, na fal dhe na pranon, sepse na ka për zemër dhe na donë. Kështu që një ditë do të na pranojë tek vetja, ku nuk do të ketë më lot, dhembje, vuajtje, por mirësi, paqe, dashuri dhe lumturi të amshuar, e kjo është Mbretëria që nuk përfundon askurrë.

 

LUTJA E BESIMTARËVE

Të bashkuar në Shpirtin Shenjt t‘ia drejtojmë lutjet tona Krishtit, Mbretit të gjithësisë  me shpresë që në ditën e fundit të bashkohemi me Të në mbretërinë  e tij. Të themi së bashku:

U shenjtëroftë emri yt, ardhtë Mbretëria jote!

– Kisha jote e përhapur në botë: le të jetë gjithmonë në shërbim të mësimit ungjillor, që Ti i urdhërove, të lutemi:

– Që barinjtë e Kishës, t‘i shërbejnë popullit tënd me maturi dhe besnikëri, sikurse Ti i mësove dhe urdhërove, të lutemi:

– Për ne këtu të pranishëm, që të na ndihmosh, o Zot Jezus, të kemi fenë, shpresën dhe dashurinë e qëndrueshme për të qenë pjesëtarë të Mbretërisë sate, të lutemi:

– Për të gjithë ata që janë në vuajtje të ndryshme, sidomos për të persekutuari për arsye të fesë dhe besimit në Ty, ndihmoju o Jezu, që të qëndrojnë dhe bëj që të gjithë njerëzit të jetojnë në harmoni, duke i pranuar të drejtat e njëri tjetrit, të lutemi:

– Të gjithë ata që shpresuan në Ty, bëj o Zot, që të meritojnë të jetojnë në Mbretërinë tënde, të lutemi:

Jezu Krisht, Mbret i të gjitha krijesave, ti linde dhe erdhe në botë të dëshmosh të vërtetën. Po të lutemi na  dhuro Shpirtin Shenjt,  që ta njohim dhe ta dëshmojmë vërtetën dhe një ditë të bashkohemi me Ty në Mbretërinë tënde,  ku ti jeton e mbretëron në shekuj të shekujve. Amen.

 

Përgatiti: Don Marjan Demaj

Shpërndaje

Comments are closed.

« »