MBRETËRIA E SË VËRTETËS DHE DASHURISË

Nov 22 • Meditimi i ditës

22 nëntor 2015 – e diela 34-të gjatë vitit (B), Krishti Mbret, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 

Prania e Hyjit

 

Ndalem një moment e të mendoj për praninë e fshehur të Hyjit në sende: në elemente duke bërë që ato të ekzistojnë;
në bimë duke ua dhuruar jetën; në kafshë duke bërë që të ndiejnë;
dhe më në fund në mua, sepse m`i jep të gjitha këto, edhe më shumë,
më bën tempull, vendbanim të Shpirtit Shenjt.

 

Liria

 

Kur e ndiej veten të robëruar dhe kur gjithçka më tendos, më ngarkon,

madje edhe atëherë kur rrezet e diellit nuk arrijnë në vendin ku ndodhem,

edhe atëherë, në heshtjen e heshtjes, shpirti im është i lirë dhe i papenguar.

Në këtë liri të shpirtit po të drejtohem ty.

 

Ndërgjegjësimi

 

Bëj, o Zot, që gjithmonë të jem i/e vetëdijshëm/e dhe mirënjohës/e

për të gjitha bamirësitë që m`i ke dhënë.

Këtë bekim ta ndaj gjithmonë me të tjerët.

 

Fjala

 

Hyji i flet secilit prej nesh personalisht.

Duhet ashtu ta dëgjoj në mënyrë që ta ndiej çfarë dëshiron të më thotë.

Do ta lexoj tekstin disa herë, pastaj do të dëgjoj…

 

Gjn 18, 33-37

 

33 Atëherë Pilati hyri përsëri në pallat, e thirri Jezusin dhe e pyeti:

“A je ti mbreti i judenjve?”

34 Jezusi iu përgjigj:

“A e thua ti këtë prej vetvetes, apo ta thanë të tjerët për mua?”

35 Pilati u përgjigj:

“Pse, a mos jam unë judeas? Populli yt dhe kryepriftërinjtë të dorëzuan tek unë. Çka ke bërë?”

36 Jezusi u përgjigj:

“Mbretëria ime nuk është e kësaj bote. Po të ishte Mbretëria ime e kësaj bote, ushtarët e mi do të kishin luftuar që të mos u bija në dorë judenjve. Porse, Mbretëria ime nuk është prej këndej.”

37 “Pra, ti qenke Mbret?”‑ i tha atëherë Pilati.

“Mirë thua! ‑ iu përgjigj Jezusi ‑ Unë jam mbret!

E unë linda dhe erdha në botë

për të dëshmuar të vërtetën.

Kush e do të vërtetën,

ai e dëgjon fjalën time.”

 

Ç`dëshiron të më thuash, o Zot?

 

Disa mendime mbi tekstin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

– Gjithmonë ekziston një dykuptimësi në emërtimin e Jezusit mbret. Pjesërisht kjo është e lidhur me një shumëllojshmëri të përvojave me mbretërit gjatë historisë në kultura të ndryshme. Por dykuptimësia më e madhe del në sipërfaqe në pasazhin e sotëm. Jezusit i duhet ta korrigjojë të kuptuarit të Pilatit të rolit të tij: “Mbretëria ime nuk është e kësaj bote.” Pavarësisht nga ky paralajmërim, nganjëherë ne e festojmë këtë të kremte në mënyrë botërore, triumfaliste që nuk është në harmoni me mënyrën sesi e kupton Jezusi veten e vet.

– Përse është e rëndësishme në ditën e sotme të lexohet për këtë skenë nga mundimet, pësimet? A na ndihmon ky pasazh të kuptojmë se çfarë do të thotë vërtet Mbretëria e Krishtit? Vëreje sesi Jezusi në këtë pasazh e vë theksin në të vërtetën.

– Si mund të jetë Jezusi në të njëjtën kohë mbret dhe shërbëtori i vuajtur?

 

Bashkëbisedimi

 

Jezus, ti na thërret që të shkojmë pas teje dhe ta kompletojmë veprën tënde mbi tokë. Më ndihmo të shkoj përtej zonës sime të rehatisë dhe të jap fryt në shërbimin tënd.

 

Përfundimi

 

Po të falënderoj o Zot për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtyre momenteve të kaluara vetëm me ty.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim ashtu tash

E përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »