DHËNIA QË I PËLQEN ZOTIT

Nov 23 • Meditimi i ditës

23 nëntor 2015 – e hënë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 

Prania e Hyjit

 

Jezusin mund ta kërkojmë në cilëndo kohë të ditës a të natës.
Ai gjithmonë pret, duke përgjuar thirrjen tonë.
Çfarë bekimi i mrekullueshëm!
Nuk kam nevojë as për telefon as e-mail, vetëm një pëshpëritje.

 

Liria

 

O Zot, ma dhuro hirin e lirisë së shpirtit.

Ma pastro shpirtin dhe zemrën në mënyrë që të mund të jetoj gëzueshëm në dashurinë tënde.

 

Ndërgjegjësimi

 

Si jam duke u sjellë me Hyjin? Me të tjerët?
A ekziston diçka që duhet të jem mirënjohës/e? Atëherë do të them: faleminderit.
A ekziston diçka që do të duhej të më vinte keq? Atëherë do të them: më fal.

 

Fjala

 

O Zot, je bërë njeri në mënyrë që të bisedosh me mua;

Ke ecur dhe ke punuar mbi këtë tokë; ke duruar vapën dhe të ftohtët.

Kohën e kalove në tokë duke u përkujdesur për njerëz.

Ke shëruar të sëmurë, ke ngjallur të vdekur; dhe ajo më e rëndësishmja – më ke shpëtuar nga vdekja.

 

Lk 21, 1-4

 

1 Jezusi shikoi dhe pa se si të pasurit po hidhnin dhuratat e veta në arkëzën e lëmoshës. 2 Pa edhe një grua të vejë, skamnore që hodhi dy lepta 3 dhe tha:

“Për të vërtetë, po ju them: kjo vejushë skamnore qiti më shumë se të gjithë. 4 Sepse të gjithë të tjerët qitën ndër dhurata aq sa u tepron prej pasurisë, kurse ajo qiti prej skamjes së vet gjithçka pati për jetesë.”

 

Ç`dëshiron të më thuash, o Zot?

 

Disa mendime mbi tekstin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

– Jezusi sillet shpesh si një vëzhgues i kthjellët i çdo gjëje që ndodh rreth tij. Ka edhe aftësinë për ta ekspozuar doktrinën e tij duke komentuar atë që sheh. Kjo ndodh edhe kur ndodhet ulur në tempull.

– Jezusi, çuditërisht, nuk gjykon. Nuk i dënon autoritetet e tempullit për lakminë ose të pasurit që japin lëmoshë nga teprica e tyre. Ai thjesht thekson se e veja e varfër kishte dhënë më shumë se çdokush tjetër, sepse ajo dha gjënë e fundit që kishte. Ajo nuk kishte më nga se të jetonte.

– Jezusi lë për të arritur vetë në përfundim dhe të zbulojmë se çfarë do të thotë kjo ngjarje për ne. Cili është konkluzioni im? A mund ta ndaj atë me Jezusin në lutje?

  

Bashkëbisedimi

 

“Zgjohuni – rrini zgjuar.“
Janë fjalët e tua drejtuar nxënësve para mundimit dhe vdekjes.
E di, o Zot, se do të qëndrosh pranë meje
dhe do të rrish zgjuar të gjitha ditët e jetës sime.

 

Përfundimi

 

Po të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtyre momenteve të kaluara vetëm me ty.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim ashtu tash

E përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »