PËRMBYLLJE TË (PA)PËLQYERA

Nov 24 • Meditimi i ditës, Uncategorized

 

24 nëntor 2015 – e martë, Shën Andrea Dung-Lac e shokët, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 

Prania e Hyjit

 

Ajo çfarë orvatem të bëj këtu është që kohën ta lë më një anë
dhe të përqëndrohem në jetën time, atë fizike – në kohë, dhe atë shpirtërore.
Mundohem ta paramendoj Jezusin si është ulur pranë meje
dhe bisedoj me të mbi të gjitha çfarë është duke më ndodhur në jetë.
Mundohem ta marr vesh që në mundësi të panumërta
Jezusi hyn në rrethanat e përditshme të jetës sime.
E pra, jeta kalon shpejt dhe shumë gjëra ndodhin.
Ngarkesa dhe obligime të ndryshme shpesh herë e shmangin këtë vetëdije për praninë e Hyjit në jetën time të përditshme. Jam i vetëdijshëm për këtë, dhe dëshiroj të bëjë diçka.
Sa për tash, provoj të qëndroj i qetë dhe i hapur ndaj asaj çfarë prania e Tij dëshiron të më thotë.

 

Liria

 

Do të mundohem që së paku shkurt t`i harroj të gjitha brengat dhe problemet

që ndoshta më mundojnë në këtë moment.

Të gjitha shqetësimet e mia i vendos në duart e Zotit – së paku disa minuta deri sa të zgjatë kjo lutje.

 

Ndërgjegjësimi

 

Më ndihmo, o Zot, që të bëhem edhe më i/e vetëdijshëm/e për praninë tënde.

Më mëso se si të të identifikoj në të tjerët.

Ma mbush zemrën me mirënjohje për të gjitha ato momente

kur nëpërmjet njerëzve të tjerë e ke treguar kujdesin për mua.

 

Fjala

 

Tani e lexoj pjesën e leximit të Shkrimit Shenjt që është parashikuar për sot.

Lexoj pa u ngutur

dhe vërej fjalinë apo ngjarjen që më flet diçka.

 

Lk 21, 5-11

5 Kur disa po flisnin për Tempullin se si është i stolisur me gurë të bukur e me dhurata kushtimore, Jezusi tha:

6 “Do të vijë dita, kur, ndër të gjitha këto që po shikoni nuk do të mbetet as gur mbi gur pa u rrënuar.”

7 E pyetën:

“Mësues, kur do të ndodhë kjo dhe cila do të jetë shenja se këto po fillojnë të ngjajnë?”

8 “Ruajuni ‑ iu përgjigj ‑ të mos ju gënjejnë! Sepse shumë do të vijnë në emrin tim e do t’ju thonë: ‘Unë jam!’ dhe: ‘U afrua koha!’ Mos shkoni pas tyre! 9 E kur të dëgjoni të flitet për luftëra e për kryengritje, mos u frikësoni! Sepse të gjitha këto do të ndodhin më parë, por as atëherë nuk është menjëherë mbarimi.”

10 Atëherë u tha:

“Do të ngrihet një komb kundër një kombi tjetër, një mbretëri kundër një mbretërie tjetër, 11 do të ndodhin tërmete të mëdha, në vende të ndryshme uri e murtaja, do të ngjajnë dukuri të frikshme dhe shenja të mëdha nga qielli.

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  – Për mbylljet apo përfundimet nganjëherë na gëzojnë, nganjëherë ua kemi frikën. Gjatë kohës që po i afrohemi fundit të vitit liturgjik (koha e Ardhjes fillon të dielën e ardhshme) ungjijtë do të përqendrohen te fundi i kohës. – Jezusi fillon të profetizojë për fundin e Tempullit në Jerusalem (i shkatërruar në vitin 70 pas Krishtit). Duka pasur para sysh rëndësinë që Tempulli kishte për fenë dhe kulturën hebraike, shkatërrimi i Tempullit do të simbolizonte edhe fundin e shpresave mesianike hebraike. Kjo me siguri do të çonte në diasporë dhe judaizëm rabinik që ne e njohim sot. Asgjë më nuk do të jetë asnjëherë njësoj.

– A më është dashur të merrem me përmbyllje të dhimbshme në disa vite të fundit? Vdekja e një të dashuri, marrëdhënie të rrënuara ndërnjerëzore? Ku ishte Zoti në momentet e krizës sime? Cilat ishin përfundimet që më kanë pëlqyer, që më kanë sjellë liri dhe më kanë hapur ndaj mundësive të reja të jetës?

 

Bashkëbisedimi

 

Komunikimi nënkupton bisedimin dhe dëgjimin.

Kur bisedoj me Jezusin, duhet të jem i/e gatshëm/e edhe të dëgjoj gjithçka ai dëshiron të më thotë.

Do ta paramendoj butësinë dhe mirësinë në sytë e Jezusit dhe buzëqeshjen plot dashuri gjatë kohës ndërsa më vështron.

Mund të jem krejt i/e sinqertë me Jezusin kur ia besoj të gjitha brengat dhe gëzimet e mia.

Ia hapi zemrën kur i flas për ndjenjat e frikës dhe dyshimet e mia.

Do ta lus që të më ndihmojë që plotësisht të mund të mbështetem në kujdesin e tij,

i/e vetëdijshëm/e se ai gjithmonë e di ç`është më së miri për mua.

 

Përfundimi

 

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »