DËSHIRA PËR ARDHJEN PËRFUNDIMTARE TË JEZUSIT

Nov 26 • Meditimi i ditës

26 nëntor 2015 – e enjte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 

Prania e Hyjit

 

Jezus i dashur, sot në mënyrë të veçantë kam nevojë për ty.

Kryesisht kërkoj prej teje ndonjë shërbim.

Sot dëshiroj vetëm që të jem me ty.

Zemra ime t`i përgjigjet dashurisë sate.

 

Liria

 

Përpiqem që së paku shkurt t`i harroj të gjitha brengat dhe problemet

që ndoshta më mundojnë në këtë moment.

Të gjitha shqetësimet e mia i vendos në duart e Zotit – së paku disa minuta deri sa të zgjatë kjo lutje.

 

Ndërgjegjësimi

 

Duke e ditur që Hyji më do pa kushte,

Mund t`i lejoj vetes që të jem i/e sinqertë se si jam.

Si është duke më kaluar dita? Si po e ndiej veten në këtë moment?

Krejt hapur, do t`i ndaj ndjenjat e mia me Hyjin.

 

Fjala

 

Tani e lexoj pjesën e leximit të Shkrimit Shenjt që është parashikuar për sot.

Lexoj avash

dhe vërej fjalinë apo ngjarjen që më flet diçka.

 

Lk 21, 20-28

 

20 “Kur të shihni se ushtria e rrethoi Jerusalemin, dijeni se shkatërrimi i tij është afër! 21 Kush të gjendet atëherë në Jude, le të ikë në male! Kush të gjendet në Jerusalem, le të dalë prej tij! Kush të ndodhë në fushë, të mos kthehet në qytet! 22 Sepse ato do të jenë ditë hakmarrjeje që të plotësohet gjithçka tha Shkrimi i shenjtë. 23 Vaj në ato ditë për gratë shtatzëna e me fëmijë në gji, sepse do të jetë mjerim i madh mbi tokë dhe hidhërim kundër këtij populli! 24 Do të bien të vrarë nga tehu i shpatës, do t’i çojnë skllevër ndër të gjithë popujt. Kurse Jerusalemin do ta shkelin paganët derisa të zgjasë koha e paganëve.”

 

25 “Do të ketë shenja në diell, në hënë e në yje. Mbi tokë popujt do të gjenden ngushtë, të tmerruar prej gjëmës së detit e prej valëve të tij. 26 Njerëzve do t’u dalë shpirti prej frikës dhe pritjes ç’do të ndodhë me botën, sepse ‘trupat qiellorë do të lëkunden’ 27 e atëherë ‘do ta shohin Birin e njeriut duke ardhur mbi re’ me fuqi të madhe e me madhëri.

28 Kur të fillojnë të ndodhin këto, drejtohuni dhe çojeni kokën lart dhe dijeni se është afër çlirimi juaj!”

 

 

Ç`dëshiron të më thuash, o Zot?

 

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  –  Përsëri kemi një bashkim të dy ngjarjeve: shkatërrimin e Jerusalemit dhe ardhjen e Birit të Njeriut. Njëra ndodh brenda historisë, dhe e dyta shënon fundin e historisë. Vë re se si Jezusi është i vetëdijshëm për tmerret e luftës – veçanërisht se si vuajnë të pafajshmit dhe të pambrojturit.

 –   Ngjarja e dytë do të njoftohet me ngjarje të çuditshme kozmike. Ato do të shkaktojnë frikë dhe konfuzion në mesin e njerëzve në tokë. Ata që besojnë nuk kanë nevojë të frikësohen. Në të vërtetë, ata duhet “të drejtohen dhe të çojnë kokën lart”, sepse ardhja e Krishtit është faza përfundimtare e shpërblimit/shpengimit (apo çlirimit) të tyre. Ata në fakt e duan ardhjen e tij.

 –   “Ai që i dëshmon këto, thotë: »Po, po vij së shpejti!« Amen! Eja, o Zot, Jezus!”(Zbulesa 22,20). A është kjo dëshira ime sot? A kam dëshirë të madhe për të qenë me Jezusin?

 

 

Bashkëbisedimi

 

Fjalët nuk po më vijnë lehtë, o Zot.

Shiko në zemrën time dhe shih se sa shumë e dëshiroj paqen.

Më ruaj, o Zot. E di që gjithmonë je pranë meje.

 

Përfundimi

 

Po të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto pak momente vetëm me ty.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim ashtu tash

E përgjithmonë e jetës. Amen.

Comments are closed.

« »