KINI KUJDES VETEN QË ZEMRAT TUAJA TË MOS KALAMENDEN

Nov 28 • LEXIMET E SË DIELËS

E diela  parë e Ardhjes

Leximi i parë: Jer 33, 14-16

Lexim prej Librit të Jeremisë profet

Ja, po vijnë ditë – është shpallje e Zotit – e do ta çoj në vend fjalën e mirë që ia premtova shtëpisë së Izraelit e shtëpisë së Judës. Në ato ditë e po në atë kohë, do të bëj të ngallitë për Davidin një pinjoll drejtësie. Ai do ta çojë në vend të drejtën e drejtësinë mbi tokë. Ndër ato ditë Juda do të shpëtojë e Jerusalemi do të banojë në siguri. Dhe ja, emri me të cilin do të quhet qyteti: ‘Zoti është Drejtësia jonë’.

Fjala e Zotit

 

Psalmi 25

Ref. Tek ti, o Zot, e lartësoj shpirtin tim.

—————————————————————–

Bëj t’i njoh, o Zot, udhët e tua

e m’i mëso shtigjet e tua.

Më drejto me të vërtetën tënde dhe më mëso,

sepse ti je Hyji im, Shëlbuesi im.

——————————————————————

I ëmbël e i drejtë është Zoti,

mëkatarët i kthen në udhë të drejtë,

të përvujtëve u prin në drejtësi,

të butëve ua mëson udhën e vet.

———————————————————————

Të gjitha udhët e Zotit janë mëshirë dhe e vërtetë

për ata që mbajnë Besëlidhjen e tij e urdhërimet.

Miqësisht sillet Zoti me ata që e druajnë,

për t’ua njoftuar Besëlidhjen e vet.

——————————————————————–

 

Leximi i dytë: 1 Sel 3,12.13 – 4, 2

Lexim prej Letrës së parë të shën Palit apostull drejtuar Selanikasve

Vëllezër, bëftë Zoti që të rritet e të shtohet përherë e më tepër dashuria juaj ndaj njëri-tjetrit dhe ndaj të gjithë njerëzve siç është dashuria jonë ndaj juve! Ai i forcoftë zemrat tuaja në shenjtëri të patëmetë para Hyjit dhe atit tonë për ardhjen e Zotit tonë Jezusit me të gjithë shenjtërit e tij. Mandej, vëllezër, ju lutemi ngrohtësisht dhe ju përbejmë në Zotin Jezus që, sikurse mësuat prej nesh si duhet të jetoni për t’i pëlqyer Hyjit, ashtu edhe jetoni që të përparoni edhe më tepër. Patjetër i dini urdhërimet që ju kemi dhënë prej anës së Zotit Jezus.

Fjala e Zotit

 

Aleluja!

Na e trego, o Zot, mëshirën tënde, dhe na e jep shëlbimin tënd.

Aleluja!

 

Ungjilli   Lk 21, 25-28.34-36

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës

Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: “Do të ketë shenja në diell, në hënë e në yje. Mbi tokë popujt do të gjenden ngushtë, të tmerruar prej gjëmës së detit e prej valëve të tija. Njerëzve do t’u dalë shpirti prej frikës dhe pritjes ç’do të ndodhë me botën, sepse trupat qiellorë do të lëkunden e atëherë do ta shohin Birin e njeriut duke ardhur mbi re me fuqi të madhe e me madhëri.

Kur të fillojnë të ndodhin këto, drejtohuni dhe çojeni kryet lart dhe dijeni se është afër çlirimi juaj! Kini kujdes veten që zemrat tuaja të mos kalamenden prej grykësisë, prej shfrenisë e prej kujdeseve të jetës që ajo ditë të mos ju vijë papritmas, sepse ajo ditë do të vijë porsi kurth mbi të gjithë banorët e tokës mbarë. Prandaj, rrini zgjuar e lutuni në çdo moment që të mund t’u shpëtoni të gjitha këtyre që do të ndodhin e të mund të qëndroni para Birit të njeriut.”

Fjala e Zotit

 

POROSIA

Në ditët para Krishtlindjes, Kisha lutet, këndon, me fjalët e Isaisë, profetit më të madh të Besëlidhjes së Vjetër. Shpeshherë, dëgjohen fjalët e britmës, vajtimit ankimit të tij për shpëtim, shëlbim dhe drejtësi. “Vesoni, o qiej, prej së larti vesoni edhe retë le të rigojnë drejtësi; le të hapet toka e le ta lind Shëlbuesin, bashkë me të të lulëzojë drejtësia! Unë, Zoti, gjithçka krijova!” (Is 45,8). Vështirë është që më thjeshtë dhe më bukur të shprehet – nevoja, uria e shpirtit të njeriut për shëlbim dhe për shëlbuesin, pritja e njerëzimit për ta çliruar Zoti nga e keqja, mëkati, padrejtësia, vuajtja… Në atë pritje plot shpresë, na përkujton kjo kohë e ardhjes deri sa ne përgatitemi për ardhjen e Zotit tonë. Adventi, nuk është vetëm e kaluara, pritje kujtimesh ardhjes së Zotit tek ne në ditën e Krishtlindjes së parë. Adventi, është e ardhmja, pritja e asaj që do të vijë; është pritja përfundimtare e ardhjes së Krishtit në fundin e jetës sonë dhe më në fund takimi i jonë me të – Krishtin. Për këtë, na tërheq vërejtjen Kisha, nëpërmes Ungjillit të së dielës sotme, të parë të adventit; i cili dëshiron të na përgatisë për kremtimin e Krishtlindjes, por edhe në takim me të kur të agon dita e fundit: përgatitja për Krishtlindje është përgatitje për amshim. “Krejt ҫka shikojmë është vdekje” (Herakliti). Bota dhe çdo gjë në botë, është e brishtë dhe e thyeshme: vdekja i pritë të gjithë dhe gjithkënd, çdo gjë do ta përpijë kalueshmëria; mbetet i Përjetshmi dhe ne të gjykuar në pavdekshmëri. Me ngjarje të tmerrshme Ungjilli i sotshëm rikthen mendimet tona dhe na tërheq vërejtjen në kalueshmërinë e botës dhe të kohës, por njëkohësisht na drejton gishtin kah amshimi dhe i Amshueshmi, në takimin tonë me të: ungjilli ja tërheqë vërejtjen njeriut që seriozisht ta kupton jetën e vet, thirrjen e vet në jetën e amshuar: që të sjellët me përgjegjësi se është përgjegjës Krijuesit, të jetës andaj ҫdo gjë tjetër nuk ka kurrfarë vlere…

Për këtë arsye duhet të jemi në këto ditë të adventit të përgatitur duke pritur Atë “i cili do të vijë”. Këtë shumë qartë e tregojnë leximet, lutjet dhe këngët. Ҫdo gjë na bënë me dije të jemi gati për pritjen e madhe me Zotin që po vjen… “Keni kujdes veten që zemrat tuaja të mos kalamenden prej grykësisë, prej shfrenisë, prej kujdeseve të jetës, që ajo Ditë të mos ju vije papritmas, sepse ajo ditë do të vije porsi kurth  mbi të gjithë banorët e tokës mbarë” (Lk 21, 34 – 35). Fjalë shumë serioze dhe të vërteta të Krishtit. Jeta është pritje deri sa të vijë Zoti, por pritja nuk do të thotë se duhet të rrimë duarkryq, por të përgatitemi për pritjen, për takimin me Zotin kur edhe fillon lumturia e jonë në amshim.

“Keni kujdes që zemrat tuaja mos të kalamenden”, vërejtje serioze njeriut të ditëve tona. Krishti, sikur ta kishte shikuar kohen tonë kur njeriu është bërë një konsumues i thjeshtë, të mos themi përtypës: thuaj se e ka të vetmin problem ta ketë kuletën e mbushur, grazhdin e plotë, zemrën guri, të helmuar, egoist; shpirtin e zbrazur, e mbush me çka do.

Rregull jetësor i njeriut të ditëve tona është bërë; sa më tepër të ketë, sa më tepër të kënaqet dhe sa më tepër të shpenzoj. Bota sot është bërë shoqëri e egoistëve, e të pangopurve, rrenacakëve e hajdutëve të maskuar, të cilët në çdo mënyrë mbushin kuletat e veta e barkun e vet, e në anën tjetër është një numër i madh i atyre të cilët janë të mashtruar, të plaçkitur e të uritur.

Vëllezër dhe motra, kjo botë nuk është bota e Zotit. Kësaj bote, Zoti i drejtohet me këto fjalë: “keni kujdes që zemrat tuaja mos të kalamenden!” zemër gur – zemër keq. “Prandaj, rrini zgjuar e lutuni në çdo moment që të mund t‘ u shpëtoni të gjitha këtyre që do të ndodhin e të mund të qëndroni para Birit të njeriut” (Lk 21, 36).

Një ditë secili do të dal para Birit të njeriut – për tu takuar me Zotin. Duhet gjithmonë të rrimë të zgjuar të përgatitur për atë botë, për të qenë afër Zotit. Me qenë i zgjuar, vigjilent, me u lutë: mos me u robëruar, verbuar me gjërat e kësaj bote; kujdesi më i madh duhet të jetë: Ati ynë në zemrën time, në shtëpinë time, në jetën time për amshim… Na duhet shtëpia – por ma tepër Zoti – na duhen të hollat por ma tepër lutja, na duhet buka por ma tepër shpirti. Na duhet Zoti, e drejta, dashuria e Atit. “Ardhmëria është e imja”, me vetëbesim thoshte Napoleoni. “Jo zotëri, ajo është e Zotit”, ju përgjigj dikush. Është e njohur ardhmëria e kësaj toke e këtij pushteti, përfundimi i jetës së tij: lufta e fundit – e humbur, dëbimi, burgosja… Ardhmërinë e vet e ka planifikuar pa ndihmën e Zotit – dhe dobët e ka planifikuar. I krishteri lirisht mundet të thotë: “Ardhmëria është e imja” – amshimi është i imi: Vetëm duhet ta planifikojmë me ndihmën e Zotit, me jetën në Zotin: të rrimë zgjuar, e të lutemi.

Vëllezër dhe motra me këto mendime ju urojë një Advent të shenjtë të ecje të mirë shpirtërore për një përgatitje sa më të mirë të takimit tonë me Krishtin, Zot në grazhdin e Betlehemit.

 

LUTJET E BESIMTARËVE

Vëllezër dhe motra,  t‘ ia drejtojmë lutjet tona Hyjit Atë, i cili na vjen në takim për mëshirën dhe dashurinë që ka për ne. T‘ i themi së bashku:

Dëgjoje, o Zot lutjen tonë!

– Ndihmoje, Kishën tënde në krye me papen, ipeshkvijtë, meshtarët, rregulltarët dhe rregulltaret dhe të gjithë ata që janë në shërbim të Ungjillit, që të shenjtërohen çdo ditë të të vërteten tënde dhe të japin fryt për shpëtimin e botës, të lutemi:

– Ndihmoju o Hyj, të gjithë atyre që kanë përgjegjësi që me shumë përkushtim të kryejnë punën e tyre në të mirë të shoqërisë, familjes dhe vëllait njeri, të lutemi:

– Ndriçoj me dritën tënde të gjithë njerëzit që në këtë kohë të Pritjes dhe përgatitjes shpirtërore, të munden të përparojnë në vepra të mira bujarie, mirësie dhe dashurie për takimin me Krishtin, Shëlbues, të lutemi:

– Bashkësisë sate këtu të pranishme o Hyj, dhuroji hire dhe kthim të vërtetë për të ndjek rrugën e predikuar nga Biri yt Jezu Krishti, të lutemi:

– Pranoj, o Hyj në mbretërinë tënde, të gjithë të dashurit tanë që jetuan me shpresë në Ty, të lutemi:

 

O Zot Hyj, Ti na fton që në zgjuarsi të presim ardhjen e Birit tënd. Po të lutemi: na dhuro gëzimin tënd që deri sa kalojmë nëpër tundime dhe vështirësi të kësaj bote, sipas mëshirës sate një ditë të fitojmë lumturinë qiellore, ku Ti jeton e mbretëron me Birin tënd dhe Shpirtin shenjtë Zot, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.

 

Përgatiti: Don Tomë Karrica

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »