ZEMËR VIGJILUESE

Nov 28 • Meditimi i ditës

28 nëntor 2015 – e shtunë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 

Prania e Hyjit

 

Fillo duke marrë frymë thellë, duke pranuar dashurinë e Zotit, dritën e Krishtit, urtinë e Shpirtit të Shenjtë. Nxjerri jashtë të gjitha shqetësimet e tua, sfidat e tua dhe frikën tënde. Gjatë këtyre momenteve reflektoj se çka mund të bëj për t’u përgatitur për Zotin.

 

Liria

 

Lus për hirin e shenjtë

që t`i harroj të gjitha brengat e mia,

që të jem i/e hapur përballë asaj se çfarë kërkon Zoti prej meje,

që t`i lëshohem udhëheqjes së Krijuesit që më do.

 

Ndërgjegjësimi

 

Si po e ndiej veten përnjëmend? I/e pa brengosur? I/e turbulluar?

Ndoshta jam i/e qetë, i/e lumtur pse ekzistoj.

Por ndoshta i/e frustruar, i/e brengosur dhe i/e zemëruar.

E pranoj atë çfarë ndiej përnjëmend.

Sepse Hyji më do pikërisht të tillë siç jam realisht.

 

Fjala

 

Në gjendjen e tanishme të shpirtit përqendrohu në tekstin e sotshëm me mirëbesim, shpresë.

Beso se Shpirti i Shenjtë është i pranishëm

dhe se ai mund të të frymëzojë që ta zbulosh çka po të flet ky tekst i sotshëm.

Lexoje me vëmendje dhe me kuptim; vërja veshin çfarë po ngjanë në zemrën tënde.

 

Lk 21, 34-36

34 “Kini kujdes veten që zemrat tuaja të mos kalamenden prej grykësisë, prej shfrenisë e prej kujdeseve të jetës që ajo Ditë të mos ju vijë papritmas, 35 sepse ajo ditë do të vijë porsi kurth mbi të gjithë banorët e tokës mbarë. 36 Prandaj, rrini zgjuar e lutuni në çdo moment që të mund t’u shpëtoni të gjitha këtyre që do të ndodhin e të mund të qëndroni para Birit të njeriut.”

 

 Ç`dëshiron të më thuash, o Zot?

 

Disa mendime mbi tekstin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

   –   A dyshoj ndonjëherë se jeta ime është sipërfaqësore? Se mos jam në kontakt me pjesën më të thellë të vetes sime? Se më shumë “fiksohem” sesa jetoj duke reflektuar?

  –     Lutja, natyrisht, më ndihmon të rritem në njohjen e vetes sime dhe Zotit. Lutja më fton të udhëtoj përbrenda, deri në “pikën e qetë” të shpirtit. A e pranoj gjithmonë atë thirrje apo më ngujon frika? Apo ndoshta mungesa e besimit?

   –  Është e habitshme se sa e rëndësishme është këshilla e Jezusit lidhur me përgatitjen për Ardhjen e Dytë për jetën tonë të përditshme. Për shembull: “Kini kujdes veten që zemrat tuaja të mos kalamenden prej grykësisë, prej shfrenisë e prej kujdeseve të jetës.” A ka ndonjë gjë në këtë moment që më shmang nga Hyji? A është ajo ndoshta diçka mëkatare, ndoshta jo? A dua që të jem i/e lirë nga kjo barrë? A do ishte Jezusi i gatshëm të më ndihmojë?

·                    “Rrini zgjuar dhe lutuni në çdo moment!”

 

 Bashkëbisedimi

 

Si e kam përjetuar  Fjalën e Zotit? A më ka lënë të ftohtë?

A më ka ngushëlluar apo nxitur të veprojë më ndryshe?

E paramendoj Jezusin ndenjur apo ulur pranë meje,

i drejtohem dhe ia paraqes krejt çfarë ndiej në zemër.

 

Përfundimi

 

Po të falënderoj o Zot për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtyre momenteve të kaluara vetëm me ty.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim ashtu tash

e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »