KOHA E ARDHJES – PËRGATITJA PËR KRISHTLINDJE

Nov 29 • Këndvështrime

Nga Don Agim Qerkini

 

Koha e Ardhjes, për katër javë rresht, në mënyrë të veçantë, është kohë e pritjes së lindjes së Mesisë në Betlehem, pra kohë e një përgatitjeje më intensive për Krishtlindje. Ndër porositë më thelbësore që e karakterizojnë këtë kohë, veçohen ajo e pritjes me kujdes të ardhjes së Birit të Hyjit. Ato, vijnë në shprehje, veçmas në porosinë e Ungjillit të së dielave që përmblidhen në këto: E diela e parë e Ardhjes na fton: “Rrini zgjuar”; pastaj, thirrja e Gjon Pagëzuesit: “përgatitni udhën e Zotit” (e diela e dytë e Ardhjes), Koha mesianike si kohë gëzimi, pra, Krishti në mesin tonë (e diela e tretë), dhe së fundmi, java e katërt e Ardhjes na flet mbi: Mishërimin i Fjalës së Zotit.

E gjithë kjo periudhë kohore, është e përshkuar në frymën e një pritjeje me shpresë. Në fakt, shpresa është një aspekt i fesë që është i lidhur ngushtë me virtytin e dashurisë. Zoti është Dashuri, prandaj mëson dhe qorton njerëzit: “Rrini zgjuar, sepse nuk e dini kur do të vijë ai çast.” 

Në këtë Kohë të Shenjtë, përderisa përgatitemi për festën e Lindjes së Shëlbuesit tonë Jezu Krishtit, Kisha e shenjtë, na inspiron në liturgjinë shenjtë, ndër tjera, me pjesë të leximeve nga Besëlidhja e Vjetër, posaçërisht nga Isaia profetë, i cili predikoi ardhjen e Mesisë. Kur studiojmë profecitë e Besëlidhjes së Vjetër që kanë të bëjnë me Mesinë, vjen në dukje një harmonizim shumë i mirë në mes Besëlidhjes së Vjetër dhe Besëlidhjes së Re. Në BV, hasim në premtimet e Zotit, të paralajmëruara nga profetët, ndërsa në BR ato bëhen realitet.

Premtimin e parë të Zotit, se do ta dërgonte Mesinë, e gjejmë menjëherë pas mëkatit të parë të Adamit dhe Evës, në librin e Zanafillës: “Armiqësi do të vë ndërmjet teje e gruas, ndërmjet farës sate e farës së saj: fara e saj do ta ndrydhë kokën, kurse ti do t’ia sulmosh thembrën” (Zan 3,15). Më tutje, qindra vjet para ardhjes së Krishtit, Isaia profet flet për ngjizjen dhe lindjen e Mesisë: “Ja, virgjëra do të ngjizë e do të lindë një djalë e për emër do ta quaj Emanuel!” (Is 7,14). Këto fjalë të profetit do të përsëriten gati njëjtë edhe prej Engjëllit Gabriel: “ Mos ki frikë, o Mari, sepse ke gjetur hir para Hyjit! Ja, do të mbetesh shtatzënë e do të qitësh në dritë një djalë e ngjitja emrin Jezus” (Lk 1, 30-31).

Në kohën e Ardhjes, e pritjes së Zotërisë që po vjen, heshtja dhe meditimi janë disa prej mundësive që na ofrohen si përgatitje për ta takuar Zotin. Ardhja, është një kohë e veçantë dhe e volitshme për të kultivuar disa dimensione të jetës për të cilat ndoshta gjatë vitit nuk angazhohemi sa duhet. Njerëzit e Kohës së Ardhjes janë njerëzit që dëshirojnë dhe presin, që dinë të kërkojnë ri-zgjimin, apo të dalin fitues nga rreziku i jetës së përgjumur.

Në kontekstin e thirrjes “rrini zgjuar”, duhet të merremi me Shkrimin Shenjt dhe të lejojmë që të na flet Fjala e Zotit. Pra, kjo kohë është kohë e dëgjimit të porosisë së Zotit, i cili, na vjen në takim. Ai na dhurohet ndërsa ne e pranojmë Atë si jetën e re që po lind, krijimin e ri, që tani është apo është duke ardhur.

Thirrja e Jezusit: rrini zgjuar, duhet të zgjojë në ne vullnetin për ndryshim. Jo të ankohemi për gjendjen në të cilën gjendemi, por të angazhohemi drejt një përmirësimi të vazhdueshëm, i cili do të rezultojë me ndjenjën e gëzimit dhe të fitores: ngadhënjimit mbi veset e këqija.

Në kohën e Ardhjes, jemi të thirrur ta zgjojmë në vete shpresën, e cila na bën të aftë që ta dallojmë të mirën te të afërmit tanë.

Kuptimi i Shpresës nuk është që ta dimë ditën e Ardhjes, por ta jetojmë Ungjillin në pritje të Zotërisë.

Mjafton të kuptojmë se me lindjen e Krishtit fillon të konkretizohet historia e shëlbimit. Në këtë ditë të madhe, njerëzimi takohet me Zotin. Ky takim apo kjo lidhshmëri vazhdon të jetojë, të aktualizohet sa herë kremtojmë sakramentet shenjta, prandaj, edhe me këtë rast na bëhet thirrje ta praktikojmë jetën sakramentale. Kështu do të ushqehet dhe fisnikërohet shpirti ynë, por edhe do të bëhemi të denjë për shijimin e të mirave që na dhuron Zoti.

Takimi me Jezusin, është një takim që e ndryshon jetën- i jep kuptim asaj- e shuan frikën dhe sjell paqe. “Ti je i madh, o Zot, e i denjë për lavdi (…) Na ke bërë për vete dhe zemra jonë nuk ka pushim derisa mos të pushojë në ty” (Shën Augustini). Takimi me Jezusin është përvojë jetësore.

Dashtë Zoti, kjo kohë e Ardhjes, për të gjithë ne, të jetë kohë e një veprimi më aktiv në jetën shpirtërore, për një përgatitje sa më të denjë për festat e Krishtlindjes.

“Zoti, Fjalën e tij të fundit, më të thellën, më të bukurën, Fjalën e mishëruar në botë, e tha me shpirt. Dhe kjo Fjalë domethënë: Unë ty të dua, ty botë dhe ty njeri. Po, ndizni qirinjtë/dritat! Ato kanë më shumë të drejtë se krejt errësira.”  (Karl Rahner)

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »