ZOTI VJEN NË HISTORI, SAKRAMENTE DHE LAVDI

Nov 29 • Meditimi i ditës

29 nëntor 2015 – e diela 1-rë e Ardhjes (C), MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 

Prania e Hyjit

 

Duke filluar këtë tërheqje të shkurtër shpirtërore pusho një moment duke i lënë anash shpërqendrimet, brengat.

Merr frymë mirë, thellë dhe njihe se je në praninë e dashur të Zotit.

 

Liria

 

O Zot, më ke krijuar që të jetoj në liri.

Shpesh herë lehtë e pranoj dhe e marrë këtë dhuratë.

Më frymëzo që të jetoj në lirinë që e ke parashikuar për mua,

me një zemër të pangarkuar dhe me një besim të plotë në ty.

 

Ndërgjegjësimi

 

Të jesh i vetëdijshëm për diçka do të thotë këtë edhe ta vëresh.

O Zot, më ndihmo që gjithmonë të jem i/e vetëdijshëm/e se ma ke dhuruar jetën;

Faleminderit për këtë dhuratë të jetës.

Më mëso se si të përqendrohem dhe të jem i/e qetë dhe të kënaqem në sendet që i ke krijuar për mua.

Ta vërej bukurinë që më rrethon,

mrekullitë e majave të maleve, qetësinë e liqenit, thyeshmërinë e gjethes së lules…

Gjithmonë duhet qenë i/e vetëdijshëm se të gjitha këto vijnë prej teje.

 

Fjala

 

Hyji i flet çdonjërit prej nesh personalisht.
Duhet të përgjoj në mënyrë që të dëgjoj çfarë dëshiron të më thotë.
Do ta lexoj tekstin disa herë, pastaj do të dëgjoj…

 

Lk 21, 25-28.34-36

 

25 “Do të ketë shenja në diell, në hënë e në yje. Mbi tokë popujt do të gjenden ngushtë, të tmerruar prej gjëmës së detit e prej valëve të tij. 26 Njerëzve do t’u dalë shpirti prej frikës dhe pritjes ç’do të ndodhë me botën, sepse ‘trupat qiellorë do të lëkunden’ 27 e atëherë ‘do ta shohin Birin e njeriut duke ardhur mbi re’ me fuqi të madhe e me madhëri.

28 Kur të fillojnë të ndodhin këto, drejtohuni dhe çojeni kokën lart dhe dijeni se është afër çlirimi juaj!”

34 “Kini kujdes veten që zemrat tuaja të mos kalamenden prej grykësisë, prej shfrenisë e prej kujdeseve të jetës që ajo Ditë të mos ju vijë papritmas, 35 sepse ajo ditë do të vijë porsi kurth mbi të gjithë banorët e tokës mbarë. 36 Prandaj, rrini zgjuar e lutuni në çdo moment që të mund t’u shpëtoni të gjitha këtyre që do të ndodhin e të mund të qëndroni para Birit të njeriut.”

 

Çfarë dëshiron të më thuash, Zotëri?

 

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:



– Koha e Ardhjes është një kohë shprese dhe pritjeje. Jemi të thirrur të lutemi me gëzim për ardhjen e Krishtit. Ai vjen në histori (ngjizja dhe lindja), në mister (në sakramente, veçanërisht në Eukaristi) në lavdi (dita e fundit).

    – Në javët e para të Ardhjes theksi është në ardhjen e tretë, në lavdi. Prandaj, ja ku e kemi Ungjillin e sotëm mbi të cilin kemi lutur këto ditë. Viti i vjetër liturgjik ka përfunduar– ka filluar një i ri, të vetëdijshëm për ardhjen finale të Zotit në fund të kohës. I gëzohemi kësaj me pjesëmarrje të gëzueshme, dhe jo me frikë.

– Si takohen tri ardhje te Krishtit me jetën time? A dua ta thelloj vetëdijen time për to kur të kaloj nëpër kohën e Ardhjes? Sa e fortë është shpresa ime?

 

Bashkëbisedimi

 

Ç`ndodh në mua kur lus?

A jam i ngushëlluar, i/e shqetësuar, apo indiferent/e?

E paramendoj Jezusin se si është duke qëndruar apo është ulur pranë meje

dhe ia paraqes të gjitha çfarë ndjej.

 

Përfundimi

 

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe të lutjes mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »