JEZUSI, UNË DHE ATA TE TË CILËT MË DËRGON AI

Nov 30 • Meditimi i ditës

30 nëntor 2015 – e hënë, Shën Andreu Apostull, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 

Prania e Hyjit

 

Në pikën e qetë të botës sime në lëvizje,
në thelbin e qenies sime,
pres ta dëgjoj dhe ta ndiej praninë e butë të Hyjit
i cili më thërret ta hap zemrën dhe të lejoj të shkoj tek Ai.
A mund të shkoj në atë vend ku po më thërret Hyji?

 

Liria

 

Lus për hirin e shenjtë

që t`i harroj të gjitha brengat e mia,

që të jem i/e hapur përballë asaj se çfarë kërkon Zoti prej meje,

që t`i lëshohem udhëheqjes së Krijuesit që më do.

 

Ndërgjegjësimi

 

Si po e ndiej veten përnjëmend? I/e pa brengosur? I/e turbulluar?

Ndoshta jam i/e qetë, i/e lumtur pse ekzistoj.

Por ndoshta i/e frustruar, i/e brengosur dhe i/e zemëruar.

E pranoj atë çfarë ndiej përnjëmend.

Sepse Hyji më do pikërisht të tillë siç jam realisht.

 

Fjala

 

Në gjendjen e tanishme të shpirtit përqendrohu në tekstin e sotshëm me mirëbesim, shpresë.

Beso se Shpirti i Shenjtë është i pranishëm

dhe se ai mund të të frymëzojë që ta zbulosh çka po të flet ky tekst i sotshëm.

Lexoje me vëmendje dhe me kuptim; vërja veshin çfarë po ngjanë në zemrën tënde.

 

Mt 4, 18-22

 

18 Ndërsa Jezusi po ecte afër Detit të Galilesë, pa dy vëllezër ‑ Simonin që quhet Pjetër dhe Andreun, të vëllanë e tij, duke hedhur rrjetën në det: ishin peshkatarë. 19 E u tha: “Ejani pas meje e unë do t’ju bëj peshkatarë njerëzish!”

20 Ata menjëherë lanë rrjetat e shkuan pas tij.

21 Duke vazhduar rrugën më tej, pa dy vëllëzër të tjerë, Jakobin e Zebedeut dhe Gjonin, vëllain e tij, në lundër bashkë me Zebedeun, atin e tyre, duke rregulluar rrjetat dhe i thirri. 22 Ata aty për aty lanë lundrën dhe babain e shkuan pas tij.

 

Ç`dëshiron të më thuash, o Zot?

 

Disa mendime mbi tekstin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

– Kjo skenë na ofron paradigmën e mënyrës se si Jezusi e thërret secilin prej nesh. Vë re se si i niciativa është krejt e tija. Tek Marku 3, 13 lexojmë: “Ai i thirri ata që deshi vetë.” Jezusi dëshiron që ti dhe unë ta ndjekim atë jo vetëm si bashkudhëtarë por bashkëpjesëmarrës në misionin e tij. “Unë do t’ju bëj peshkatarë njerëzish.”

– Përshpirtëria e krishterë nuk është vetëm`Jezusi dhe unë’ por ‘Jezusi, unë dhe ata te të cilët më dërgon ai.` Secili prej nesh është një peshkatar, dëshmitar, profet, ungjillëzues, shërues, lajmëtar i Lajmit të mirë.

– Si është ndier Andreu kur e dëgjoi thirrjen e tij? Me emocione të përziera? Apo, megjithatë, i kënaqur që ai u zgjodh (të gjithë duam të jemi të kërkuar, apo jo?)? Apo ndoshta ishte pak në mëdyshje t`i braktiste gjërat për jetesë?

– Cili është çmimi për mua “për të qenë një dishepull” i Jezusit? A duhet të lë, të braktis diçka?

 

Bashkëbisedimi

 

Jezus, ti na thërret që të shkojmë pas teje dhe ta kompletojmë veprën tënde mbi tokë. Më ndihmo të shkoj përtej zonës sime të rehatisë dhe të jap fryt në shërbimin tënd

 

Përfundimi

 

Po të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtyre momenteve të kaluara vetëm me ty.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim ashtu tash

e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »