PËR NJË REPUBLIKË TË NDËRGJEGJES

Nov 30 • Opinion

Nga Ndue UKAJ

Fati i popullit të Kosovës, vazhdon të vërtitet rreth politikës. Në sfondin e së cilës, vërtiten fate njerëzish, në një betejë tashmë të gjatë për Republikë. Dikur –  jo shumë vite më parë, atë e kishim të thadruar në zemra dhe në ndërgjegje tonë. E kishim ta ndaluar, por e shkruanim ku mundeshim. Në tokë, në mure e nëpër shkolla. Besonim në të, dhe askush s’mund të na ndalte, edhe kur ndëshkoheshim për veprime të tilla.  Nuk u zmbrapsem nga aspirata, derisa e realizuam atë. Dhe për këtë qëllim, u sakrifikua shumë: jetë të tëra njerëzish.

Sot, Republikën e kemi. Të brishtë, me tensione të brendshme, me armiq përreth, me telashe, dhe të mbizotëruar nga një klasë politike me defekte të shumta.

Pa mëdyshje: Republika jonë, ka telashe të shumta. I ngjan një foshnje që mësohet me jetën. Po lëvizë ngadalë, por mund të rrëzohet dhe të lëndohet keq. Atëherë, pasojat mund të jenë të pariparueshme. Defektet e pashërueshme.

Republika jonë, është e brishtë, po. Por është. Ndaj, nuk duhet ta zhbëjmë. Si e tillë çfarë është, duhet ta ruajmë. Gjithë jemi të vetëdijshëm se aspirata për një republikë humane e të mirëqenies, ende është larg. Mu për këtë arsye, kërkohet dialogu, si formë e vetme që njeh demokracia për ta tejkaluar ngërçe të çfarëdollojshme politike.

Kosova, po kalon një situatë të rënduar e të zymtë, në të cilën, qytetarët kanë mbetur si spektatorë të një teatri absurd. Dhe me një dëshirë të vetme: të ikin nga ky vend. Ndaj, politikanë, ndaluni dhe mos lejoni t’iu ikë arsyeja. “Demokracia është dialog dhe dialogu hap portat e paqes”-shkruante nobelisti i letërsisë, meksikani Octavio Paz në eseun “Historia si dialog.” Kjo është aksiomë për shoqëritë e përparuara. Prandaj, nëse vërtet doni demokraci, republikë e vlera europiane, atëherë pa kushte, hyni në dialog. Ndaluni pak dhe mësoni nga historia. Humusi ynë politik ka prodhuar përgjatë historisë gjithfarë karikaturash politike. Heronj e kundërheronj. Ka prodhuar ideologji e kundërideologji. Republikë e kundërrepublikë. 

Veç një gjë s’e kemi arritur: Republikën e Ndërgjegjes.  Bëjeni këtë. Thirreni arsyen. Dhe mos lejoni të hyni në histori të tillë çfarë s’dëshironi.  Pa e formuar Republikën e Ndërgjegjes, agonia, tymi i zi dhe gjëmat s’do të na ndalen. Ndaluni dhe vëni gishtin në kohë: është koha për këtë Republikë, për të gjithë, pa përjashtim. Për të mirën e përbashkët.

Shoqëria jonë e fragmentuar, me probleme të trashëguara brez pas brezi, pa ndonjë traditë në punët e shtetit e të demokracisë, pa elita të mirëfillta politike, pa ekonomi të fuqishme e stabile, me institucione të brishta të dijes, me shumë kundërshtarë të jashtëm, duhet të gjejë tema të përbashkëta rreth së cilave duhet konsensus i domosdoshëm. Asnjëherë s’duhet të harrojmë: edhe sikur të ishim e bashkuar, përballë sfidave të shumta që kemi përpara, krizës globale, jemi shumë e pafuqishme. Të fragmentuar, vetëm një gjë e kem të sigurt: dëshpërimin, kotësinë dhe agoninë.  T’ia fillojmë të besojmë se e mira e mposhtë të keqen. Së paku për të justifikuar mendimin e vlefshëm të Frang Bardhit dhe shumë të diturve tjerë, se: “në errësirë edhe pak dritë vlen e premton shumë.” Shoqëritë e emancipuara, besojnë në këtë. Pra, është koha e fundit për një Republikë të Ndërgjegjes. Ndaj, thirreni arsyen. Beteja me vringëllimë shpatash, është e pështirë, neveritëse dhe e pakuptimtë. Pa fitues dhe me humbës të shumtë.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »