LUM SYTË QË SHOHIN ÇKA PO SHIHNI JU

Dec 1 • Meditimi i ditës

 1 dhjetor 2015 – E martë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 

Prania e Hyjit

 

Gjatë kohës që jam ulur këtu, rrahjet e zemrës sime, ritmi i frymëmarrjes, lëvizjet e mendjes,

të gjitha këto janë shenja se Hyji më krijon vazhdimisht.

Ndalem një moment dhe ndërgjegjësohem për këtë prani të Hyjit në mua.

 

Liria

 

Po të donte Hyji të më thoshte diçka, a do të mund ta dëgjoja?
Po të dëshironte të më jepte zemër dhe të më sfidonte, a do të mund këtë ta vëreja?
Lus për hirin e çlirimit nga brengat personale
dhe të jem i/e hapur se çka dëshiron Zoti të më komunikojë.

 

Ndërgjegjësimi

 

O Zot, ma ke dhënë natën për pushim dhe fjetje.

Në momentet e mia kur jam zgjuar kurrë mos e harrofsha mirësinë tënde.

Më mëso që bekimin tënd ta ndaj me të tjerët.

 

Fjala

 

Hyji i flet çdonjërit prej nesh personalisht.
Duhet të përgjoj në mënyrë që të dëgjoj çfarë dëshiron të më thotë.
Do ta lexoj tekstin disa herë, pastaj do të dëgjoj…

 

Lk 10, 21-24

 

21 Atëherë Jezusi, nën ndikimin e Shpirtit Shenjt, klithi plot hare:

“Të madhëroj, o Atë, Zotërues i qiellit e i tokës, pse ua fshehe këto të urtëve e të mençurve e ua zbulove të vegjëlve!

Po, o Atë, pse ty të pëlqeu kështu!

22 Gjithçka më dorëzoi im Atë!

Askush nuk e di kush është Biri, përveç Atit,

dhe kush është Ati, përveç Birit

dhe atij, kujt Biri do t’ia zbulojë.”

23 Pastaj u kthye kah nxënësit dhe u tha atyre veçanërisht:

“Lum sytë që shohin çka po shihni ju!

24 Juve po ju them: shumë profetë e mbretër dëshiruan të shohin çka po shihni ju, por nuk panë; të dëgjojnë çka po dëgjoni ju, por nuk patën fat të dëgjojnë.”

 

Çka dëshiron të më thuash, Zotëri?

 

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

   – Jezusi gëzohet që janë kthyer të shtatëdhjetët të cilët i kishte dërguar. Janë tepër të gëzuar për shkak të gjërave të mëdha që i kishin bërë në emër të tij. Sa herë që e përhap fjalën e Zotit kam pjesë në misionin e Jezusit, dhe kjo duhet të më japë gëzim të madh.

– Ndjenja jonë është, çuditërisht, më e fortë kur jemi si fëmijë dhe kur e gjithë bota është e re. Me t`u rritur dhe plakur bëhemi gjithnjë e më të shqetësuar. Kemi sy, por nuk shohim, kemi veshë, por nuk dëgjojmë.

 – Do t’i lutem Shpirtit Shenjt që të më bëjë më të ndjeshëm/e ndaj zbulesës, dëftimit të Zotit në ngjarje te përditshme të jetës sime.

 

Bashkëbisedimi

 

O Zot i dashur, ji pranë meje gjithmonë.

Ma jep një zemër e cila gjithmonë do të të besojë.

Faleminderit që më do.

 

Përfundimi

 

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe të lutjes mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »