Njohja e vetes për të njohur e kuptuar më mirë tjetrin

Dec 1 • Opinion

 Nga M. Franciska (Suzana) LEKAJ

Sot, më shumë se  kurrë, është e nevojshme që njeriu të njohë veten, pasi që, duket që njeriu i sotëm më shumë është i prirur të njohë e më mirë plantët, trupat qiellorë, teknologjinë, gjërat që janë jashtë tij – gjërat e një bote shumë komplekse – sesa njohjen e unit të vet, duke mbetur kështu skllav në rrjetën e merimangës së botës dinamike, që rrotullohet vetëm brenda saj, dhe që nuk e lejon njeriun t’i kushtojë rëndësi njohjes së vetes, edhe pse kjo e fundit është shumë e rëndësishme.

Njihe veten tënde, është një porosi të cilën e gjejmë edhe në shkrimet e Sokratit. Një porosi, këshillë që filozofi ia sugjeron njeriut. Njohja e vetes, është një art që kërkon kohë dhe angazhim. Kuptohet: njeriu nuk mund të thotë për një kohë të shkurtër se unë  kam arritur të njoh veten. Ky është një mashtrim që njeriu ia bënë vetes sepse njohja e vetes është një proces i vazhdueshëm, ngase njeriu nuk është qenie statike, por është  një qenie jo statike që do të thotë ai dhe sjelljet e tij mund të ndryshojnë vazhdimisht.

Njoha e vetes, është një art më vete, e siç e dimë për të krijuar një art të mirë kërkohet kohë, vullnet, angazhim e gjithashtu edhe mjete ose ngjyra. Kështu ndodh edhe me njohjen e vetes. Kjo nuk mund të arrihet për një kohë të shkurtër, e nuk mund ta bëjmë vetëm pa përfshirë tjetrin. Gjithashtu, për të njohur më mirë dhe për të kuptuar se kush jemi kërkohet t’i tregojmë vetes historinë tonë. Ajo nuk arrihet vetëm duke lexuar libra psikologjikë, filozofikë, por duke e lejuar veten që të ndihmohemi nga të tjerët e pse jo, edhe nga ata që  janë kompetentë në këtë aspekt.

Njeriu, sado që të mundohet ta njohë veten e tij, ajo mbetet e panjohur për të. Erich Fromm thotë: njeriu ka për detyrë ta njohë veten e ta kërkojë të vërtetën, ai nuk mund të mbesë human në qoftë se nuk ia arrin kësaj detyre. Pra,  kërkohet që ai  të jetë në gjendje të dallojë të mirën dhe të keqen, të mësojë të dëgjojë zërin e ndërgjegjes, zërin e brendshëm dhe të jetë i aftë që ta ndjekë këtë zë të brendshëm të zemrës së tij.

Sipas psikologut Sigmund Freud, shkaku i madh i sëmundjeve të shumta psikologjike, është mosnjohja e vetvetes ose frika e njohjes së vetes, njohjes së emocioneve, impulseve, kujtimeve, aftësive e mundësive. Njohja e vetes, ka të bëjë me marrjen parasysh jo vetëm të anës më të mirë të vetvetes por edhe me anën e kufizimeve. E rëndësishme është që të dimë ta pranojmë veten tërësisht, dhe jo të kërkojmë një përforcim të jashtëm apo të vendosim disa maska sipas rasteve, për të zbukuruar apo për të fshehur atë që është në realitet.

Njohja e vetes, nuk funksionon duke u nisur vetëm nga mendja, por kërkohet përfshirja totale e saj: mendja, shpirti, trupi. Kjo është një detyrë thelbësore e ekzistencës njerëzore. Gjë që fitohet duke u shfaqur për atë që ndjejmë e për atë që jemi e jo për atë që kemi. Çka do të thotë është e nevojshme të bëhet një vlerësim i drejtë i asaj se kush jemi në të vërtetë. E kjo varet nga gjendja jonë  e brendshme apo nga vlerësimi që ne i bëjmë vetës.

Për çdo njeri kërkohet të jetë vetvetja dhe të gjejë në vetvete atë që ka më të mirë e më të rëndësishme. Papa Gjon Pali II në vitin 2000 ju drejtua të rinjve duke iu thënë: Nëse do të jeni ata që kërkohet të jeni do ta ndizni botën flakë. Kështu që nëse njeriu është ose angazhohet të jete ai që duhet të jetë, jeta, e marrëdhëniet me tjetrin do të jenë ndryshe. Të njohim veten tonë si vazhdimësi, që ka të kaluarën të tashmen dhe të ardhmen, dhe ta shikojmë veten tonë si qenie individuale të veçantë dhe të ndryshme. Pra si një qenie e mrekullueshme.

Përse është e nevojshme që njeriu të njohë veten?

Interesimi  dhe nevoja e njohjes së vetes është aq e vjetër sa vetë njeriu. Njohja e vetes është e nevojshme, pasi askush nuk mund ta njohë njeriun më mirë së vetja e tij. Ai, nga  të tjerët njihet përmes sjelljes, qëndrimeve por është shumë e vështirë të njihet gjendja e  tij e brendshme, madje atë pjesë të errët që njeriu nuk e shfaq asnjëherë mundohet ta maskojë edhe pse e njeh mirë. Njeriu e njeh veten, jo vetëm duke shikuar brenda saj, por edhe nga mënyra se si e shikojnë të tjerët, e kështu, njeriu mund të krijojë atë njohjen më të thellë. Mosnjohja e  vetes- ose e unit personal dhe aq me tepër injorimi i tij, herët a vonë e fut njeriun në një qorrsokak emocional.

Njeriu, duhet të punojë për të njohur veten. Ai që ka punuar për të njohur veten, dhe që e ka mbërritur këtë nivel, ka kaq shumë për të thënë saqë nganjëherë duket pothuajse si një racë e ndryshme e qenies njerëzore. Ai që angazhohet, në njohjen e vetes është një njeri që ka raporte të mira me veten, është ai që i jep më shumë rëndësi vlerave të brendshme shpirtërore e intelektuale dhe jo paraqitjes së jashtme, është ai që di ta respektojë dhe ta pranojë tjetrin ashtu si është. Kështu që, njohja e vetes nuk mund të mos japë fryte përball të tjerëve.

Shumë studime thonë se, zhvillimi i njohjes së vetes, është i mundur vetëm kur njeriu arrin fazën e të menduarit formal operativ në zhvillimin konjiktiv, pra është faza kur personi ndërgjegjësohet për veten dhe se është personi që nuk ndalet duke i bërë pyetje vetes: Kush jam unë? Çfarë tipi jam unë?Cilat janë vlerat e mia? Cilat janë veset e mia? A jam ajo\ai që vërtet mendoj se jam apo jam ajo\ai që paraqes të kundërtën e saj? Çfarë është parësore për mua? Të jem apo të kem?Çfarë dëshiroj të ndryshoj ne vetvete? Kush dëshiroj të jem? Cili është ideali im? E shumë pyetje të tjera. Nuk është e lehtë të japësh përgjigje për konceptin e gabuar se është shumë vështirë të njohësh veten por për një realitet shumë më pranë vetes. Pyetjeve të tilla, nuk mund t’iu përgjigjemi vetëm një herë sepse thamë se njohja e vetes është një proces dhe se qenia njerëzore është jo statike, por kërkohet që gjithmonë të gjejmë përgjigje e për këtë thuhet se të njohësh veten nuk është e thjeshtë e nuk është e lehtë, mirëpo nuk është e pamundur. Për të njohur veten mund të jetë e vështire për atë person që ka zhvilluar në një formë të theksuar egocentrizmin. Pra, njohja e vetes është një proces i vazhdueshëm që nuk ka kohë por kërkohet të fillohet  tani e këtu. Shpesh herë shohim veten në pasqyrë, por a mund të themi që ky është një pasqyrim real?!

Secili njeri zotëron disa cilësi karakteri që e bëjnë unik, e janë pikërisht ato që krijojnë personalitetin. Për të njohur veten kërkohet që të jemi real me veten. E për të qenë real, kërkohet të lidhim botën e brendshëm me të jashtmen. Vëzhgimi i vetes me syrin e një spektatori të jashtëm, është arti për të zhdramatizuar dhe për t’i parë në mënyrë objektive përjetimet tona. Shpesh njeriu nuk është i sigurt se kush është, dyshon për veten e vetëbefasohet nga vlerat dhe sjelljet që shfaq pa menduar. Në qoftë se njeriu nuk e kupton brendësinë e vet, e ka të pamundur të marrë vesh atë se çfarë ndodh jashtë saj, e gjithashtu e ka të pamundur të kuptojë tjetrin. Njohja e vetes është art,  është rruga e  shërimit.

Sipas psikologëve, njeriu ka në vete gjashtë vetë të ndryshëm: njeriu që jemi; njeriu që mendojmë se jemi; njeriu që të tjerët mendojnë se jemi; njeriu që mendojmë se të tjerët mendojnë se jemi: njeriu që duam të bëhemi dhe njeriu që mendojmë se të tjerët duan  të bëhemi. Kurse nga studimi i dy kërkuesve amerikan Josepf Luft dhe Harry Ingham  është arritur në një konkluzionin dhe kanë nxjerrë një skemë që quhet skema e Joharit ku thuhet  se: Uni i njeriut përbëhet prej katër Une-ve si:

Uni i hapur (i njohur për personin dhe të tjerët) Kjo fushë përfshin  gjithçka që me vetëdije personi e vlerëson. Kjo është fusha e personalitetit në të cilën njeriu shpalos vlerat e vërteta. Kush arrin të hapë mjaftueshëm këtë dritare  të unit arrin të fitojë edhe besimin e te tjerëve, arrin suksese dhe të tjerët e pranojnë.

Uni i verbër ( i njohur për të tjerët) Uni i verbër përfshin shumë dukuri që për personin nuk janë të njohura por që të tjerëve u bien në sy pa i vërejtur vetë personi ato. Pra ato gjëra që të tjerët i dinë për personin, por që vetë personi nuk arrin t’i dijë ose nuk dëshiron t’i dijë. “Nuk më intereson çfarë mendojnë të tjerët për mua.”Kjo është një frazë e njerëzve që timonin e tyre e drejton uni i verbër.

Uni i fshehur ( i njohur vetëm nga personi e i panjohur për të tjerët.) secili e posedon këtë fushë që  dëshirat sekretet, ndjenjat nuk ia beson askujt. Dëshirat, mendimet, ndjenjat  nuk duhet t’i dijë askush  e kështu personi mundohet t’i fshehë prapa një maske mbrojtëse të brendshme.

Uni i pavetëdijshëm (i panjohur për vetë personin edhe prej të tjerët), aty është mënyra e sjelljes të cilën individi vështirë ose nuk mund ta kontrollojë aspak. Janë njohuritë e pashfrytëzuara, talenti përvoja jetësore e kultivuar që nga fëmijëria, që më vonë bëhet edhe pasqyrë e vetive të personalitetit.

Njohja e vetvetes është shumë e rëndësishme sepse na ndihmon të ndërtojmë siguri në vetvete, na ndihmon të përballojmë jetën pa u tërhequr prej saj gjithashtu na ndihmon ta kuptojmë tjetrin më lehtë dhe gjithashtu, na ndihmon të kemi një vetëvlerësim më pozitiv dhe real.

Njeriu më i palumtur në botë është ai që lakmon të mos jetë ai që është aq sa edhe shpirtin edhe trupin dëshiron t’ia përshtasë vetes imagjinare dhe jo reale. William Xheims ka thënë: Dallim i madh është, në mes të asaj  se çfarë jemi dhe çfarë do të duhej të jemi. Ta njohim veten do të thotë ta pranojmë veten tonë me pozitiven dhe negativen që është tek ne. Mos të kemi frikë nga njohja e vetvetes, edhe pse nganjëherë është e vështirë dhe e lodhshme mos të dorëzohemi, por të vazhdojmë me këmbëngulje duke thënë: Kush jam unë?

Erich Fromm thotë: Në qoftë se njeriu dëshiron të ketë mirëbesim tek vlerat ai duhet ta njohë vetveten dhe aftësitë e natyrës së tij  për mirësi dhe frytshmëri.

Njihe veten!!!

REFERENCA

Cencini A., Maneti A., Psikologia e Formazione, Bologna 1997

Tamo A., Këshillimi dhe psikoterapia, Tiranë 2007

Dragoti E., Psikologjia sociale, Tiranë 1999

Maslow A,. Drejt psikologjis së qenies, Tiranë 2008

Shpërndaje

Comments are closed.

« »