Simbole: Rorate – Mesha e agimit

Koha e Ardhjes, përveç kurorës prej katër qirinjve, dekorimeve të tjera festive, ngjyrës liturgjike, ajo veçohet për meshët e hershme në mëngjes, të njohura si meshët e agimit.

Këndej, asnjë meshë gjatë ditëve të javës nuk është aq e dashur sa mesha e agimit në kohën e Ardhjes. Atmosfera e ngrohtë me qirinj na disponon të gjithëve për kremtim sa më të mirë të këtyre meshëve. Ato kremtohen më së shpeshti në orën 6, por varësisht prej kushteve edhe një orë më herët apo më vonë.

Ato kanë edhe karakter pendese, sepse besimtarët duhet të zgjohen herët që të mbërrijnë në kishë.

Mesha e hershme në mëngjes, bashkon në kishë të rinj dhe të moshuar për të kremtuar meshën e agimit. Ndalen dritat elektrike, ndërsa flaka e qirinjve krijon atmosferë festive. Drita e qiriut rrezaton siguri, edhe pse jashtë ende është errësirë dhe bën ftohtë.

Meshët e agimit janë të njohura, sidomos në mesin e të krishterëve të rinj. Kjo meshë do të thotë më shumë se, thjeshtë të zhytesh në një atmosferë të bukur, të thellë meditimi, dhe që të fillosh ditën me këtë orë të bekuar. Thirrja që i dha emrin kësaj meshe është “Rorate coeli desuper, et nubes pluant justum!”

 

Mesha në nder të Zojës bekuar

eshët e agimit fillesën e vet e kanë në mesjetë. Gjatë këtyre kremtimeve, populli ka krijuar edhe këngë të veçanta të Ardhjes, tekstet e të cilave paraqesin profeci të ndryshme biblike për ardhjen e Krishtit, e sidomos e përshkruajnë rolin e Zojës së Bekuar, duke e quajtur me emrat më të bukur, për shkak të rolit të saj amnor, dhe për ngjarjen e ardhjes së Krishtit.

Nëna e Krishtit është, përveç Gjon Pagëzuesit, personi kryesor të cilin Kisha na e paraqet me rastin e përgatitjes për Krishtlindje.

Ajo na tregon se për Krishtlindje Zoti i vjen në takim njeriut, por Zoti pret edhe ardhjen e njeriut në takim me Të.

Që nga origjina e saj Mesha e agimit kremtohet në nderim të Zojës së bekuar. Mesha, gjatë kohës së Ardhjes në nder të Zojës, por edhe ajo e të dielës së katërt të Ardhjes fillon me fjalët “Rorate coeli …”. Këto vargje janë marrë nga libri i Isaisë profet: “Vesoni, o qiej, prej së larti vesoni edhe retë le të rigojnë drejtësinë; le të hapet toka e le ta lindë Shëlbuesin, bashkë me të të lulëzojë drejtësia! Unë, Zoti, gjithçka krijova!” (Is 45, 8).


Toka nënë si një imazh për Marinë

Nëntë muaj para Krishtlindjes, më 25 mars, Kisha e kremton festën e Lajmërimit. Toka do të hapet dhe do të sjellë shpëtimin. “Shpirti Shenjt do të zbresë në ty e fuqia e Hyjit të tejetlartë do të mbulojë me hijen e vet; prandaj ky Fëmijë do të jetë i shenjtë  – Biri i Hyjit” (Lk 1,35). Nëna tokë, bazuar në fjalët e Isaisë profet: “Le të hapet toka e le ta lindë Shëlbuesin”, është një imazh që i referohet Marisë, e cila e lindi Shëlbuesin e botës.

Maria ishte e hapur ndaj vullnetit të Zotit dhe lejon që paralajmërimet e Isaisë profet të plotësohen: “Le të hapet toka e le ta lind Shëlbuesin”. Fakti se Ajo i miraton fjalët e engjëllit Gabriel dhe vihet në shërbim të planit të Hyjit, duke e pranuar vullnetin e Tij: “Më ndodhtë siç the ti” (Lk 1,38),  është përcaktues në historinë e shëlbimit. Prandaj, pikërisht për këtë ngjarje të lumtur, Kisha e kujton dhe nderon Marinë edhe gjatë meshëve në kohën e Ardhjes.

 

Dimensioni i dyfishtë i Ardhjes

Koha e Ardhjes ka dimension të dyfishtë: Kisha përgatitet për Lindjen e Zotit, dhe në të njëjtën kohë, thellohet në Pritjen e Ardhjes së dytë të Zotërisë: “Dhe përsëri do të vijë me lavdi për të gjykuar të gjallët e të vdekurit”.

Koha e Ardhjes na fton të qëndrojmë zgjuar, pra, të jemi të përgatitur për ardhjen e dytë të Krishtit.

Më tej, gjatë kohës së Ardhjes, sikur në kohën e kreshmëve, petkat liturgjike kanë ngjyrë vjollcë. Ngjyra vjollcë është ngjyrë pendese e kthimi. As lavdia, sikur edhe gjatë kreshmëve, nuk këndohet, sepse koha e Ardhjes është kohë lavdie dhe e përshkuar me gëzim për Lindjen e Jezu Krishtit, por, për dallim nga kreshmët, gjatë kohës së Ardhjes këndohet aleluja.


Jezu Krishti, Drita e Botës

Meshët e agimit në nderim të Zojës së bekuar mund të kremtohen deri më 16 dhjetor. Prej 17 dhjetorit deri ditën e Krishtlindjes, zakonisht, kisha nuk i kremton meshët e agimit. Kjo për shkak se hyjmë në nëntëditësh përgatitor për kremtimin e lindjes së Krishtit.

Se festa e Zojës Papërlyer bie më 8 dhjetor, kjo lidhet me faktin se nëntë muaj më parë festohet dita e Lindjes së Zojës së Bekuar (8 shtator). Festa e parë e Zojës pas Krishtlindjes, është festa e Nënës së Hyjit, më 1 janar, pra, ditën e tetë të Krishtlindjes.

Pastaj, gjatë vitit liturgjik, në vazhdimësi e nderojmë Zojën e bekuar, si dhe mendojmë plotë falënderim për mishërimin e Krishtit, të cilin e kemi njohur nëpërmjet shpalljes së Engjëllit Gabriel. Për ardhjen e Mesisë, paralajmëron Isaia profet, kur thotë: “Ja, virgjëra do të ngjizë e do të lindë një djalë e për emër do ta quajë Emanuel!” (Is 7,14).

Maria i ka lindur botës Dritën e amshuar. Kjo Dritë do që në çdo meshë të agimit, të sjellë dritë në zemrat e të gjithë bashkë kremtuesve, në të njëjtën kohë, ta shndrisë edhe errësirën e botës. Këtë gjë na përkujtojnë edhe qirinjtë e ndezur. Ata zgjojnë tek të gjithë të pranishmit dëshirën për bashkim me Jezu Krishtin. Ai është Drita e amshuar të botës.

Shkruan Karl Rahner: “Zoti, Fjalën e tij të fundit, më të thellën, më të bukurën, Fjalën e mishëruar në botë, e tha me shpirt. Kjo fjalë domethënë: Unë ty të dua, ty botë dhe ty njeri. Po, ndizni qirinjtë/dritat! Ato kanë më shumë të drejtë se e gjithë errësira”./drita.info

 

Përgatiti: Don Agim Qerkini

Shpëndaje: