LIBËR I RI PËR ”LAHUTËN…” E FISHTËS NGA XHAVIT BEQIRI
Poeti dhe studiuesi Xhavit Beqiri, ka botuar studimin ”Lahuta e Fishtës – (Gjuha dhe Stili)”, botim i Shtëpisë Botuese ”Faik Konica ” nga Prishtina.
Studiuesi Beqiri, në këtë libër, është marrë me veçoritë stilistike e gjuhësore të “Lahutës së Malcis”, duke ndjekur analizën formale/strukturale. Autori, merret me analizën e veprës në shumë plane, duke marrë për bazë vlerësimet e shumta që janë bërë rreth Fishtës dhe ”Lahutës…” dhe duke u thelluar pastaj në veçoritë stilistike të kësaj kryevepre të letërsisë shqipe.
Libri ndahet në pesë kapituj.
Kapitulli i parë, “Teori”, në të cilin, siç pohon në parathënie, ai ”rreket të japë një pasqyrë deri-diku të zgjeruar të studimeve dhe vlerësimeve të shumta që janë dhënë për këtë vepër të Fishtës, madje që nga koha e botimit të kangëve të para” dhe e përcjell mendimin letrar e kulturor për Fishtën gjer në ditët e stome.
Në kapitullim e dytë “Fonostilistika e Lahutës së Malcis”, autori studion esencën e objektivit të këtij autori, meqë tani ai rreket t’i trajtojë veçoritë morfostilistike, sintaksostilistike dhe semantikostisitile të kësaj vepre në një plan më sistematik.
Në kapitullin e tretë, “Morfostilistike e Lahutës së Malcis” merret me analizën e pjesëve të ligjeratës, duke kaluar nga analiza gjuhësore te analiza stilistike.
Kapitulli i katërt, “Sintaksostilistika e Lahutës së Malcis” është një pjesë e rëndësishme e këtij libri, ku studiuesi analizon problemet e relacionit të strukturës sintaksore me stilin.
Ndërkaq kapitulli i pestë, “Semantikostilistika e Lahutës së Malcis” është një përqendrim më të theksuar stilistik, ku analiza prek planet konotative të gjuhës.
Vepra e Gjergj Fishtës, është një thesar i pasur për studime e lexime shumëdimensionale. Autori Xhavit Beqiri, me këtë studim, ndriçon shumë aspekte me rëndësi të kryeveprës së Gjergj Fishtës, “Lahuta e Malcis.”
Vepra është e pasur me një literaturë të gjerë dhe si e tillë, është një ndihmesë e rëndësishme dhe domethënëse që pasuron studimet fishtologjike.
Revista Drita
« Simbole: rorate – mesha e agimit SHIKIMI MREKULLIBËRËS I ZOTIT E USHQEN NJERIUN E URITUR »