ZËRI NGA SHKRETËTIRA: PËRGATITNI UDHËN ZOTIT!

Dec 4 • LEXIMET E SË DIELËS

E diela e II e Ardhjes

Leximi i parë (Bar 5,1-9)

Lexim prej Librit të Barukut profet

Hiqe, Jerusalem, petkun e trishtimit e të mjerimit tënd e vishu me shkëlqim të lavdisë të nderit të përhershëm që po të vjen prej Hyjit! Mbështillu me mantel të drejtësisë që vjen prej Hyjit, vëre në krye kësulën e lavdisë së të amshueshmit! Sepse Hyji do t’ia dëftojë nderin tënd gjithkujt, gjithkund nën qiell. Për amshim do ta qesë emrin: “Paqja e drejtësisë”, “Lavdia e shërbimit hyjnor!” Ngritu, Jerusalem, e qëndro në majë, këqyr përreth në lindje, shih si janë bashkuar bijtë e tu prej ku lind dielli u ku perëndon, në urdhrin e Shenjtit, plot gëzim për kujtimin e Hyjit! Prej teje dolën këmbë të dëbuar nga armiku, do t’i bjerë te ti Hyji të mbartur me nder porsi froni i mbretit, sepse Hyji urdhëroi të rrafshohet çdo mal i lartë e qetë e thepisur, të mbushen luginat e të barazohen me tokë, që të kthehet Izraeli i sigurt nën lavdinë e Hyjit!  Me urdhër të Hyjit Izraelit hije do t’i bëjnë pyjet dhe të gjitha lëndët e erandshme. Sepse Hyji me gëzim do t’i prijë Izraelit me dritën e lavdisë së vet, me mëshirë e me drejtësi që vijnë pre të lumit.

Fjala e Zotit

 

Psalmi 126

Ref: Punë të mëdha bëri Zoti për ne.

——————————————————-

O Kur Zoti i ktheu robërit e Sionit,

na dukej si të ishim në ëndërr.

Atëherë goja na u mbush me gaz

e gjuha jonë ia thoshte këngës së gëzimit!

——————————————————–

Asohere thuhej ndër paganë:

“Zoti bëri për ta punë të mëdha!”

Vërtet Zoti bëri për ne mrekulli

e zemrat na u mbushën me gëzim!

———————————————————

Ktheji, o Zot, robërit tanë

porsi përrenjtë e Negebit!

Ata që mbjellin me lot,

deh, le të korrin me gëzim!

———————————————————-

Në të shkuar ecnin e qanin

duke mbartur farën për ta mbjellë,

kurse në kthim do të vijnë plot gëzim

duke mbartur dorëzat e veta.

———————————————————–

 

Leximi i dytë   (Fil 1, 4-6.8-11)

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Filipianëve

Vëllezër, gjithherë e në çdo uratë që them, lutem me gëzim për ju të gjithë për arsye të pjesëmarrjes suaj në përhapjen e ungjillit qysh prej ditës së parë e deri tani. Dhe jam plotësisht i bindur se Ai që në ju e filloi veprën e mirë, Ai edhe do ta kryejë deri në ditën e Krishtit Jezus.

Po, Hyjin e kam dëshmitar se ju dua pa masë të gjithëve me dashurinë e Jezu Krishtit! Dhe ja, për çka lutem: që dashuria juaj të shkojë duke u rritur përherë e më fort në njohuri e në kuptim të plotë, që të mund të dalloni çka është më e mirë, që të jeni të pastër si dielli dhe pa farë të mete për ditën e Krishtit, plot me fryt drejtësie që vjen nëpër Jezu Krishtin – për lavdi e nder të Hyjit.                   

Fjala e Zotit

 

Aleluja

Përgatitni udhën e Zotit; rrafshoni shtigjet e tija!

Çdo njeri do ta shohë shëlbimin e Hyjit.

Aleluja

 

+ Ungjilli (Lk 3, 1-6)

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës

Në të pesëmbëdhjetin vit të sundimit të Tiberit Cezar, kur Ponc Pilati ishte qeveritari i Judesë, kur Herodi ishte tetrark i Galilesë, Filipi, vëllai i tij, tetrark i krahinës së Ituresë e i Trakonitidës, Lizania tetrark i Abilenës; kur Ana e Kajfa ishin kryepriftërinj, fjala e Hyjit i qe drejtuar Gjonit, birit të Zakarisë, në shkreti. Atëherë Gjoni e përshkoi mbarë krahinën e Jordanit duke predikuar pagëzimin e kthimit për falje të mëkateve në përkim me sa shkruan në librin e predikimeve të Isaisë profet: “Zëri i atij që bërtet në shkreti: përgatitni udhën e Zotit; rrafshoni shtigjet e tija! Çdo luginë le të mbushet, çdo mal e kodër le të ulet; udhët e shtrembra le të bëhen të drejta e ato gropa-gropa le të bëhen të rrafshëta. E çdo njeri do ta shohë shëlbimin e Hyjit.”

Fjala e Zotit

 

POROSIA

Në leximin e parë, dëgjojmë sesi profeti nxitë popullin që të ketë shpresë dhe besim në Hyjin, i cili, përkujdeset për ta, sepse do të vijnë ditët e mira dhe të lumtura për popullin që vuan dhe është në vështirësi.

Kështu kuptojmë se gjithmonë Hyji e ka në kujdes njeriun, i cili është i krijuar në përngjasimin e Tij dhe e do me dashuri të patregueshme.

Ne jemi të çmuar para syve të Hyjit, por duhet të jemi të kujdesshëm që të shpresojmë dhe besojmë në Hyjin, ti qëndrojmë besnik Hyjit që na do.

Leximi dytë, na paraqet shën Pali i cili shkruan për kujdesin që ai tregon për bashkësitë e krishtera. Ky kujdes, është vazhdimësi e Kishës që bënë tash e dy mijë vite. Kujdesi i Kishës është në organizim, liturgji, lutje të përbashkëta, katekizim dhe sa e sa aktivitete tjera të moshave të ndryshme. Kështu, Kisha tregohet si një nënë e mirë, e cila edukon, ushqen dhe u prinë bijve dhe bijave të veta kah Hyji. Papa Françesku, në letrën e vet enciklike “Gëzimi i Ungjillit”, nder të tjera shkruan: “Famullia është prania e Kishës në një territor të caktuar, një mjedis që shërben për të dëgjuar Fjalën e Zotit, për rritje në jetën e krishterë, për dialog, shpallje shërbesa bamirësie, adhurim dhe kremtim. Në të gjitha  veprimtaritë e veta, famullia nxitë dhe stërvit pjesëtarët e saj që të jenë ungjillëzues. Ajo është një bashkësi bashkësish, një shenjtërore ku të eturit vijnë për të pirë në mes të udhëtimit të tyre dhe një qendër shërbesash misionare të vazhdueshme”.

Ungjilli i sotshëm na paraqet shën Gjon Pagëzuesin, pararendës të Krishtit, i cili, përgatit rrugën Zotit.  Nga historia e dimë që gjithmonë kur njerëzit në pushtet kanë vizituar vendet e ndryshme janë përgatitë mirë e nder to ishte edhe aksioni për pastrimin dhe rregullimin e rrugëve.

Gjoni ishte ai që përshkoi mbarë krahinën e Jordanit duke predikuar pagëzimin e kthimit për falje të mëkateve, ishte që bërtet në shkreti: përgatitni udhën e Zotit; rrafshoni shtigjet e tija! Çdo luginë le të mbushet, çdo mal e kodër le të ulet; udhët e shtrembra le të bëhen të drejta e ato gropa-gropa le të bëhen të rrafshëta. E çdo njeri do ta shohë shëlbimin e Hyjit.”

Këtu kuptojmë se nuk është në pyetje rregullimi dhe përmirësimi i rrugëve të fshatrave dhe qyteteve, por rregullimi i zemrës, pastrimi i shpirtit që kërkon Hyji prej çdo njërit prej nesh. Sepse, vetëm një zemër e penduar e përvujtëruar dhe e pastër, mund ta përjetojë dhe pranojë Hyjin.

Në Besëlidhjen e Re, shkretëtira ka kuptim të mirë: është vend takimi në mes Zotit dhe njeriut, por edhe vend i tundimit, që mund të mposhtet vetëm me ndihmën e Zotit që arrihet me lutje, pendesë, agjërim dhe vullnet të mirë. Për këtë arsye, duhet kuptuar si të krishterë që shpeshherë jemi në shkretëtirën e jetës dhe në sprova të ndryshme.

Na nevojitet shpresa dhe besimi që predikuan profetët dhe dashuria e Kishës Nënë, e cila, na ndihmon që të jetojmë me bindje të thellë fetare jetën në vlera shpirtërore e që Hyji i shpërblen.

Shpeshherë, duhet të rrafshojmë rrugë dhe shtigje në jetë për t’ i përgatit Jezusit vendin në zemra tona, në familje tona.

Nuk guxojmë të devijojmë rrugën, por të qëndrojmë në rrugë të vërtetë. Tek e fundit Krishti është Rruga e Vërteta dhe Jeta dhe nëpërmes Tij ne jemi të bashkuar në mes vete dhe të drejtuar kah Ati Zot.

Kjo kohë e shenjtë e Ardhjes, na përkujton faktin se ne gjithmonë diçka presim; është situatë e rregullt, presim situata më të mira, presim jetë me të qetë, presim gjendje me të mirë ekonomike, politike, shoqërore… Për të gjitha këto kemi nevojë, por mbi të gjitha kemi nevojë për Zotin që Ai të na udhëheq dhe prinë në jetë. Për këtë, pra, sikurse shën Gjoni, edhe ne të jemi zë që bërtet në shkretëtirë që e pranojmë dhe e dëshmojmë Zotin të pranishëm në botë.

 

LUTJET E BESIMTARËVE

Të forcuar me fjalën e Zotit, t’ ia drejtojmë Hyjit Atë lutjet tona të përvujta dhe të themi së bashku:

O Atë i mirë, na dëgjo!

– Për Kishën tënde, që hirin e shëlbimit t’ i sjell çdo njeriut, në të gjitha skajet e botës deri në mbarim të saj, të lutemi:

– Për Papën, ipeshkvijtë, meshtarët, rregulltarët e rregulltarët që të jenë zëri i shpresës së lumtur në këtë kohë të vështirë që po përjeton bota, të lutemi:

– Për udhëheqës të popujve që mos të zbehet guximi dhe vullneti i tyre për të punuar dhe vepruar në të mirë të të gjithëve, të lutemi:

– Për të gjithë njerëzit e botës, që t’ u ndihmosh dhe t’ i nxitesh të veprojnë denjësisht dhe drejtësisht si bij dhe bija tua, sipas mësimeve të Birit tënd, të lutemi:

– Për ne këtu të bashkuar që kremtojmë Eukaristinë, na ndihmo që të përparojmë në shenjtëri, duke përgatitur rrugën e ardhjes së dytë të Krishtit, Shëlbues, të lutemi:

– Për të gjithë të vdekurit tanë të dashur që t’ iu falesh fajet dhe mëkatet dhe t’ i pranosh në gëzimet e jetës së pasosur, të lutemi:

 

O Hyji i gjithëpushtetshëm, ti e di që pa ndihmën tënde nuk mundemi të bëjmë asgjë. Po të lutemi, na forco me fuqinë e Shpirtit Shenjt që me vepra të mira t’ i përgatisim rrugën Krishtit që po vjen, që jeton e mbretëron në shekujt të shekujve. Amen.

Përgatiti: Don Marjan Demaj

Shpërndaje

Comments are closed.

« »