TË THIRRUR PËR T’I GJETUR “DELET E HUMBURA” TË KOHËS SONË!

Dec 5 • Meditimi i ditës

5 dhjetor 2015 – e shtunë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 

Prania e Hyjit

 

Zot i dashur, më ndihmo që të hapem me ty,
sepse tani po i lë anash të gjitha brengat e mia.
Mbushi mendimet e mia me paqe, me dashurinë tënde.

 

Liria

 

O Zot, ma jep hirin që të jem i lirë nga ekseset dhe teprimi.

Mos lejo që të më robërojnë dëshira për posedim dhe pasuri.

Ma ruja mendjen dhe zemrën të lira që të dua dhe të shërbej ty.

 

Vetëdija

 

Në praninë e Hyjit që më do
e vështroj gjithë atë që më ka ndodhur ditën e kaluar,
prej këtij momenti në mënyrë retrospektive, hap për hap.
E kujtoj të gjithë atë që ka qenë mirë dhe bukur, dhe për këtë falënderoj.
I vërej edhe hijet, gabimet dhe pyes se çfarë më flasin; lus për shërim, guxim, falje.

 

Fjala

 

Kaloje këtë kohë duke e qendërzuar vetveten për të dëgjuar atë që Hyji mund të jetë duke të të thënë gjatë kësaj lutje, për të dëgjuar atë që gjallërohet në zemrën tënde. Mbylli sytë një moment. Ndërsa rri ulur me sy mbyllur, përdori këto ose fjalë të ngjashme: “Ja ku jam, o Zot. Ja ku jam.” Kur të jesh gati, hapi sytë dhe lexo, lutu.

 

Mt 9, 35-10, 1.6-8

 

35 Kështu Jezusi qarkullonte nëpër të gjitha qytetet e fshatrat. Mësonte në sinagogat e tyre: predikonte Ungjillin e Mbretërisë dhe shëronte çdo sëmundje e lëngatë.

36 Kur e pa turmën e popullit, ndjeu dhembshuri për të, sepse ishte e nëpërkëmbur dhe e lënë pasdore si delet pa bari. 37 Atëherë u tha nxënësve të vet:

“Të korrat janë të mëdha, kurse punëtorë ka pak. 38 Lutjuni, pra Zotërisë së të korrave, të dërgojë korrtarë në të korrat e veta.”

1 Pastaj Jezusi i mblodhi rreth vetes dymbëdhjetë nxënësit e vet e u dha pushtetin të mund të dëbonin shpirtrat e ndytë dhe të mund të shëronin çdo sëmundje e lëngatë.

6 Por shkoni më mirë te delet e humbura të shtëpisë së Izraelit. 7 Gjatë udhëtimit predikoni: ‘Mbretëria e qiellit është afër!’ 8 Shëroni të sëmurit, ngjallni të vdekurit, pastroni të gërbulurit, dëboni djajtë! Falas morët, falas edhe jepni!

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

 

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

– Në imagjinatë udhëtoj me Jezusin gjatë kohës kur edhe ai është në rrugë. E pyes çfarë po i jep aq shumë forcë për t`iu shërbyer të sëmurëve, shumëve nga të cilët të tjerët kishin frikë t`i shikonin apo t`i preknin.

– Ai flet me mua për mëshirën, kurse unë e lus që zemra ime e vogël të mund të rritet dhe që të jetë e mëshirshme si ajo e tija. E ndiej mëshirën e tij për mua dhe kjo më ngushëllon.

– Jezusi ka një mision për mua. Kush janë “delet e humbura” të kohës sonë të cilëve do të duhej t`u ndihmoja? A jam mjaftueshëm zemërgjerë për të bërë atë çka kërkon Jezusi nga unë?

 

Bashkëbisedimi

 

Zot, ti më njeh më mirë se unë e njoh veten time.
Shpirti yt e përshkon çdo moment të jetës sime.
Faleminderit për hirin dhe dashurinë që e ndikon mbi mua.
Faleminderit për ftesën tënde të vazhdueshme, të butë për të lejuar të hysh në jetën time.
Më fal për momentet kur e kam refuzuar atë ftesë, dhe e kam mbyllur veten para teje.
Më ndihmo që gjatë ditës të vij, ta njoh praninë tënde në jetën time, të ta çel zemrën, që të lejoj të veprosh në mua, për lavdinë tënde më të madhe. Amen.

 

Përfundimi

 

Të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto momente vetëm me ty.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »