Çfarë është Viti Jubilar?

Dec 7 • Këndvështrime

Me rastin e Jubileut të Jashtëzakonshëm të Mëshirës (8 dhjetor 2015 – 20 nëntor 2016)

Papa Françesku i ka propozuar Kishës Katolike të reflektojë për një vit, mbi Mëshirën Hyjnore. Më 8 dhjetor, do të fillojë Jubileu i Mëshirës, i cili do të përfundojë më 20 nëntor 2016 në solemnitetin e Krishtit Mbret. 

Rrënjët biblike?

Jubileu është një traditë e veçantë për të cilën na flet Bibla. Për një hebre, çdo javë fillon me ditën, që i kushtohet Zotit dhe festës, me shabbat-in, të shtunën, që për ne katolikët është e diela, ditë në të cilën nuk punohet, por secili gëzon familjen e vet dhe lutet për të imituar kështu pushimin e Zotit në ditën e shtatë të Krijimit. Pastaj, çdo shtatë vjet herë shtatë, pra, çdo 49 vjet, një vit i tërë i kushtohet pikërisht asaj, që çdo hebre apo i krishterë bën të shtunën apo të dielën.

Ja çfarë thotë Bibla:

“Numërojini shtatë javë vitesh, d.m.th. shtatë herë shtatë, që të gjitha së bashku bëjnë dyzetë e nëntë vjet. Atëherë bjerini trumbetës në muajin e shtatë, të dhjetën ditë të muajit, Ditën e shpërblimit, bini trumbetës anekënd vendit tuaj. Të pesëdhjetin vjet shpalleni vit të shenjtë; kumtoni në mbarë vendin çlirimin e të gjithë banorëve. Ky le të jetë për ju jubile: le të kthehet secili në pronën e vet, le të kthehet secili në fisin e vet të mëparshëm. I pesëdhjeti vit le të jetë për ju jubile: mos mbillni, mos korrni çka të lind vetvetiu në arat dhe mos i vilni vreshtat e pakira, sepse është jubileu, një gjë e shenjtë për ju. Hani çka të mbijë vetvetiu në ara. Në këtë vit jubilar secili prej jush le të kthehet në pronën e vet”. (Lev 25, 8-12).

Për fillimin e Vitit Shenjt i binin bririt të një dashi, që quhej Jobel, prej nga rrjedh edhe termi “Jubile”. Ç’ndodhte gjatë atij viti? Së pari, liroheshin skllevërit. Atëherë, skllavëria ishte shumë e përhapur, edhe në Izrael. Njerëzit ktheheshin në skllevër, sepse kishin humbur luftën e më shpesh akoma, sepse kishin borxhe, që s’mund t’i lanin. Gjatë Vitit Jubilar faleshin të gjitha borxhet, duke u dhënë kështu liri e dinjitet të gjithëve.

Së dyti, nuk kultivohej asgjë. Ishte shenjë respekti ndaj natyrës, shenjë mirënjohjeje për të mirat, që u dhuron falas njerëzve. Kështu, për një vit, nuk shfrytëzohej toka, duke e lënë atë ta merrte veten. Njerëzit hanin nga ushqimet e grumbulluara më parë, ose nga frytet e tokës, që rriteshin vetvetiu.

Së fundi, diçka që mund të duket tepër e çuditshme sot: tokat u ktheheshin pronarëve të parë. Vërtet, kur dikush blinte një pronë, paguante vetëm për kohën që kishte mbetur deri në Vitin Shenjt, pra, paguante një lloj qiraje. Duke bërë kështu, shmangej fragmentimi e copëzimi i pronave.

Ka historianë, që dyshojnë mbi zbatimin në praktikë të këtyre rregullave kaq impenjuese, por ajo që na intereson ne është domethënia e Jubileut në Bibël. Jubileu është nismë, që dëshiron të ripohojë primatin e Zotit mbi çdo gjë. Gjithçka na dhurohet, nuk jemi zotër të të tjerëve (skllevërve), e as të fryteve të tokës (që janë dhuratë e tokës) e, as të fushave për t’u mbjellur (që duhet të kthehen tek pronari i parë). Viti Shenjt i tregon çdo njeriu ku e ka kufirin.

A s’do të ishte bukur të ndodhte kjo edhe sot? Ka familje e vende të zhytura kaq shumë në borxhe, sa të jetojnë në një lloj skllavërie. Të mendojmë, për shembull, për ata që kanë marrë kredi për shtëpinë e nuk arrijnë ta lajnë. Të kujtojmë gjendjen dramatike të Greqisë, afër nesh, por edhe të vendeve të tjera. Ka njerëz të paskrupullt që e shfrytëzojnë tokën deri ku s’mban më, që e ndotin, pa pyetur se cila do të jetë e ardhmja e njerëzimit nëse shkatërron natyrën. Ka njerëz që jetojnë vetëm për të grumbulluar pasuri. Pas pak vjetësh, 1% e popullsisë botërore do të jetë më e pasur se pjesa tjetër prej 99%.

Viti Jubilar në Mesjetë

Viti jubilar duket në Kishën Katolike aty nga Mesjeta. Qe Papa Bonifaci VIII ai, që shpalli një Vit të Shenjtë më 1300. Shtegtarët që do të vizitonin me përkushtim bazilikën e Shën Pjetrit dhe atë të Shën Palit do të fitonin ndjesën e plotë, pra do t’u faleshin mëkatet dhe fajet. Një lloj faljeje borxhesh… shpirtërore dhe çlirimi nga skllavëria, që është mëkati.

Ideja u pëlqeu shumë vetëve: Dante Alighieri na thotë se iu desh ta ndanin në dy kahe urën para Kështjellës së Shën Engjëllit, kaq shumë ishin shtegtarët (Ferri XVIII, 28-33)! Papa Klementi VI vendosi që Jubileu të kremtohej njëlloj si për hebrenjtë, çdo 50 vjet. Më pas, Papa Urbani VI e caktoi çdo 33 vjet, për nder të Krishtit, por së fundi, u fiksua çdo 50 vjet.

Ai që do të përjetojmë, duke filluar nga 8 dhjetori, është Jubile i jashtëzakonshëm, që nuk ndjek një datë të veçantë. Vetë Papa Françesku e shpjegon këtë në letrën, me të cilën e shpalli (Misericordie Vultus): “Ka çaste, në të cilat, edhe më fort, jemi të thirrur ta mbajmë të ngulur vështrimin mbi Mëshirën Hyjnore, që të bëhemi ne vetë shenjë e frytshme e veprimit të Atit Qiellor. Për këtë arsye, shpalla një Jubile të Jashtëzakonshëm të Mëshirës, si kohë e favorshme për Kishën që ta bëjë më të fortë e më të frytshme dëshminë e besimtarëve”.

Papa Françesku e sheh si rrezik të madh idenë e gabuar, që është përhapur për Zotin, sikur Hyji të ishte një gjykatës i rreptë, njëlloj si polici që vë gjoba, ose si ndokush, që na e ka inatin dhe na pengon të jemi të lumtur. Fatkeqësisht, shumë njerëz, edhe ndër të krishterët, kanë një ide të shëmtuar për Zotin!

Prandaj, gjatë Vitit të Mëshirës, duhet të meditojmë e të reflektojmë kush është në të vërtetë Zoti, që Jezusi erdhi të na e zbulojë. Të rriturit, për të ndryshuar idetë e këqija që kemi për Të; të rinjtë, për të besuar në Zotin e vërtetë. Ne të krishterët besojmë në atë Zot, që dëshmoi Jezusi; në atë Zot, që e kishte zbuluar vetveten në historinë e Izraelit, por që Jezusi erdhi të na e tregojë përfundimisht.

Nga: www.radiovaticana.va

Shpërndaje

Comments are closed.

« »