Çohu dhe ec?

Dec 7 • Meditimi i ditës

7 dhjetor 2015 – E hënë, Shën Ambrozi, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 

Prania e Hyjit

 

Gjëja që orvatem të bëj këtu është që kohën ta lë më një anë
dhe të përqendrohem në jetën time, atë fizike – në kohë, dhe atë shpirtërore.
Mundohem ta paramendoj Jezusin si është ulur pranë meje
dhe bisedoj me të mbi gjithçka që është duke më ndodhur në jetë.
Mundohem ta kuptoj që në mundësi të panumërta
Jezusi hyn në rrethanat e përditshme të jetës sime.
E pra, jeta kalon shpejt dhe shumë gjëra ndodhin.
Ngarkimi dhe obligime të ndryshme shpesh herë e shmangin këtë vetëdije për praninë e Hyjit në jetën time të përditshme. Ndërgjegjësohem për këtë, dhe dëshiroj të bëjë diçka.
Sa për tash, provoj të qëndroj i/e qetë dhe i/e hapur përballë asaj se çfarë dëshiron të më thotë prania e Tij.

 

Liria

 

O Zot, ma ke dhënë jetën dhe dhuratën e lirisë.
Unë ekzistoj në këtë botë falë dashurisë sate.
Më ndihmo që gjithmonë të di ta çmoj këtë dhuratë të jetës dhe që gjithmonë ta respektoj të drejtën e tjetrit për të jetuar.

 

Ndërgjegjësimi

 

Të jesh i vetëdijshëm për diçka do të thotë këtë gjë edhe ta vëresh.
O Zot, më ndihmo që gjithmonë të jem i/e vetëdijshëm/e se ma ke dhuruar jetën;
Të falënderoj për këtë dhuratë të jetës.
Më mëso se si të koncentrohem dhe të jem i/e qetë si dhe të kënaqem në sendet që i ke krijuar për mua.
Që ta sodis bukurinë që më rrethon,
mrekullitë e majave të maleve, qetësinë e liqenit, thyeshmërinë e gjethes së lules…
Gjithmonë nevojitet të jem i/e vetëdijshëm/e se të gjitha këto vijnë prej teje.

 

Fjala

 

O Zot, je bërë njeri për të biseduar me mua;
ke ecur dhe punuar përmbi këtë tokë; ke pësuar të nxehtët dhe të ftohtët.
Koha që e ke kaluar mbi tokë ka qenë e mbushur me kujdesin për njerëz.
Ke shëruar të sëmurë, ke ringjallur të vdekur; dhe ajo më e rëndësishmja – më ke shpëtuar nga vdekja.

 

Lk 5, 17-26

 

17 Një ditë Jezusi ishte duke mësuar. Ndër dëgjues kishte edhe farisenj e mësues të Ligjit, që kishin ardhur prej të gjitha fshatrave të Galilesë, të Judesë dhe prej Jerusalemit. Atë fuqia e Zotit e shtynte të shërojë.

18 Kur, ja disa njerëz po mbartnin në vig një njeri që ishte i paralizuar. Ata kërkonin ta shtienin brenda për ta vënë para tij. 19 Por nuk gjetën kah ta shtienin brenda prej turmës së popullit. Atëherë u ngjitën në pullaz, hoqën tjegullat dhe e lëshuan me gjithë vig mes njerëzve ‑ para Jezusit. 20 Jezusi, duke parë fenë e tyre, tha:

“O njeri, të janë falur mëkatet!”

21 Mësuesit e Ligjit e farisenjtë filluan të mendojnë:

“Kush është ky që po flet blasfemi? Kush mund t’i falë mëkatet, përveç një Hyji të vetëm?”

22 Por Jezusi, duke i njohur mendimet e tyre, u tha:

“Çka po mendoni në zemrat tuaja? 23 Çka është më lehtë, të thuhet: ‘Të janë falur mëkatet’, apo të thuhet:’Çohu e ec?’ 24

Mirë, pra, unë dua t’jua vërtetoj se Biri i njeriut ka pushtet të falë mëkatet mbi tokë ‑ atëherë i tha të paralizuarit ‑ Po të urdhëroj: çohu, merre vigun tënd dhe shko në shtëpinë tënde!”

25 I paralizuari, aty për aty, para syve të tyre, u ngrit në këmbë, mori vigun dhe shkoi në shtëpi duke e lavdëruar Hyjin.

26 Të gjithë i rrëmbeu habi e madhe, lëvdonin Hyjin dhe, plot frikë, thoshin:

“Sot pamë mrekulli të mëdha!”

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

 

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit të Shenjtë:

 

– Në këtë mrekulli Jezusi kryen një shërim shpirtëror dhe tru po A jam i/e paralizuar shpirtërisht? Çka më bën invalid, cilat janë aftësitë e mia të kufizuara shpirtërore në ndjekje të Jezusit?

– Pa ndihmën vendimtare të katër miqve i paralizuari nuk do të mund të vinte kurrë te Jezusi për t’u shëruar. Si do të mund ta ndihmoja një mik/mikeshë që të shërohet në Krishtin?

 

Bashkëbisedimi

 

Fjalët tua, o Zot, më mësojnë  se si duhet të lus.

Urata e mrekullueshme Ati ynë

përmban  gjithçka dua të them.

 

Përfundimi

 

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe që luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »