Dua të jam si Maria

Dec 8 • Këndvështrime

Nga Veneranda QERIMI

Jeta është një udhëtim i gjatë, e mbushur plot me udhëkryqe, të cilat, sado t’i anashkalojmë, na duhet të zgjedhim në cilin drejtim të shkojmë. Jeta është e bukur. Edhe Projektuesi e ka projektuar në mënyrën më të mirë të mundshme, perfekt do të thoja. Megjithatë, duke mos e njohur projektin e tij, njeriu lodhet, ndjehet i vogël, dorëzohet… Do ishte dashur të braktiseshim në të, të braktiseshim në Atin, ta lëmë Atë të vazhdojë projektin e tij, punën më të mirën të tij…

Si Maria… Sigurisht edhe ajo do kishte mundur ta kundërshtonte, t’i bënte pyetje, t’ia shprehte friken e saj ose t’i thoshte se është e vogël për një plan të Tillë. Ajo është braktisur, e ka lënë veten në duart e Tij – “U bëftë vullneti yt, U bëfte vullneti yt“… Sigurisht edhe ajo është trembur, edhe ajo është ndjerë e pasigurt, edhe ajo është ndjerë sikurse ndjehemi ne, megjithatë, ka brohoritur fuqishëm “U befte vullneti yt“, e me këto fjale është bërë jo vetëm nëna e një njeriu dhe nëna e gjithë njerëzimit, por Nëna e Hyjit. Në një botë ku shpesh ndjejmë se nuk i përkasim, dorëzohemi, sepse ndjejmë se na kanë shteruar forcat dhe jemi të vetëdijshëm se nuk është e drejtë ndaj Atij që na ka krijuar. Por, pasiguria po na e shkallmon shpirtin, na sfilit, na lodhe, na mbyte. Nuk dimë si të veprojmë edhe pse, nga brenda, do donim të braktiseshim, do donim të ishim Si Maria. Të ecnim me të në udhën e Tij të kryqit, duke e bartur kryqin tonë, atë peshë të cilën sigurisht Ai e mban më shumë se ne! E, në fakt, e ndjejmë mbi ne peshën e të qenurit njeri, por prapëseprapë DUAM TË JEMI SI MARIA. Kur lindin pasiguritë, duam te jemi si Ajo. Nëse lodhemi ose jo, nëse vuajmë apo gëzohemi, nëse qeshim ose qajmë, nëse ecim ose ndalemi, Duam te jemi si Maria! 

Të braktisemi në Zotin, Hyjin tonë, në Dashurinë e shpirtit, prej të cilit burojnë të gjitha dashuritë e tjera. Dua të jemi si Maria, për ta dashur e për t’i shërbyer, për të dal para Tij e për t’i thënë, bëj me ne çfarë të duash. Duam të jemi si Maria, t’i shkojmë Jezusit nga pas në me të madhën dhimbje. Duam të jemi si Maria, të dhurojmë gjithçka kemi. Duam të jemi si Maria e ta kemi forcën e sajë për të thënë u bëftë vullneti yt.

Nuk jemi Maria, por duam të jemi si ajo, sepse ajo është Nëna jonë e ne duam t’i ngjajmë Nënës.  Forcën s’e kemi gjetur akoma, ndoshta! Prandaj, po luftojmë të jemi në dashuri, si AJO!

Gëzuar festën e Zojes së Papërlyer. Paçim ecje të shenjtë e të frytshme në Vitin e Mëshirës Hyjnore!

Shpërndaje

Comments are closed.

« »