Hapet Dera e Mëshirës që të çon në takim me Zotin

Dec 8 • Kisha në botë

 Vëllezër  e motra,

   pas pak do të kem gëzimin të hap Portën Shenjtë të Mëshirës. E kryejmë këtë gjest, sa të thjeshtë, aq edhe fuqimisht simbolik, në dritën e Fjalës së Zotit, që e dëgjuam e që vë në plan të parë epërsinë e hirit. Çka përsëritet më se një herë në këto Lexime, na kujton shprehjen që Engjëlli i drejtoi vashës së re, të habitur e të turbulluar, duke i treguar misterin që do ta mbështillte: “Gëzoju, o Hirplote!”(Lk 1,28).

      Virgjëra Mari u thirr, sidomos, të gëzohej për çka kreu Zoti në të. Hiri i Zotit e mbështolli, duke e bërë të denjë të ishte Nëna e Krishtit. Kur Gabrieli hyn në shtëpinë e saj, edhe misteri më i thellë, që kapërcen çdo aftësi të arsyes, bëhet për të shkak gëzimi, feje, besimi të plotë në Fjalën, që i dëftohet. Hiri i plotë është në gjendje ta shndërrojë zemrën e ta bëjë të aftë të kryejë një gjest aq të madh, sa t’ia ndryshojë rrjedhën historisë së njerëzimit.

       Festa e Zojës së Papërlyer shpreh madhështinë e dashurisë së Zotit. Hyji është jo vetëm Ai, që e fal mëkatin, por, në Marinë, arrin deri atje, sa ta parashikojë mëkatin e rrjedhshëm, të cilin çdo njeri e mbart mbi vete duke hyrë në këtë botë. Është dashuria e Zotit, ajo që paraprin, përshpejton, shpëton. Fillesa e historisë së mëkatit në kopshtin e Edenit, shndërrohet në projektin e dashurisë, që shëlbon. Fjalët e Zanafillës na kujtojnë përvojën e përditshme, të cilën e zbulojmë në jetën tonë personale. E kemi gjithnjë tundimin e mosbindjes, që shprehet në dëshirën për ta planifikuar jetën tonë, pavarësisht nga vullneti i Zotit. Kjo armiqësi e shtyn vazhdimisht jetën e njerëzve t’i kundërvihen planit të Zotit. E megjithatë, edhe historia e mëkatit mund të kuptohet vetëm në dritën e dashurisë, që fal. Nëse gjithçka do të mbetej e lidhur me mëkatin, do të ishim krijesat më të dëshpëruara, ndërsa premtimi i fitores së dashurisë së Krishtit e përmbledh gjithçka në mëshirën e Atit. Fjala e Zotit, që e dëgjuam, nuk na lë asnjë dyshim. Zoja e Papërlyer është para nesh, dëshmitare e zgjedhur e këtij premtimi e edhe e përmbushjes së tij.

        Ky Vit i Shenjtë i Jashtëzakonshëm është, gjithashtu, dhuratë e hirit. Të hysh nëpër këtë Portë do të thotë ta zbulosh në thellësi  mëshirën e Atit, që i mirëpret të gjithë, i takon të gjithë personalisht. Do të jetë një Vit, që do të na ndihmojë ta thellojmë besimin në Mëshirën. Sa padrejtësi i bëhet Hyjit dhe hirit hyjnor, kur pohohet, sidomos, se mëkatet dënohen nga gjyqi i Tij, pa kujtuar më parë se falen nga mëshira e Tij (khs. Agostini, De Praedestinatione sanctorum 12, 24). Po, është pikërisht kështu. Mëshira duhet vënë mbi gjykimin  e,  në çdo rast, gjykimi i Zotit do të jetë gjithnjë në dritën e mëshirës së Tij. Të kapërcesh Portën Shenjte do të thotë të marrësh pjesë në këtë mister dashurie. Larg, pra, nga çdo formë e frikës dhe e druajtjes, sepse nuk i kanë hije atij, që është i dashuruar; ta jetojmë, përkundrazi, gëzimin e takimit me hirin, që e shndërron gjithçka.

        Sot, duke kapërcyer Portën Shenjte, duam të kujtojmë edhe një Portë tjetër, që 50 vjet më parë Etërit e Koncilit II të Vatikanit e hapën në dy kanatat për botën. Kjo ngjarje nuk mund të kujtohet vetëm për pasurinë e dokumenteve, që hartoi, të cilët deri në ditët tona na krijojnë mundësitë për ta vërtetuar progresin e madh të kryer në fe. Në radhë të parë Koncili ishte takim. Takim i vërtetë i Kishës me njerëzit e kohës sonë. Takim i përshkuar tej e mbanë nga forca e Shpirtit Shenjt. E e shtynte Kishën të dilte nga thatësia, që e kishte mbyllur për shumë vjet në vetvete, për të rifilluar, me entuziazëm, udhën misionare. Ishte rifillim i udhës, për t’u  takuar me çdo njeri, kudo që jeton: në qytetin e tij, në shtëpinë e tij, në vendin e punës… kudo është njeriu, atje duhet të arrijë edhe Kisha, për të çuar gëzimin e Ungjillit. Një shtytje misionare, pra, që pas këtyre dhjetëvjeçarëve e rifillojmë me të njëjtën forcë e të njëjtin entuziazëm. Jubileu na nxit për këtë hapje e na detyron të mos e  braktisim shpirtin e Koncilit II të Vatikanit, atë të Samaritanit, siç na e kujton i Lumi Pali VI, në përfundim të Koncilit. Kapërcimi, sot, i Portës Shenjte, na angazhoftë ta bëjmë tonën Mëshirën e Samaritanit të Mirë.    

(Homelia e Papa Françeskut ne Meshen e perurimit te Vitit te Shenjte te Meshires Hyjnore, kremtuar ne sheshin e shen Pjetrit ne Vatikan, 8 dhjetor 2015. Teksti shqip nga www.radiovaticana.va)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »