Magjia e fjalëve të mirësisë

Dec 11 • Opinion

Nga Arbnora Gojani – MAZREKU

Kërkojmë mirësi në këtë kohë festash. Festat janë gjithnjë kohë për të dhuruar e pranuar mirësi. Mirësia mund të jetë një TUNGJATJETA e thjeshtë e përcjell nga një buzëqeshje; mund të jetë një FALEMNDERIT ose vetëm një fjalë apo shikim i butë – SOT! 

Për të arritur këtë, nuk duhet të jetë një deklaratë e përpunuar, por vetëm gjest mirësie, është gjithçka që është e nevojshme për të përmirësuar ditën e dikujt. Filloni ngadalë, ndoshta duke falënderuar nëpunësin tuaj, shitësen e bukës, shoferin e autobusit, postierin… asaj zonjës në moshë të shtyrë, që e takoni çdo mëngjes, pothuajse në të njëjtën kohë dhe në të njëjtin vend rrugës për në punë – dhurojani një buzëqeshje! Gëzoni fëmijët me fjalë të ëmbla në vend të çokollatave. 

Praktikimi i mirësisë mund të marrë kohë, duhet praktikë e përditshme, si në çdo fushë tjetër, si në çdo sport. Por, pas një kohe, do të bëhet pjesë e pandashme e përditshmërisë. Por, ju lutem, filloni SOT!  

Para se të kuptojmë edhe ne vet që mirësjellja është bërë pjesë e jona, ne jemi duke falënderuar, duke kërkuar falje, duke përshëndetur më shumë njerëz, duke buzëqeshur dhe duke shpërndarë mirësi. Përveç që i bëjmë të tjerët të ndihen mirë, me automatizëm ne ndjehemi edhe më mirë. Një përshëndetje e thjeshtë mund të marrë një moment, por ky moment do të mbetet shumë gjatë në kujtesën e personit të cilin e keni përshëndetur.

Por, para së gjithash, filloni me fëmijët! Ju jeni shembulli më i mirë i tyre. Mos u tregoni çka të bëjnë e çka të thonë. Nuk mund të prisni nga fëmijët mirësi, nëse ju nuk e praktikoni të njëjtën me ta. T’u japim fëmijëve shembuj të mirë, që ata të kthejnë dhe shpërndajnë mirësjellje dhe mirësi!

Thënia e Nënë Terezës: “Një fjalë e mirë mund të jetë e shkurtër dhe e lehtë për tu thënë, por jehona e saj është vërtet e pafundme”, e tregon bukurinë dhe pasojën e mrekullueshme të fjalëve të mirësisë.

Nisjani të praktikoni këtë sot, TANI! Sepse bota ka nevojë më shumë se kurrë për një gjest mirësie dhe për fjalët magjike.

Urojmë që mirësia & magjia e festave të fundvitit dhe fjalët magjike të ju përcjellin gjatë gjithë vitit.

Gëzuar!

Shpërndaje

Comments are closed.

« »