Bëni vepra të mira me gëzim

Dec 12 • LEXIMET E SË DIELËS

E Diela e III e Ardhjes (C) – GAUDETE

 

Leximi i parë   Sof 3, 14-18

 Lexim prej Librit të Sofonisë profet

Këndo hareshëm, bija e Sionit, thuaja gëzueshëm këngës, o Izrael! Gëzo e galdo me gjithë zemër, ti, bija e Jerusalemit! E tërhoq Zoti dënimin tënd, i shpërndau larg armiqtë e tu. Mbret i Izraelit është Zoti midis teje, s’ke pse më ta druash të keqen! Jerusalemit atë ditë do t’i thuhet: “Frikë aspak mos ki, Sion, assesi të mos mpaken duart! Në mesin tënd është Zoti Hyji yt, trim mbi trima, Shpëtimtar! Do të galdojë për ty hareshëm, i përmalluar nga dashuria, do të kërcejë për ty me gëzim porsi në ditë feste.”

Fjala e Zotit.

 

Psalmi / Kënga  Is 12, 2-6

Ref. në mesin tonë po vjen Hyji i gëzimit e i haresë

—————————————————————————–

Qe, Hyji Shëlbuesi im,

kam besim e nuk kam frikë,

sepse fuqia ime e mburrja ime

është Zoti, Ai është shpëtimi im.

———————————————-

Me galdim do të merrni ujë

nga burimet e shëlbimit.

Edhe thoni atë ditë:

“Falënderojeni Zotin, thirreni Emrin e tij,

shpallni ndër popuj veprat e tija,

kumtojeni madhërinë e Emrit të tij!

—————————————————–

Këndoni Zotit, sepse krijoi mrekulli,

le ta marrë vesh bota mbarë!

Brohoritni e këndoni lavde,

ju banorët e Sionit,

sepse i madhërishëm është

në mesin tuaj Shenjti i Izraelit!”

————————————————–

 

Leximi i dytë   Fil 4, 4-7

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Filipianëve

Vëllezër, gëzohuni gjithmonë në Zotin, rishtas po ju them: gëzohuni! Mirësinë tuaj le ta njohin të gjithë njerëzit! Zoti është ngjat! Për asgjë mos u shqetësoni, por gjithçka – me lutje dhe me urata të përcjella me falënderim – paraqitni Hyjit nevojat tuaja! Dhe paqja e Hyjit, që është më e vlefshme se mund ta mendojmë, do t’i ruajë zemrat tuaja dhe mendimet tuaja në Krishtin Jezus. 

Fjala e Zotit.

 

Aleluja

Shpirti i Zotit Hyj është mbi mua, sepse Zoti më shuguroi, më dërgoi t’u sjell të përvuajturve lajmin e gëzueshëm.

Aleluja

 

X Ungjilli   Lk 3, 10-18

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës

Në atë kohë, turmat e pyetnin Gjonin: “Ne, pra, ç’na duhet të bëjmë?” “Kush ka dy palë petka – u përgjigjej – le t’i ndajë me atë që s’ka. Edhe ai që ka ushqime, le të bëjë kështu!” Erdhën edhe disa tagrambledhës t’i pagëzojë dhe i thanë: “Mësues, po neve çka duhet të bëjmë?” Ai u përgjigji: “Mos kërkoni asgjë më tepër se ju është caktuar.” E pyetën edhe disa ushtarë: “Po ne, çka duhet të bëjmë?” Edhe atyre u përgjigji: “Askënd mos merrni me të keq! Askënd mos paraqitni rrejshëm dhe jini të kënaqur me rrogën tuaj!”. E pasi populli priste me shpresë dhe pasi të gjithë mendonin në zemrat e veta për Gjonin: a mos është shi ky Mesia, këndej Gjoni mori fjalën e u tha të gjithëve: “Unë, vërtet, po ju pagëzoj me ujë, por po vjen një më i fortë se unë, të cilit unë nuk jam i denjë as t’ia zgjidhë lidhësat e sandaleve të tija. Ai do t’ju pagëzojë me Shpirt Shenjt e me zjarr. Ai e mban në dorën e vet terploten për të pastruar lëmin e vet, për të mbledhur grurin në grunarin e vet, kurse bykun do ta djegë në zjarr të pafikshëm”. E me shumë mësime të tjera ia shpallte popullit Ungjillin.

Fjala e Zotit.

 

POROSIA

Jemi në të dielën e tretë të Ardhjes, e shënuar me ngjyrë rozë të çelët, e cila tregon gëzimin e veçantë të pritjes dhe pamjen e bukur, të afërsisë së Zotit. Gjon Pagëzuesi edhe sot është protagonist i kësaj pjese të ungjillit, i cili na siguronte javën e kaluar duke bërë jehonë profeti Isaia: “çdo njëri do ta shohë shëlbimin e Hyjit“ në një premtim të gëzimit të ardhshëm dhe një lirim të pengesave të së keqes dhe ndërtimin e drejtësisë universale. Përveç premtimeve kërkonte edhe një angazhim: “Kthehuni, përgatitne rrugën e Hyjit drejtoni shtigjet tuaja“. Nëse nga një anë Zoti premton  kujdes për njeriun, nga ana tjetër edhe njeriu duhet të ketë kujdes ndaj Zotit, prandaj nuk mund veç se ta pranosh paralajmërimin, në ndryshim dhe në kthim duke zgjedhur definitivisht ndershmërinë, drejtësinë dhe paqen, prej Mbretërisë së Hyjit. Një herë duke u nisur nga apeli i dyfishtë i lartpërmendur, Gjoni gjendet në një pozitë që duhet t‘u përgjigjet pyetjeve të ndryshme, që turma i drejtohet atij, dhe të gjithë duan sensin praktik dhe përgjigje të menjëhershme: “çka duhet të bëjmë?“. Një pyetje e cila është bërë pikërisht nga ata që janë prekur nga një mesazh direkt, nga një realitet i habitur, nga një qëndrim dhe një ndjeshmëri, që është tërhequr nga një bukuri e paprekur dhe, që tani donë të reagoj duke kontribuar për vetveten. Në fakt, pyetja e përshtatshme është se: „çfarë duhet konkretisht të bëjë njeriu për t‘i drejtuar shtigjet e veta, e të pendohet për gjërat negative të tija?“ Përgjigja e njeriut tonë është e gatshme, i magjepsur në personin e parë nga lajmi i jetës që e propozon Krishtin: Nevojitet të hedhet në praktikë ligji i dashurisë në gjënë më konkrete, duke ushtruar bamirësinë/dashurinë, jo e shkruar në poezi apo në një zbrazëtirë sentimentaliste, por e cila është konkrete dhe e prekshme në realitetin më të gjallë. Në fakt, nevojitet të bëhen vepra të mira gjithmonë, por mbi te gjitha të bëhen vepra të mira ndaj nevojtarëve, ndaj më të varfërve, që nuk kërkon heroizëm të veçantë, nëse është e vërtetë që garanton të njëjtën kohë mbron dhe mbështetë nevojat personale: „Kush ka dy palë petka, le t’i ndajë me atë që s’ka. Edhe ai që ka ushqim, le të bëjë kështu!“ Siç thotë një thëne e vjetër: “Mund të jepni më shumë, pa u bërë heronj.“ Në fakt, të gjithë mund të jenë bujarë, duke u treguar konkret me shenja duke u kthyer kah Zoti, në shërbim ndaj të varfërve dhe nevojtarëve. Ushtarët që kërkojnë edhe ata konkretisht çka do të thotë kthimi, Gjoni i paralajmëron që mos të keqpërdorin pozicionin e tyre ndaj të afërmve: “Askënd mos merrni me të keq! Askënd mos paraqitni rrejshëm dhe jini të kënaqur me rrogën tuaj!“

Natyrisht, duhet të jetë një kategori, që duhet të mësojë shumë për bujarinë, sepse ndoshta ata keqpërdornin dhe keqtrajtonin popullin. Atyre ju kërkohet, ashtu siç Pali sugjeron: “Kush vidh, më të mos vjedhë, por më fort le të punojë me duart të veta drejtësisht“. (Ef 4, 28), duke zgjedhë kështu se duhet të përmbahen nga çdo lloj vjedhje apo pandershmërie. E rëndësishme është që, për të bërë mirë secili sipas zotësisë së vetë dhe kushtet e tyre, duhet të shmanget dhe të largohet definitivisht nga zakonet të çoroditura dhe të pandershme, që jetën ta ndërtojë me fisnikëri. Në parim, veprat e mira duhet të jenë fryt i një procesi të pjekurisë njerëzore dhe shpirtërore që e thërrasim njeriun në kthim ose pendim, që bart ngjizjen e të mirës si një alternativë reale të shëlbimit.

Mbi të gjitha, e mira është fryt i bindjes ndaj dashurisë së Zotit dhe nevojës që duhet t`i japim pa përjashtim. Nëse nuk jemi të bindur për dashurinë e Zotit, si mundemi në fakt të jemi bartës për të tjerët konkretisht nëpërmjet veprave tona? 

Gjon Pagëzuesi fillimisht na thërriste t’i drejtojmë shtigjet tona dhe t’i zbatojmë rrugët e Zotit, duke u nisur ta bëjmë një transformim radikal të mendimit, fjalëve dhe veprave ndaj Zotit, për të transformuar kështu brendësinë, që t’i largojmë veset që na mashtrojnë. Tani, këtë pjesë të ungjillit, na thërret të sjellim frytet e pendimit, që janë veprat e mira dhe bujaria ndaj të afërmit.

Përfundimisht mund të themi se nuk është e mundur ta jetojmë në qetësi pritjen e Zotit që vjen, duke mos patur konsideratë nevojën e tjetrit. Nëse pritja e ardhjes së Zotit është një moment i gëzimit, ky kuptim dhe pikëvështrim nuk do të jetë asnjëherë i mundur derisa ne dimë dhe shohim shumë vëllezër dhe motra që e jetojnë vuajtjen e urisë, të vetmisë dhe trishtimit… Nuk mund ta jetojmë asnjëherë gëzimin duke e ditur që për të tjerët gëzimi është i kufizuar prej shumë vuajtjeve dhe shumë të këqijve. Kjo është edhe njëra ndër arsyet pse s’mund ta jetojmë plotësisht gëzimin e Krishtlindjes, po nuk lëvizim në favor të atyre që vuajnë.

Ja pse Koha e Ardhjes është një kohë e privilegjuar e brendësisë dhe pendimit, është edhe kohë e bamirësisë dhe bashkëndarjes. Duke e dhuruar një pjesë tonën atyre që kanë nevojë, me një zemër të transformuar të mëshirës, kjo është rruga më e mirë, më drejtë dhe më e vërtetë për përgatitjen tonë për festën e Krishtlindjes.

 

LUTJA E BESIMTARËVE

M.   Vëllezër të dashur, predikimi i Gjon Pagëzuesit është për të gjithë burim ngushëllimi e shprese i sigurtë. T’i lutemi Zotit që të dimë ta presim Shpëtimtarin me një jetë mirësie dhe drejtësie. 

Të lutemi së bashku e të themi: Vizitoje, o Zot, Kishën tënde.

 L.  Që Kisha e shenjtë e Hyjit, të dijë t’i shpallë botës mesazhin e Krishtit e të Ungjillit të tij me dëshminë e jetës më shumë se me fjalë. Të lutemi.

 L.  Që të gjithë të shohin në bashkësinë e krishterë një shenjë të ndritshme të pranisë së Zotit dhe një shtytje për të dhënë kontributin e tyre për të shumëfishuar paqen dhe solidaritetin mes njerëzve. Të lutemi.

 L.  Për ata që kanë përgjegjësi politike dhe civile, që të angazhohen për të krijuar kushtet për një shoqëri më të drejtë e më njerëzore. Të lutemi.

 L.  Për bashkësinë tonë të krishterë, që të mos i mungojë kurrë vëmendja, kujdesi dhe gatishmëria ndaj të varfërve dhe të sëmurëve. Të lutemi. 

M.  O Hyj, Ati ynë, burim i çdo dhurate, dëgjoji thirrjet tona e bëj që, nën shembullin e Marisë, nënës sonë, të përgatitemi të presim me besim ardhjen e Jezusit, Birit tënd, që vjen për të na shpëtuar. Nëpër Krishtin, Zotin tonë. Amen.

 

Përgatiti: Don Kastriot Idrizi

Shpërndaje

Comments are closed.

« »