Kisha në Kosovë hap Jubileun e Jashtëzakonshëm të Mëshirës       

Dec 13 • Kisha në Kosovë

Më 12 dhjetor, në Shenjtëroren e Zojës në Letnicë, Kisha Katolike në Kosovë u bashkua në ripërtëritjen tradicionale për Krishtlindje, me ç’rast edhe bëri hapjen e Jubileut të Jashtëzakonshëm të Mëshirës për kishën lokale dhe hapjen e Derës së parë të Mëshirës në nivelin lokal dioqezan. 

 

Papa Françesku ka shpallur vitin 2016 Jubileun e Jashtëzakonshëm të Mëshirës për të gjithë kishën, i cili ka filluar më 8 dhjetor 2015, në festën e Zojës së Papërlyer. Edhe ne si kishë lokale, pjesë e Kishës Universale, kemi caktuar një datë të veçantë për ta filluar këtë vit hiri dhe mëshire.

Dita e fillimit të Jubileut për Kishën tonë ishte caktuar nga Ordinari, që të jetë me 12 dhjetor 2015 në Shenjtëroren e Letnicës, një ditë e takimit shpirtëror të klerit, që tradicionalisht mbahen para festave të mëdha, Krishtlindjes dhe Pashkëve. Sivjet u bashkëngjitën edhe studentët e Shkollës Katekistike Dioqezane në Prishtinë, për të cilët ishte një eksperiencë e re.

Sivjet, ky takim shpirtëror kishte edhe një domethënie shtesë, për shkaka të fillimit të Jubileut. Prandaj, edhe tema e takimit ishte “Viti i Mëshirës” i mbajtur nga Don Rrok Gjonlleshaj, famullitarë i Prishtinës.

 

Dera e Mëshirës

Pas ligjëratës, meditimit dhe rrëfimit që patën të gjithë të pranishmit, filloj riti i hapjes së “Derës së Mëshirës”. Viti i Mëshirës së Zotit, në të vërtetë, është një “shteg” – thotë ipeshkvi në letrën baritore për Jubileun – të cilin Papa dëshiron ta hapë për gjithë njerëzimin, për çdo njeri veç e veç, nëpërmjet të cilit shteg iu mundësohet takimi me Hyjin e mëshirshëm dhe kthimi në Kishën e Tij.

Dera e parë e Mëshirës për Kishën e Kosovës ishte zgjedhur të jetë në Shenjtëroren e Letnicës, sepse është shenjtërorja dioqezave, që ka  një rëndësi shpirtërore dhe historike për katolikët. Ipeshkvi e ka përzgjedhur këtë Shenjtërore, sepse ky vend ka qenë dhe është – siç e theksoj gjatë homelisë së meshës – i rëndësishëm për kishën tonë, sepse nëpër shekuj ishte vend shtegtimi për besimtarët. Këtu janë pajtuar me Zotin, këtu katolikët e kanë ruajtur fenë dhe kanë gjetur forcën dhe guximin për të përballuar të gjitha persekutimet. Këtu në këtë shenjtërore, shumë meshtarë dhe murgesha kanë fituar thirrjen e tyre. E njëra prej tyre edhe e Lumja Nënë Tereza.

 

Mesha e shenjtë

Pas hapjes së Derës së Mëshirës, pasojë mesha e shenjtë të cilën e udhëhoqi Ipeshkvi i Kosovës Imzot Dodë Gjergji, në bashkëmeshim me të gjithë klerin e Kosovës. Ai gjatë homelisë,  e falënderoi Papa Françeskun për dhuratën e madhe të këtij viti të hirit, sepse na ka grishur të angazhohemi në thellimin e fesë sonë në Zotin Dashuri dhe në Zotin Mëshirë, sepse “Hyji u tregua i mëshirshëm ndaj nesh. Ai jo vetëm që na ka falur fajet tona, por edhe ka shpaguar mëkatin e secilit, me gjakun e të Birit.” Nga ky privilegj i shenjtë që na është bërë, në padenjësinë tonë, Ai na ka zgjedhur secilin prej nesh në detyrat që jemi, nga ipeshkvi e deri te meshtari, murgesha, katekisti dhe laiku në shërbim të familjes dhe lindjes së jetës.

Sivjet, në mënyrë të veçantë do ta kundrojmë Fytyrën e Zotit Mëshirë, dhe sa herë që dot  kalojmë dyert e shenjta, do të kuptojmë thellë se Jezu Krishti është “Dera e Qiellit”, kurse Dera e Mëshirës, që kemi hapur këtu në Shenjtërore e që do të hapet edhe në dy kisha tjera të Kosovës, është një mundësi për ata që kërkojnë Zotin, që të kalojnë nga mëkati te hiri. Andaj që nga dita e sotme dyert e Kishës së Zojës në Letnicë do të jenë për gjatë gjithë vitit të hapura, ndërsa brenda gjithmonë do të gjendet një meshtarë, i cili do të vihet në shërbim të besimtarëve, për të kremtuar sakramentin e Pajtimit, ishin fjalët e ipeshkvit në predikimin e kësaj dite, duke bashkëndarë me të gjithë ne gëzimin e të qenurit bashkë në familje e bashkuar rreth Zojës së Bekuar, Nënë së Mëshirës.

Në fund të meshës u informuam se, më 13 dhjetor do të bëhet hapja e Derës së Mëshirës në Katedralen “Nënë Tereza” në Prishtinë, kurse me 20 dhjetor do të hapet Dera e Mëshirës në Shenjtëroren e Shën Ndout në Gjakovë.

Për ne nxënësit e Shkollës Katekistike Dioqezane ishte një përvojë e re dhe e bukur, që ishim bashkë me barinjtë tanë, motrat dhe besimtarët. E përjetuam rëndësinë tonë kishtare, rolin tonë në punën baritore të Kishës, pasi edhe Ipeshkvi gjatë fjalëve të tij, përherë na renditi në mesin e atyre që bëjnë pjesë në strukturat e kishës sonë. Jemi mirënjohës Hyjit, që na mundësoi të jemi të pranishëm e na ndihmoftë të vazhdojmë të jemi pjesë e denjë e kësaj familje të Zotit.

Teksti: Studentët e Shkollës Katekistike në Prishtinë

Fotografitë: Jezuela Muji

 

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »