Mos mashtroni, bashkëndani atë që keni, mos i shfrytëzoni njerëzit!

Dec 13 • Meditimi i ditës

13 dhjetor 2015, e diela III e Ardhjes (C), MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 

Prania e Hyjit

 

Teksa jam duke qëndruar këtu, të rrahurat e zemrës, ritmi i frymëmarrjes, lëvizjet e mendjes,
të gjitha këto janë shenja se Hyji më krijon vazhdimisht.
Ndalem një moment, dhe bëhem i vetëdijshëm për praninë e Hyjit në mua.

 

Liria

 

Pak janë ata njerëz që e kuptojnë
ç`do të mund të bënte Hyji me ta
po t`i dorëzoheshin në duart e tija
dhe po t`i lejonin t`i formojë hiri i tij. (Shën Injaci)
Lus për hirin e dorëzimit të plotë në dashurinë e Hyjit.

 

Ndërgjegjësimi

 

Bëj, o Zot, që gjithmonë të jem i/e vetëdijshëm/e dhe mirënjohës/e
për të gjitha bamirësitë që m`i ke dhuruar.
Këtë bekim ta ndaj me të tjerët.

 

Fjala

 

Kaloje këtë kohë duke e përqendruar vetveten për të dëgjuar atë që Hyji mund të jetë duke të të thënë gjatë kësaj lutje, për të dëgjuar atë që gjallërohet në zemrën tënde. Mbylli sytë një moment. Ndërsa rri ulur me sy mbyllur, përdori këto ose fjalë të ngjashme: “Ja ku jam, o Zot. Ja ku jam.” Kur të jesh gati, hapi sytë dhe lexo, lutu.

 

Lk 3, 10-18

 

10 Dhe turmat e pyesnin [Gjon Pagëzuesin], duke thënë: “Dhe ne, pra, ç`të bëjmë?“.

11 Atëherë ai, duke përgjigjur, u tha atyre: “Ai që ka dy tunika le t`i ndajë me atë që s`ka, dhe ai që ka të hajë le të veprojë po kështu“.

12 Tani erdhën edhe disa tagrambledhës që të pagëzohen dhe e pyetën: “Mësues, ç`duhet të bëjmë?“.

13 Dhe ai u tha atyre: “Mos vilni asgjë më tepër nga sa ju është urdhëruar“.

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

 

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

– Gjon Pagëzuesi jetonte një jetë angazhimi të pasionuar. Pasioni i tij për drejtësi dhe ndershmëri gjente jehonë në zemrat e shumë njerëzve, tagrambledhësve dhe ushtarë Ashpërsia e tij ishte e karakterizuar me autenticitet – vërtetësi. Ajo nxiste tek ta pyetjen: “Çfarë të bëjmë?” Drejtpërdrejt dhe në mënyrë të qartë u thoshte: Mos mashtroni, ndani atë që keni, mos i shfrytëzoni njerëzit.

– Në këtë kohë të Ardhjes, e pyes veten se çfarë duhet të bëj sot, o Zot, që të ndjek ty me gjithë zemër?

– Cili është reagimi im kur i dëgjoj fjalët e Gjonit? A më çojnë fjalë te Gjonit në një jetë drejtësie, ndershmërie dhe integriteti?

 

Bashkëbisedimi

 

Zot i dashur, të faleminderit që më do dhe që më fton në një marrëdhënie gjithnjë e më të thellë me ty.

Dashuria ime u përhaptë dhe i prektë të tjerët.

 

Përfundimi

 

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe që luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »