Zoti kurrë nuk të qorton pa dashuri

Dec 15 • Meditimi i ditës

15 dhjetor 2015 – E martë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 

Prania e Hyjit

 

Ajo çfarë përpiqem të bëj këtu është që ta lë kohën më një anë
dhe të përqendrohem në jetën time, atë fizike – në kohë, dhe atë shpirtërore.
Përpiqem ta paramendoj Jezusin si është ulur pranë meje
dhe bisedoj me të mbi të gjitha ato gjëra që po më ndodhin në jetë.
Mundohem ta marr vesh që në mundësi të panumërta
Jezusi hyn në rrethanat e përditshme të jetës sime.
E pra, jeta kalon shpejt dhe shumë gjëra ndodhin.
Ngarkesa dhe obligime të ndryshme shpesh herë e shmangin këtë vetëdije mbi praninë e Hyjit në jetën time të përditshme. Jam i vetëdijshëm për këtë, dhe dëshiroj të bëjë diçka.
Sa për tash, provoj të qëndroj i qetë dhe i hapur ndaj asaj çfarë prania e Tij dëshiron të më thotë.

 

Liria

 

Do ta lus Hyjin që të më ndihmojë
që të lirohem nga ankthet dhe brengat,
që t`i çelem gjatë kësaj kohe të lutjes,
në mënyrë që të mund ta dua dhe t`i shërbej edhe më shumë.

 

Ndërgjegjësimi

 

Jetoj në një rrjetë të gërshetuar me shumë marrëdhënie – lidhje me natyrën, me njerëz, me Hyjin.
I vërej këto lidhje dhe falënderoj për jetën që përshkohet përmes tyre.
Disa prej këtyre lidhjeve janë shtrembëruar, disa të rrënuara, disa të ndërprera:
Ndoshta për këtë arsye e ndjej veten të trishtuar, të zemëruar, të zhgënjyer.
Lus për hirin e pranimit dhe faljes.

 

Fjala

 

O Zot, je bërë njeri për të biseduar me mua;
ke ecur dhe punuar përmbi këtë tokë; ke pësuar të nxehtët dhe të ftohtët.
Koha që e ke kaluar mbi tokë ka qenë e mbushur me kujdesin për njerëz.
Ke shëruar të sëmurë, ke ringjallur të vdekur; dhe ajo më e rëndësishmja – më ke shpëtuar nga vdekja.

 

Mt 21, 28-32

28 “Më thoni si e mendoni këtë gjë: një njeri kishte dy djem. Iu drejtua të parit e i tha: ‘Biro, dil sot e puno në vresht!’ 29 Ai iu përgjigj: ‘Nuk dua!’ Pastaj ndërroi mendim dhe shkoi. 30 Atëherë iu drejtua të dytit po ashtu. Ai iu përgjigj: ‘Po shkoj, imzot!’, por nuk shkoi. 31 Cili prej të dyve e kreu vullnetin e të atit?”

I thanë:

“I pari!”

“Përnjëmend po ju them: ‑ vazhdoi Jezusi ‑ tagrambledhësit e laviret para jush hyjnë në Mbretërinë e Hyjit. 32 Sepse, erdhi Gjoni ndër ju udhës së drejtësisë e ju nuk i besuat, tagrambledhësit e laviret i besuan, ndërsa ju, edhe pasi i patë këto, nuk u penduat për t’i besuar.”

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

 

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm nga Shkrimi i shenjtë:

 

– Jezusi mua ma tregon këtë shëmbëlltyrë. Do t`i largohem tundimit që atë ta shikoj si shëmbëlltyrë për të tjerët. Thjesht do ta pranoj ngrohtësinë e Jezusit kur më vështron se si kam shërbyer dhe thirrjen e tij kur më tregon se ku kam gabuar.

– Të jetosh në Mbretëri do të thotë të jesh i gatshëm të durosh vështirësi të ndryshme. Zoti e jep dashurinë e vet lirisht dhe shumë vetë e kanë pranuar. Do të lus për një zemër të hapur ndaj atyre që nuk janë si unë.

 

Bashkëbisedimi

 

Jezus, po më flet personalisht në tekstin e Shkrimit Shenjt.

Bëj që të përgjigjem thirrjes sate të sotshme.

Më mëso ta dalloj dorën tënde në veprim në jetën time të përditshme.

 

Përfundimi

 

Të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto momente vetëm me ty.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »