Çfarë shpëtimtari jam duke pritur?

Dec 16 • Meditimi i ditës

16 dhjetor 2015 – e mërkure, MOMENTI I SHENJTË – lutja e përditshme

 

Prania e Hyjit

 

Zot i dashur, më ndihmo që ta hap gjithë zemrën para teje
sepse tani po i lë anash të gjitha brengat e mia.
Mbushi mendimet e mia me paqe, me dashurinë tënde.

 

Liria

 

Zoti e njeh lirinë time – për të ajo s`është e huaj.
Shpirti i Tij u jep frymën e jetës dëshirave të mia më intime,
butësisht duke më nxitur drejt gjithë asaj që është e mirë.
Kërkoj hirin t`i lejoj vetes të ndikohem nga Shpirti Shenjt.

 

Ndërgjegjësimi

 

Kur t`i kthehem detyrave të mia të përditshme,
Ma përkujto, o Zot,
Se gjithmonë je pranë meje.
Kurrë nuk duhet të dëshpërohem.

 

Fjala

 

Lute Shpirtin Shenjt që të të ndriçojë dhe të ta hapë mendjen dhe zemrën që të mund ta dëgjosh Zotin se si po të flet në Fjalën e tij.

 

Lk 7, 18b-23

 

18 Gjoni i thirri dy prej nxënësve të vet 19 dhe i dërgoi te Zotëria për ta pyetur: “A je ti Ai që duhet të vijë, apo duhet të presim një tjetër?”

20 Këta, kur erdhën te Jezusi, i thanë:

“Gjon Pagëzuesi na dërgoi te ti që të të pyesim: ‘A je ti ai që duhet të vijë, apo duhet të presim një tjetër?’“

21 Pikërisht në atë çast Jezusi shëroi shumë njerëz prej sëmundjesh, prej dhimbjesh, prej shpirtrash të ndytë, edhe shumë të verbëve ua dhuroi dritën e syve. 22 Atëherë iu përgjigj:

“Shkoni e tregojini Gjonit çka patë e çka dëgjuat:

‘të verbërit po fitojnë dritën e syve’, të shqeptët po ecin drejt, të gërbulurit po pastrohen, të shurdhërit po dëgjojnë, të vdekurit po ngjallen e ‘skamnorëve u shpallet Ungjilli’. 23 I lumi ai që nuk do ta bjerrë besimin në mua!”

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

 

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit të Shenjtë:

 

   – Leximet para Kërshëndellave thellë e prekin zemrën time. A dëshiroj shumë që Jezusi të hyjë më thellë në jetën time gjatë kësaj kohe të Ardhjes? Apo jam duke e pritur në një formë tjetër? Ndoshta më shumë e kam qejf një lloj tjetër të “lajmit të gëzueshëm” sesa ungjillin për Jezusin?

 – Hebrenjtë e dëshironin një Mesi politik që do t`i jepte fund zgjedhës dhe shtypjes romake. E pra, Jezusi ka lajm të gëzueshëm vetëm për të verbrit, të çalët, të gërbulurit, të shurdhrit, të vdekurit dhe skamnorët.

 – Do ta lus që mos të përhumbem pas çështjeve politike, por që dashurinë time ta ndaj me ata në margjinat e shoqërisë dhe me ata që bota nuk i do.

 

 

Bashkëbisedimi

 

Ç`po ndodh në mua kur lus?
A jam i ngushëlluar, i shqetësuar, apo indiferent?
E paramendoj Jezusin se si qëndron apo është ulur afër meje
dhe ia tregoj të gjitha ato që ndjej.

 

Përfundimi

 

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma ke dhuruar gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »