Imzot Dodë Gjergji: Marrëveshjet, sa do që janë të dhimbshme, janë më të mira se lufta  

Dec 16 • Kisha në Kosovë

Fort të dashur vëllezër në meshtari,

motra të nderit,

zotërinj ambasador, autoritete civile,

rini e dashur dhe ju besimtarë të famullisë!

 

Sot, jemi këtu të pranishëm për dy arsye: a) Mesha e rrëfimit dhe b) përkujtimi i viktimave të luftërave.

Në radhë të parë, për të kremtuar sakramentin e pajtimit, që për festën e Krishtlindjes të jemi të gjithë të përfshirë nga Mëshira Hyjnore. Njëkohësisht, është kjo mesha e ipeshkvit me studentët e të gjitha famullive, në mënyrë që para se të shpërndahen nëpër familjet dhe famulli e tyre, të bashkëndajë me ta përvojën e fesë dhe gëzimin e festës.

Të dashur studentë, të shtunën e kaluar kam bashkuar të gjithë meshtarët e murgeshat, katekistët dhe bashkëpunëtorët në Shenjtëroren e Zojës në Letnicë, për një ripërtëritje shpirtërore, ku edhe kemi hapur Vitin Jubilar të Mëshirës dhe derën e kësaj Shenjtënore, që të jetë Dera e Mëshirës për gjithë besimtarët e Dioqezit tonë dhe ata që nga dioqezat tjera shtegtojnë atje. Të njëjtën gjë e kemi bërë këtë të diele në këtë Katedrale, dera e secilës është shpallë Derë e Mëshirës. Kushdo që e kapërcen pragun e kësaj dere, duhet të jetë i vetëdijshëm që e ka kapërcye pragun e shpresës dhe iu është afruar Krishtit, Derës së Qiellit.

Ju bij dhe bija të dashur, sot jeni rrëfye dhe jeni pajtuar me Hyjin e mëshirshëm, ai e do secilin prej nesh dhe nuk lejon kurrë që ne të tretemi. Ai na gjen, dhe mbi supet e veta na ofron në kishën e tij nëpërmjet të cilës na shëron dhe na pajton të gjithëve.

Ungjilli na dëshmon se sa i dhimbeshim dhe i mëshirshëm është Hyji ynë. Se si me dashuri e kërkon të humburin dhe gëzohet kur e gjen, ai kujdeset për të vegjlit sepse nuk donë që të humbë asnjërin pre tyre. Ky është vullneti Atit tuaj në qiell, që të mos e humbë asnjërin ndër më të vegjlit! 

Vëllezër e motra galdoni dhe falënderojeni Hyjin, që ju do, ju falë dhe ju pajton me vetën! Edhe atë, me vetë iniciativë, pa kushte dhe falas. 

Vëllezër e motra fort të dashur,

sikur e theksova në fillim, me kërkesën e Ambasadorit të Hungarisë dhe të Austrisë, këtë meshë ia kushtojmë Hyjit, për shpirtrat e viktimave të Marshit të Vdekjes në Ballkan në Luftën I Botërore: të shqiptarëve, hungarezëve, austriakëve dhe të rënëve të tjerë të të gjitha kombeve e në të gjitha luftërat e shekullit të kaluar.

Lutja për shpirtrat e të rënëve në luftëra, është vepër e mëshirës për të vdekurit, është mbamendje kolektive për tmerrin e luftës dhe respekt për sakrificat e njerëzve. Njëkohësisht, është thirrje e ndërgjegjes, që njerëzit mbi tokë t’i zgjidhin konfliktet dhe mosmarrëveshjet me dialog dhe të mos lodhën kurrë duke kërkuar mundësinë për marrëveshje. Marrëveshjet, sa do që janë të dhimbshme janë më të mira se lufta.

Është një realitet i hidhur, që nga zanafilla, se njeriu jeton mes të mirës dhe të keqes; prej kur mban mend historia, njerëzimi jeton mes luftës dhe paqes, kurse që prej kur Hyji e flijoj Birin, ne që besuam, jetojmë mes ligështisë dhe hirit.

Në këtë të realitet të hidhur, mbetet një e vërtetë e pa diskutueshme  që njeriu ka nevojë për paqe, për liri dhe për prosperitet. Prandaj, gjithnjë është përpjekur që të krijojë kushte për paqe të qëndrueshme, të sakrifikojë gjithçka për liri dhe të punojë paprâ për zhvillim.

Në anën tjetër, urrejtja njerëzore dhe dëshira e popujve për të sunduar mbi të tjerët dhe mbi pasuritë e tyre, ka shkaktuar luftëra mes popujve, regjioneve. Bile në shekullin e kaluar, kemi pasur dy luftëra me përmasa botërore. Me një fjalë, vatra e luftës nuk është shuar kurrë. Ato kanë vazhduar pa ndërpre gjatë gjithë kohës, njëherë në një cep e njëherë tjetër në një skaje të botës.

Nga e kaluara mësojmë se luftërat s’kanë qenë asnjëherë të mira: ato kanë shkaktuar dhunë, rrënim dhe vdekje. Në luftëra, mbi të gjitha, kanë pësuar të pafajshmit, të pa mbrojturit dhe robërit.

Vetëm në shekullin e kaluar, në luftëra kanë humbë jetën më shumë se 100 milion viktima. E sa ka qenë numri i të plagosurve? E sa ishe numri i jetimëve? Po, numri i të dëshpëruarve dhe të plagosurve në shpirt? 

Giuseppe Ungaretti, një poet i Luftës I Botërore, duke shprehur brishtësinë e jetës në luftë, shkruante: “rrimë si fleta e vjeshtës në gem”! Kjo tregon se sa e pashpresë është jeta në luftë. Mu sikur një fletë vjeshte në gem, e cila në çdo moment pret që të bije.

Të tmerrshme kanë qenë edhe pasojat pas luftërave, si për humbësit ashtu edhe për fituesit:

  • Humbësit kanë mbetur të mjerë, të përbuzur, të shtypur dhe të okupuar nga fituesit, për një kohë të gjatë deri te lufta tjetër.
  • Kurse fituesit shpeshherë kanë vazhduar, me të njëjtat mizori të luftës, t’i shtypin të vetët për t’i sunduar ata dhe për të pas prestigj, kapital e pushtet.

Si rrjedhojë, prapë kanë pësuar të pafajshmit, prapë kanë vuajtur të pambrojturit, prapë ka vazhduar t’i përbuzë varfëria shumicën e njerëzve.  

Bile, vene-vene, pas luftës, mbi popullin e varfër është vu tërë barra e rindërtimit të vendit dhe pesha e pasurimit të “çlirimtarëve”.

Përvoja e trishtimit të luftës është e freskët dhe në memorien tonë, sepse posa kemi dalë nga tmerri i saj. Pasojat e luftës i përjetojmë në përditshmërinë tonë. Vetëm mund të konstatojmë se, të ramit pushojnë në paqe e të gjallit vazhdojnë luftën me njërit tjetrin, për prestigj, pasurim dhe pushtet.

Askush, nuk është i interesuar t’i shërbejë popullit, të kujdesët për të varfëritë,  të përmirësojë cilësinë e demokracisë dhe të jetesës në liri. Ka vetëm një qëllim, ka vetëm një sforcim! Ose për ta mbajtur ose për ta marrë pushtetin.

Zhgënjimet gjatë paqes, në një mënyrë, na kanë shua të gjitha idealet që kemi pas gjatë luftës. E kjo ndodhë sepse, në luftë kemi hy me idealet e lirisë, prandaj e kemi fituar. Kurse në paqe kemi hy me logjikën e  luftës, prandaj rrezikojmë ta humbim atë. 

Ky moment i lutjes tonë për shpirtrat e të rënave në luftë, është moment i mirë, t’i ftojmë të gjithë njerëzit që të bëjnë rrëmimin e ndërgjegjes së tyre dhe t’i ftojmë të ndërtojnë paqen e vërtetë.

Sepse paqja pa liri individuale, pa drejtësi juridike, pa barazi sociale,  pa kushte të barabarta për sukses, pa përkujdesje shëndetësore për secilin, pa edukim profesional për të rinjtë, pa dialog mes përgjegjësve institucional dhe faktorit politik, është vetëm një farsë e të fortëve, një mundësi për të ligun dhe një dëshpërim për të drejtin.

Vëllezër e motra, nuk duhet harruar se ne po mundohemi të ndërtojmë paqen, në një botë dhe në një kohë, kur zhurma e armëve dhe potenciali për konflikte të reja, është bërë një frikë e re për mbarë botën. Sepse sot, forca e urrejtjes është bërë më e zëshme se ajo e dashurisë dhe fuqia ushtarake e shteteve po e mundë forcën e arsyes së popujve.

Dyndja e njerëzve po e ngushton zemërgjerësinë e popujve të lirë dhe po e vë në diskutim dhe në pikëpyetje bashkëjetesën, tolerancën dhe gërshetimin e kulturave.

Duke parë gjithë këtë gjendje, lutja jonë është zëri i paqes dhe britma e besimtarëve për ta ruajtur atë. Këndej, sot duam t’i drejtohemi Zotit me lutjen, që Papa i shenjtë Gjon Pali II ia  drejtohej Hyjit, në vitin 1984, në Shenjtëroren e Lurdit, dhe atë që Papa Françesku e ka përsëritë në Sarajevë: Kurrë më luftë!

Ju të rinj e të reja, që sot jeni pajtuar me Zotin përmes sakramentit të rrëfimit, ju ftoj të shkoni e të bëheni misionarë të paqes në vendin tonë.

(Homelia e Imzot Dodë Gjergjit në meshën e përkujtimit të Marshit të Vdekjes në Ballkan gjatë Luftës I Botërore dhe të të rënëve në luftërat e shek. XX. Katedralja “Nënë Tereza” Prishtinë, më 15 dhjetor  2015)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »