Fundjavë e mirë apo e diele e shenjtë? Festa të fundvitit apo Krishtlindje?

Dec 17 • Opinion

Nga Don Agim Qerkini

Këto janë dy pyetje që parashtrohen: e para që e dëgjojmë më shpesh, sepse fjala është për çdo fundjavë apo të diele, ndërsa e dyta, një herë në vit, me rastin e festave të fundvitit apo Krishtlindjes dhe Vitit të Ri. Pa dashur të hyjë  në diskutim për interpretimet me karakter fetar apo civil, neve si besimtarë, festat na ndihmojnë që ta shenjtërojmë kohën tonë.

Te pyetja e parë: natyrisht na shkon mendja përherë te festa e Pashkëve, sepse çdo e diele, është ditë që shënon dhe kremton Ngjalljen e Jezu Krishtit. Mirëpo, jemi të vetëdijshëm, se, në fjalorin tonë, janë disa shprehje që janë “pak të krishtera”, dhe janë bërë pjesë e kulturës sonë të të shprehurit apo edhe të jetuarit.

Kështu, shpesh edhe ndër të krishterë, e diela përjetohet si dita e fundit e javës. Urohet një fundjavë e mirë, duke përfshirë këtu të dielën në weekend. Kjo ndoshta ka ardhur edhe duke ndjekur trendin e shprehjeve të popujve të ndryshëm: “Buon fine settimana, Schönes Wochenende apo Have a nice weekend!

Por, sa i përket së dielës, siç mësojmë edhe nga Ungjilli, e vërteta qëndron ndryshe. E diela nuk është dita e fundit e javës, por dita e parë e saj. Në Ungjillin e Shën Gjonit, ku përshkruhet Ringjallja e Jezusit, lexojmë: “Ditën e parë të javës, në mëngjes, ende pa dalë drita…” (Gjn 20, 1). Pastaj, të njëjtën gjë mund ta krahasojmë edhe te Shën Luka Ungjilltar, në kapitullin 24, ku flet për të dielën, si të parën ditë të javës. Në këtë kontekst, e diela nuk është fundi, por fillimi i javës, fillim që përsëritet dhe na jep mundësinë e rifillimit të një jete të re. Pra, mos të themi të dielën, sot e mbarova një javë, por po e filloj një javë të re, një javë me Jezusin, i cili, tri ditë pas mundimeve, vdekjes dhe Ringjalljes e filloi një jetë të re për vete dhe për ne.

Së dyti: kur bëhet fjalë për festat e fundvitit, natyrshëm i referohemi Krishtlindjes, pastaj tetëditëshit të Krishtlindjes, duke përfshirë këtu edhe Vitin e Ri, kur shënojmë festën e Zojës së Bekuar – Nëna e Hyjit. Dita e Vitit të Ri e njohur tashmë në kalendarin katolik edhe si Dita e Paqes.

Lidhur më këtë, Kremtja e Krishtlindjes ka tetëditëshin e vet që është i rregulluar në këtë formë: a) Të dielën në tetëditësh është festa e familjes së Shenjtë; e Krishtit, Marisë dhe Jozefit; b) Më 26 dhjetor festa e Shën Shtjefnit martir; c) Më 27 dhjetor festa e Shën Gjonit apostull e Ungjilltar; d) Më 28 dhjetor festa e Fëmijëve të Pafajshëm; e) Ditët 29, 30 dhe 31 dhjetor janë ditët në tetëditësh; f) Më 1 janar festojmë ditën e Zojës, Hyjlindëse, në të cilën përmendet Emri i Shenjtë i Krishtit“ (Cal. Rom. Vatican 1969, 15-16). Ky cikël liturgjik i Krishtlindjes zgjatë deri të dielën e Pagëzimit të Krishtit, e diela pas festës së Dëftimit më 6 janar (Dita e tre mbretërve). Pra, Kisha ka formuar këtë tetëditësh për t’i kushtuar rëndësi të madhe festës së Krishtlindjes, sepse asnjë ngjarje në historinë e njerëzimit nuk ka jehuar aq fuqishëm sa lindja e Krishtit. Ky cikël, gjatë së cilit shënojmë disa festa, na e jep edhe përgjigjën lidhur me përdorimin e emërtimit të kësaj të kremte: Krishtlindje apo Krishtlindjet.

Ndër tjera, nuk mund e të mos e përmendim edhe një shprehje tjetër, të cilën jo rrallë e dëgjojmë të keqinterpretohet prej shumë kujt.

Fjala është për pagëzimin. Sakramentet janë shenja të dukshme, të themeluara prej vetë Jezu Krishtit, që njerëzit nëpërmjet tyre të marrin pjesë në shëlbim. Pra, kur bëhet fjalë për pagëzimin, kemi të bëjmë me një sakrament, i cili vulos në shpirtin e njeriut shenjën e pashlyeshme se i përket Krishtit. E pra, ndodhë të dëgjojmë edhe në mediat tona se si u pagëzua një shkollë apo një rrugë etj. Në raste të tilla, fjala emërtimapo ndonjë fjalë tjetër e përshtatshme, është e mjaftuar, sepse, vetëm njerëzit mund të pagëzohen, e në asnjë mënyrë mjete apo objekte të ndryshme.

Më dëshirat më të mira, ou urojmë të diele të shenjtë dhe përgatitje të mirë për Krishtlindje!

Shpërndaje

Comments are closed.

« »