Promovohen tre libra nga Shtëpia Botuese “DRITA”

Dec 17 • Kulturë

Nga Linda Gjokaj

Shtëpia Botuese “DRITA”, dje në Rezidencën e Ipeshkvisë në Prishtinë, promovoi tri botimet të reja, nga autorët: Don Lush Gjergji, Don Anton Ukaj dhe Dedë Palokaj. Ishte një takim i suksesshëm përmbyllës i aktiviteteve për vitin 2015 nga kjo shtëpi botuese, organ zyrtar i Kishës Katolike në Kosovë.

Librat e promovuar qenë: “Miqtë e mi në amshim”, libër me autor Don Lush Gjergji, “Udhëheqja shpirtërore, sfidë dhe nevojë e ditëve tona”  me autor Don Anton Ukaj dhe libri “Dritë prej Dritës” i autorit Dedë Palokaj. Librat u paraqitën para një audience të gjerë të përbërë prej figurave publike, akademike, shkrimtarë, poetë, dhe shumë dashamirë të librit.

Takimi filloi me paraqitjen e gazetares Sanije Gashi, e cila nëpërmjet një analize që i bëri librit, vuri në pah vlerësimet për librin në fjalë, që e lufton harresën.  Në këndvështrimin personal për librin “Miqtë e mi në amshim” nga Don Lush Gjergji, ajo nënvizoi disa aspekte të veçanta të kësaj monografia. Gashi u shpreh se ndihet tejet e nderuar të thotë ca fjalë për këtë vepër, që i gjallëroi personalitetet e shquara tashmë në amshim. “Të gjithë shkruajmë për të gjallët, të cilët shpesh edhe po harrohen, ndërsa Don Lushi, përmes këtij botimi të begatë, angazhohet t’i mbajë ‘të gjallë’ edhe të ikurit në amshim! Punë shumë fisnike e njerëzore!” u shpreh ajo. Teksa fliste për personalitetet, të cilat autori ka shpalosur në librin e tij, Znj. Sanije Gashi tha se ky libër i ka shërbyer asaj si një mjet për të mësuar një mendim të pasur jetësor. Ajo citoi autorin teksa kishte shkruar: “Harresa është më e keqe se vdekja” dhe vlerësoi librin si një vepër të veçantë- jo të rëndomtë, me të cilën autori mbanë ende të gjallë dhe të freskët personalitetet e shquara.

Ndërsa për librin e Don Anton Ukaj, “Udhëheqja shpirtërore, sfidë dhe nevojë e ditëve tona”, foli Atë Mario Imperatori, drejtor dhe profesor në Institutin Filozofik-Teologjik në Shkodër, i cili po ashtu me një përmbledhje nga prizmi fetar dhe antropologjik i udhëheqjes shpirtërore, tha fjalë miradije për librin, të cilat i ka shkruar edhe si parathënie të librit. Duke theksuar se një libër i tillë, dhe një studim kaç i thellë jetësor vjen për herë të parë në gjuhën shqipe. Atë Mario, ofroi një analizë shumë përmbajtjesore e njëkohësisht edhe përmbledhëse për librin, nga këndvështrimi teologjik-antropologjik. “Në fakt është hera e parë që një studim i tillë mbi këtë temë kaq jetësore botohet në gjuhën shqipe për cilësinë e jetës kishtare edhe në trojet shqiptare, në mënyrë edhe më të të veçantë për jetën e kushtuar dhe atë meshtarake,” u shpreh ai. Atë Mario shprehi kënaqësinë të ketë shkruar parathënien e këtij libri dhe që ishte pjesëmarrës në promovimin e tij, ndërsa që një botim i tillë është një vlerë për lexuesit shqiptarë.

Libri i tretë që promovoi Sh.B. “Drita” ishte “Dritë prej Dritës” nga Dedë Palokaj, për të cilën foli Don Anton Ukaj, i cili fare në fillim potencoi që ky libër është një “…pjesë drite i nxjerrë nga vetë Drita.” Don Anton Ukaj, përmes një analize të bërë librit nxori në pah edhe elementet me të cilat autori u shërbye si frymëzim për të jetësuar veprën. Ai tha se realiteti ekzistues, si një frymëzim i autorit është një realitet i gjallë, i cili sipas Ukajt është “ …në zhvillim të vazhdueshëm e dinamik, në të cilin takohet liria e Zotit që thërret dhe liria e njeriut që përgjigjet, e që autori ndjen nevojën ta përkthejë në fjalë të shkruar apo në libër të botuar, që në këtë mënyrë të bëhet dëshmi feje edhe për të tjerët.” Don Antoni përfundoi përmbledhjen e tij duke përgëzuar autorin për kontributin e çmueshëm të kësaj vepre.

Të pranishëm në promovim patjetër që ishin edhe autorët, të cilët në fund të ngjarjes, në fjalët e tyre falënderuan të pranishmit, familjarët, kontribuuesit e të gjithë ata që mundësuan dhe ndihmuan që veprat e tyre të shohin dritën e botimit.

Librat “Miqtë e mi në amshim”, “Udhëheqja shpirtërore, sfidë dhe nevojë e ditëve tona”, dhe “Dritë prej Dritës” janë të gatshme për lexuesit, prandaj viti 2015 do të konsiderohet vit i suksesshëm i Sh. B. Drita, meqë ka sjell te lexuesi vepra të çmuara dhe përmbajtjesore.

Fotografitë: Besim Ndau

Shpërndaje

Comments are closed.

« »