T’i përngjajmë Atit të mëshirshëm

Dec 17 • Editorial

Nga Imzot Dodë Gjergji

 

Viti Jubilar i Mëshirës

Papa Françesku e shpalli vitin 2016, Jubile të Jashtëzakonshëm të Mëshirës. Ky vit, zyrtarisht filloi më 8 dhjetor 2015, në ditën e festës së Zojës së Papërlyer, dhe do të zgjasë deri më 20 nëntor 2016, kur është festa e Krishtit Mbret i Gjithësisë. Motoja e përzgjedhur për këtë Jubile, është marrë nga Ungjilli i Lukës 6, 36: “Bëhuni edhe ju të mëshirshëm sikurse Ati juaj është i mëshirshëm.” Papa e fton tërë Kishën, që përgjatë këtij viti të shenjtë, ta rizbulojë Hyjin, i cili është Mëshirë, i dëftuar në Jezu Krishtin – fytyra  e Atit – në  të cilin feja e krishterë e gjen sintezën e saj (khs. Misericordiae vuluts, n. 1). Është dhurata e tejetshenjtë, e cila na jepet të gjithëve: falas dhe pa kushte. Madje, Jezu Krishti, fytyra e mëshirshme e Atit, na fton t’i përngjajmë Atij në mëshirë: të jemi të mëshirshëm sikurse Ati.

Ç’ është Mëshira?

Fjalori i gjuhës së sotme shqipe, fjalën mëshirë, e shpjegon kështu: ndjenjë e thellë  dhembshurie e keqardhje për një fatkeq, dëshira për të ndihmuar një fatkeq.  Mirëpo, në kuptimin bibliko-teologjik, mëshira nuk e ka vetëm këtë kuptim reduktiv – të shprehjes së keqardhjes pa një implikim personal, por shpreh një marrëdhënie të Hyjit ndaj njeriut, duke bartur në vetvete dashurinë, bamirësinë, zemërgjerësinë, dëshirën për të mos u hakmarrë, dhembjen prej Atit ndaj birit, guximin për të falur, gatishmërinë për t’i ardhur në ndihmë të afërmit që ka nevojë, etj. Pastaj, në kuptimin tjetër, fjala mëshirë, ka edhe këtë domethënie: ku ka mëshirë ka gëzim, ka falënderim, ka dinjitet. Mëshira e rizgjon shpresën, nxitë pendimin, kërkim faljen dhe mundëson pajtimin dhe paqen.

Në të vërtetë, nga ky kuptim biblik dhe teologjik, fjala mëshirë është emër për Hyjin, sepse Hyji Atë, në Birin e vet Jezu Krishtin, e ka dëftuar dhe zbuluar fytyrën e tij të mëshirshme. Ja pse Papa Françesku e quan Hyjin Mëshirë. Me këtë fjalë, ai dëshiron të përshkruajë jo vetëm Fytyrën e Zotit, por edhe marrëdhënien e Tij me njeriun – me çdonjërin prej nesh – me njerëzimin, me qëllimin që përmes kësaj Fytyre të dhimbshme, të mëshirshme dhe plot dashuri, na ka liruar prej pushtetit  të errësirës  dhe na ka bërë pjesë të mbretërisë së Birit (khs. Kol 1, 12-13). Këndej, ne e bekojmë dhe e madhërojmë Hyjin, i cili, nëpërmjet Jezusit, u dëftua i mëshirshëm dhe me mëshirën e vet, të pa masë: na ka rilindë, për një shpresë të gjallë (khs. Pj 1, 3). Sepse, duke qenë se ishim të vdekur në mëkat, ai vdiqe për ne, dhe bëri që ne të jetojmë. (khs. Rom 5, 8). Pa mëshirën e Tij, nuk do të mund të bënim asgjë, aq më tepër, të kemi një marrëdhënie mëshire dhe dashurie ndaj Zotit dhe ndaj njëri-tjetrit (khs. Gjn 15,5). Takimi i vërtet që nxitë dashuri të përhershme, është vetëm atëherë kur arrijmë të ia shohim fytyrën mëshirës dhe kur shpirti ynë i ligshtë përjeton se e ka pa Mëshira! Këndej, pohon para të gjithëve se, Hyji e ka shëruar dhe se mëshira e Tij shtrihet nga breznia në brezni, për ata që e duan (khs. Lk 1, 50).

Për t’iu përgjigjur kësaj dashurie të dhimbshme dhe plot mëshirë, mirësia e të cilit është e madhe sa qielli (khs. Ps 57, 10), jemi të ftuar që të përkulemi dhe ta adhurojmë Atë, i cili, është Zoti ynë. Dhe në të njëjtën kohë,  të angazhohemi që t’i përngjajmë në gjithçka, duke u bërë për të afërmit shenjë dashurie, dhembshurie dhe mëshire.

Të mëshirshëm sikurse Ati

Grishja: Ktheu dhe besoj ungjillit, është një thirrje që buron nga zemra e Zotit të mëshirshëm. Kisha, pandërprerë është përpjekur që t’i pranojë e t’iu shërbejë të gjithë atyre që kanë marrë guximin e fesë dhe janë kthyer.  Marrja e vendimit për t’i takuar Mëshirës dhe për t’i përngjarë asaj, është bindje ekzistenciale se jetën tonë e kemi vu në duar të  sigurta. Kështu, pa e kthye kryet mbrapa dhe pa shikuar anash (khs. Zan 19, 17), rrahim kraharorin, duke e kërkuar mëshirën e Zotit. Ecja jonë drejtë Mëshirës, kërkon dritën e fesë, sepse është një ecje nëpër terrin e jetës. Ajo i ngjanë ecjes së të verbrit pas Krishtit, duke klithë  me fe dhe shpresë: “Ki mëshirë për ne, Biri i Davidit!”(Mt 9, 27) dhe të mëshiruar i “afrohemi, prandaj, plot guxim fronit të Hirit, që të fitojmë mëshirë e të gjejmë hir për të pas ndihmë në kohën e duhur.” (khs. Heb 4, 16).

Masa shpirtërore, sipas Hyjit, është një njësi krahasimi: do të na falet, aq sa ne falim, do të na jepet, aq sa ne japim dhe do të mëshirohemi, aq sa ne do të jemi të mëshirshëm. Këndej, motoja e këtij viti të shenjtë: “Të mëshirshëm sikurse Ati”, na fton në ecjen drejt qëllimit sublim dhe të shenjtë, që duke dëshiruar t’i ndihmojmë njëri-tjetrit, ta rrisim kapacitetin e shpirtit për virtyte, që të mund të marrim sa ma shumë hire e t’i përngjajmë sa ma shumë Jezusit, Fytyrës së Mëshirshme të Atit, sepse ne, bijtë dhe bijat e tija, jemi të përngjamit e Fytyrës së tij në tokë.

Si mund të i përngjajmë Atij, në mënyrë që të jemi të mëshirshëm sikurse Ati? Këtë përfitim shpirtëror, mund ta arrijmë duke falë pa kushte, si dhe duke pritur me gëzim të gjithë ata që na kërkojnë falje – ashtu sikurse Babai i mirë i Ungjillit që e pret dhe e falë djalin e humbur (khs. Lk 15, 11-32). Duke pasur dhembshuri si Samaritani i Mirë (khs. Lk 10,25-37), për çdo njeri në nevojë, duke ndje dhimbjen si Jezusi, për popullin e uritur e të lënë pas dore. Ne, do të bëhemi të mëshirshëm si Ati, kur në kërkimin e të mjerëve, të sëmurëve dhe të nëpërkëmburve e njohim klithjen e të Kryqëzuarit: “kam etje” (Gjn 19,28); kur pranojmë që petkat tona t’i ndajmë me të zhveshurit, e shtegtarin e përbujmë nën strehën tonë të jetës; kur me të sëmurtë bashkëndajmë dhembjen e lëngimit, të burgosurit i ngushëllojmë dhe i ndihmojmë në rrugën e kthimit, ndërsa të vdekurve, iu japim nderim dhe respekt.

Gjatë këtij viti, e gjithë Kisha, dëshiron të ripërsërisë më fuqishëm grishjen e Ungjillit për kthim (metanoia): të bëjmë kthesën e duhur, që të mund të shohim Hyjin e mëshirshëm, i cili na donë. Vetëm kur ta njohim me dashuri këtë Mëshirë, atëherë askush dhe asgjë s’mund të na shuaj dëshirën, për t’i përngjarë Atij.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »