Kartolinat e festave të fundvitit: Krishtlindje dhe Vit të Ri

Dec 18 • Opinion

Nga Arbnora Gojani Mazreku

Historianët besojnë se origjina e kartolinave të Krishtlindjeve, daton shumë më herët sesa kur ato kanë filluar të shtypen. Në Romën e lashtë, për shembull, ishte zakon të dërgohen dhurata dhe kartolina për ditën e parë të Vitit të Ri. Këto kartolina, janë dërguar më 25 dhjetor për t’u siguruar që ato të arrijnë destinacionin e duhur deri më 1 janar.
Edhe me ardhjen e krishterimit në Romë, tradita vazhdoi, edhe pse në kartolina ende nuk përmendej Krishtlindja, por kishte kartolinë ku shpreheshin dëshirat më të mira për vitin që vinte. Më vonë, me forcimin e krishterimit, filluan urimet për Krishtlindje, posaçërisht në vendet Perëndimore.

Shumë më vonë, në vitet 1600, familjet fetare në Gjermani dërgonin kartolina në fundvit që përshkruanin lindjen dhe jetën e Jezusit.

Në vitet 1700, fëmijët e shkollave në Angli, shkruanin mesazhe familjarëve të tyre në letër me një kornizë. Korniza ishte me ngjyrë-e më vonë, kjo kornizë edhe gdhendej, që të zbukuronte sa më shumë kartolinën.

Më 1840 ishte viti kur Mbretëresha Victoria inicioi traditën zyrtare të kartolinave të Krishtlindjes.

Tradita e kartolinave të Krishtlindjes përfundimisht emigroi në Angli. John Calcott Horsley, illustrator shumë i respektuar i asaj kohe, u angazhua nga Sir Henry Cole, për të ilustruar një kartolinë, të cilën Sir Cole, me shumë krenari dëshironte t’ua dërgonte miqve dhe bashkëpunëtorëve profesional, dhe me kartolinë të shtypur t’u uronte Krishtlindjen. Dhe kjo ndodhi ne vitin 1843 në Londër.

1

Fig. 1. Kartolina e parë e shtypur nga Sir Henry Cole

Fillimisht, versionet anglisht të kartolinave ishin të kombinuara me dëshirat e mira për të dy festat:  Krishtlindjen dhe Vitin e Ri, dhe janë dorëzuar para ditës se Krishtlindjeve.

Askush nuk e kishte idenë se çfarë ndikimi do të kenë kartolinat në Britani të Madhe e më vonë në Amerikë. Madje edhe prodhuesit e hershëm të kartolinave besonin që këto do të jenë një modë e re që do të kalojë shpejtë.

Mirëpo, kartolina e Krishtlindjes, ishte destinuar të bëhet pjesë e pandashme e sezonit. Nga vitet 1880, prodhimi i tyre është biznes i madh, që krijoi mundësi të panjohura më parë për artistë, shkrimtarë, shtëpi të shtypit dhe të gdhendësve.

Kartolinat britanike rrallë përmbanin ilustrime me tematike dimërore apo fetare. Në vend të kësaj, favorizonin lulet, zanat dhe kishin dizajnë të cilat e kujtonin marrësin e kartolinës për ardhjen e shpejt të pranverës. Mirëpo, më kohë, këto kartolina filluan të përmbanin ilustrime të fëmijëve me qenush ne borë, shtëpi të bukura ne pyll, babagjysh, me dizajne viktoriane dhe edvardiane.

Më 1875, Louis Prang sjell prodhimin e kartolinave në Amerike dhe arrin që deri në vitin 1881 (d.m.th për 5 vite), të rriste prodhimin e kartolinave të Krishtlindjes deri në 5 milion për një vit.

2

Fig. 2. Kartolina nga Louis Prang

Kartolinat evoluuan përgjatë shekullit XX, me ndryshimin e shijeve dhe teknikat e shtypit. Kartolinat me imazhe nostalgjike dhe fetare, por edhe ato zyrtare morën hov.

Në vitet 1900, Posta Mbretërore, ka dërguar përafërsisht 11 milion kartolina gjatë festave te fundvitit. Ndërsa në Amerikë John C. Hall dhe dy vëllezërit e tij krijuan kartolinat HALLMARK në Kanzas, dhe nga atëherë mbahen si brendi më i njohur për kartolina.

MS 1949 UNICEF-i lanson programin e bamirësisë përmes kartolinave të festave te fundvitit.

Kartolina e parë zyrtare nga Shtëpia e Bardhë është dërguar në vitin 1953 nga Presidenti Eisenhower.

Në vitin 2014, mbi 1.4 miliard kartolina të festave te fundvitit janë dërguar në Amerikë, në krahasim me Britaninë e Madhe ku dërgohen rreth 600 milion.

Nga kartolinat që dërgohen gjatë gjithë vitit, 45% të kartolinave janë ato të Krishtlindjes dhe festave të fundvitit.

Nga të gjitha kartolinat vetëm, 15% blihen nga meshkujt, ndërsa 85% nga femrat.

Në ditët e sotme dërgohen edhe kartolina elektronike, gjë që nuk është gabim. Mirëpo, para se të dërgoni një kartolinë elektronike, kujtojeni ndjenjën kur fitoni një kartolinë me postë, nga postieri, dhe ajo kartolinë do të mbetet një kujtim i prekshëm për ju dhe gjeneratat që vijnë pas. Ndoshta, një ditë, do të keni një koleksion kartolinash të viteve me rradhë, që do të zbukurojnë dhe pasurojnë kujtimet e Juaja ndër vite.

Sipas mendimit tim modest, njerëzit do të vazhdojnë të dërgojnë kartolina për një arsye: për t’u treguar miqve, familjarëve e madje edhe klientëve kujdesin që e meritojnë.

Hartimi i një mesazhi në Facebook ose i shkruar në një e-mail nuk do ketë të njëjtën ndjenjë dhe peshë, si një kartolinë. Ky lloj urimi, është shumë i papërcaktuar, jo personal dhe shpejtë humbet në lëvizjet e postimeve.

Kur unë marrë një kartolinë nga një mik i vjetër, kjo më tregon se pavarësisht punëve të shumta të sezonit para pushimeve – në mes të blerjeve të dhuratave, planifikimit të pushimeve/udhëtimit, paketimit, planifikimit të përgatitjes së ushqimeve të festave- miku im ende ka gjetur kohë për të më uruar me një kartolinë: Gëzuar Krishtlindjen dhe Vitin e Ri. E kjo është dhurata më e çmuar!

Nëse keni vendosur të dërgoni kartolina, më lejoni të ndaj me Ju disa këshilla:

Fillimisht bëni listën e personave kujt dëshironi t’ia dërgoni kartolinat. E ndani listën në atë familjare, të miqve dhe partnerëve të biznesit apo kolegëve të punës. Është thelbësore të dihet që do të nderoni pranuesin e kartolinës, dhe ju padyshim do të leni përshtypje mbresëlënëse. Keni kujdes dhe shkruani saktë emrin, mbiemrin dhe adresën e pranuesit.

Kartolinat personale/familjare dhe miqësore: Kartolinat e festave janë personale. E zgjidhni një kartolinë që i përshtatet personit apo familjes që i dërgohet. Mos dërgoni një kartolinë pa një dëshirë personale. Shkruani me shkrim dore dëshirën tuaj, si dhe nënshkruani kartolinën me emrin tuaj dhe/apo të familjarëve.

Dërgoni një kartolinë me urimin: “Gëzuar Festat e Fundvitit” nëse nuk jeni të sigurt cilat festa i feston marrësi i kartolinës, d.m.th mos dërgoni Urime Krishtlindjen ose Gëzuar Vitin e Ri – nëse nuk jeni të sigurt se personi të cilit ia dërgoni kartolinën feston Krishtlindjet apo Vitin e Ri. Mirëpo, nëse e dini sigurt, atëherë e nderoni një të krishterë nëse dërgoni kartolinën me urimin Urime Krishtlindja.

Kartolinat zyrtare: Zgjidhni një dizajn profesional të kartolinave për të uruar festat e fundvitit partnerëve të biznesit apo zyrtarëve të institucioneve të ndryshme. Shmangni babadimrin, drenushat, qirinjtë etj. Një peizazh i dimrit ose një fluske dëbore, janë një dizajn i duhur për kartolina zyrtare.

– Në kartolinë assesi nuk duhet vendosur biznes kartën. Në vend të saj, nënshkruani me dorën tuaj atë kartolinë.

– Nuk preferohet të falënderoni dikë për kartolinën që ua kanë dërguar, posaçërisht përmes rrjeteve sociale. Në vend të falënderimit, i dërgoni edhe ju një kartolinë.

*Kur dërgoni kartolinën, mos harroni në pliko të shkruani edhe emrin tuaj dhe adresën. Në këtë mënyrë, si dërguesi, ashtu edhe marrësi, do të freskojnë listën e adresave.

3

Shpërndaje

Comments are closed.

« »