O Mari, je më e bekuar se të gjitha gratë…!  

Dec 18 • LEXIMET E SË DIELËS

E diela IV e Ardhjes (C)

Leximi i parë (Mik 5,1-4)

Lexim prej Librit të Mikesë profet

Kështu thotë Zoti: “E ti, o Betlehem – Efratë, i vogël ndër bajraqet e Judesë, prej teje do të më dalë ai që do ta sundojë Izraelin. Zanafilla e tij prej kohëve të hershme, prej ditëve të amshimit. Prandaj Hyji do t’i dorëzojë derisa të lindë ajo që ka për të lindur. Atëherë teprica e vëllezërve të tij do të kthehet ndër bijtë e Izraelit. Ai do të ngitet, do të udhëheqë me fuqinë e Zotit, me madhërinë e emrit të Zotit Hyjit të vet. Do të banojnë në qetësi, sepse Ai do të jetë i madh skaj më skaj të vendit: e Ai – ai vetë do të jetë paqja!”

Fjala e Zotit

 

Psalmi 80

Ref: Shndrite fytyrën tënde e na shëlbo, o Zot

——————————————————————

Dëgjo, o Bariu i Izraelit,

ti, që rri në fron mbi kerubinë, shkëlqe,

zgjoje pushtetin tënd dhe eja në ndihmë

për të na shpëtuar!

——————————————————————

Kthehu, Hyji i ushtrive,

shikoje nga qielli e shihe,

eja, shihe këtë vresht,

dili zot se ti vetë e mbolle:

djalit që për vete e rrite.

—————————————————————

Dora jote qoftë mbi njeriun e së djathtës sate,

mbi birin e njeriut që për vete e rrite.

Kurrë më nuk do të largohemi prej teje:

na përtërij e do ta thërrasim emrin tënd.

————————————————————–

 

Leximi i dytë Heb 10,5-10

Leximi prej Letrës drejtuar Hebrenjve

Vëllezër, Krishti duke hyrë në botë, thotë: “Fli e kusht ti nuk deshe, por ma bëre gati trupin; holokaustet dhe flitë për mëkate nuk të pëlqyen. Atëherë thashë: ‘Ja, po vij!’ sepse për mua shkruan në rrotullin e librit: ‘Për ta kryer, o Hyj, vullnetin tënd!’ Pasi tha më lart: “Flitë e kushtet, holokaustet dhe flitë për mëkate nuk të pëlqyen dhe nuk i deshe” – e pra, flitet për fli të urdhëruara prej Ligjit – thotë pastaj: “Ja, po vij për të kryer vullnetin tënd!” kështu shfuqizon kultin e parë për të vendosur të dytin. Në fuqi të këtij vullneti kemi qenë shenjtëruar me anë të flijimit të trupit të Jezu Krishtit njëherë e përgjithmonë.   

Fjala e Zotit

 

Aleluja!

Unë jam shërbëtorja e Zotit: Më ndodhtë siç the ti!

Aleluja!

 

Ungjilli   Lk 1, 39-48

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës

Ndër ato ditë, Maria u nis me nxitim për krahinën malore në një qytet të Judës. Ajo hyri në shtëpinë e Zakarisë dhe e përshëndeti Elizabetën. Tashti, posa Elizabeta e dëgjoi përshëndetjen e Marisë, i kërceu foshnja në kraharorin e saj. Elizabeta u mbush me Shpirtin Shenjt dhe brohoriti me zë të lartë: “Je më e bekuar se të gjitha gratë dhe i bekuar është fryti i kraharorit tënd! Dhe, nga e pata fatin të vijë tek unë nëna e Zotit tim? Ja, se, posa zëri i përshëndetjes sate arriti në veshë të mi, foshnja prej hareje kërceu në kraharorin tim. E lumja ti që besove se do të plotësohet çka të qe thënë prej Zotit!”

Atëherë Maria tha: “Shpirti im e madhëron Zotin, shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim, sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë:po, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur.

Fjala e Zotit

  

POROSIA

Elizabeta bërtiti me zë të lart: “Ja, se, posa zëri i përshëndetjes sate arriti në veshte e mi, foshnja prej hareje kërceu në kraharorin tim” (Lk 1,44…) Për këtë gëzim, ka dominuar vetëm një arsye: afërsia e Krishtit. Maria ishte afër, e në kraharorin e saj barte Jezusin!

Ishte ky një gëzim i madh i dy zemrave. Dhe shtrohet pyetja: pse bota e sotme nuk ka gëzim? përkundër zhvillimit të lart, teknik, industrial, filozofik e shkencor?

Pse ne na mungon buzëqeshja? Do të mund të jetonim edhe pa buzëqeshje sikurse të mos ishin lotët e gjameve prej armëve dhe luftërave! A thua, mos është larguar Zoti prej nesh? JO. Zoti nuk e ndërron vendin e vet. Ne jemi larguar: derisa njeriu qëndron larg zjarrit nuk e ndjen nxehtësinë e tij. Ne, çdo ditë e me tepër, po i  nënshtrohemi dukurive natyrore. E nëse dikush thotë se në mes është dora e Zotit, njerëzit do t‘a përqeshin atë. A nuk mendoni se në duart e Zotit janë retë dhe tërmetet dhe i terë ligji i gjithësisë?

Tragjeditë e mëdha do t’i shkaktonin ligjve te natyrës, por ato do të na mësonin se si duhet bimë në gjunjë dhe t‘ i bashkojmë duart në drejtim të qiellit. Një fjalë e urtë latine thotë: “ lumturia është si xhami- e shndritshme por e brishtë- e thyeshme! “.

Të gjithë e kërkojmë lumturinë, posaçërisht në jetën e përditshme. Më tepër dëshirojmë që të shoqërohemi me miq, se sa me banda vrasëse. Në shoqëri me miq e dimë të gëzohemi, ndërsa në shoqëri me vrasës, lehtë qajmë. Në jetë shëndetin e duam ma shumë se sëmundjen. Çdo gjë do te bënim që ta ruajmë shëndetin ose ta kthejmë atë.

Jeta për në është me e dashur se sa vdekja. Kur lind fëmija, bëhet gëzim i madh, e kur të vdes, njeriu qanë. Në jetën ekonomike, ma me dëshirë e zgjedhim pasurinë se sa varfërinë. Gëzohemi kur na shtohen ( rritën ) të ardhurat  e dëshpërohemi kur na zvogëlohen të ardhurat e nuk jemi në gjendje ta kalojmë muajin.

Edhe në jetë, qoftë ajo shoqërore, shëndetësore, ekonomike apo politike, do të ketë paqe, pra gëzim nëse nuk i largohem Zotit…”Ai, ai është paqja “ (lex. 1). Por xhami është mjegulluar? Thamë se lumturia është si xhami, i shndritshëm dhe i thyeshëm (i brishtë ). E mu këtu është arsye e fatkeqësisë, dhimbjes dhe mjerimit. Xhami është mjegulluar. Në jetën shoqërore, pak ka gëzim, sepse shpesh na presin fyerjet, hakmarrjet, mallkimet dhe mashtrimet. Në shëndetësi nuk qëndrojnë gjatë, sepse na preokupojnë sëmundjet ose frikohemi se mos po na kaplojnë, ose na kanë kapluar shumë pakënaqësi.

Në financat tona, mijëra hidhërime apo brenga. Fshatari ankohet në thatësi, punëtori në fabrikë për fitim të dobët. Dëshirat janë më të mëdha se sa te arriturat. Në jetën politike, flitet për armatim. Nuk kalon një stinë e vitit që ndonjë vend te mos implikohet në luftë. Kush po mjegullon xhamin tonë, kush po e transformon botën  qe ajo të mos ketë lumturi dhe gëzim?…

Ne shkrimin shenjtë, shkruan: “ U bëftë vullnesa jote o Zot ”. ( Lex. 2 ). A nuk është çelësi i lumturisë këtu?

Elizabetës i kërceu foshnja ne kraharorë, kur u gjend në afërsi të Jezuesit, të cilin Maria e barte në kraharorë. Në afërsi të Zotit, jeta është më e lehte dhe më e gëzueshme.
A nuk është fatkeqësi për ne të qëndrojmë të etshëm afër burimit?

E kemi Kishën, e në të pasurinë e Zotit, për të gjitha ngushëllimet. E kemi te shtruar tryezën në altarët e Krishtit të gjallë me osten e kungimit, e ne ngihemi me mashtrime e mëkate. Zotin e kemi në afërsi të prekshme, e ne ndërtojmë zota nga paraja. “ E lumja ti që besove. “ (Lk 1,45) Kështu e ka përshëndetur Elizabeta Marinë. Edhe unë iu përshëndes në këtë mënyre: Të lumtë ju që besoni!

 

LUTJET E BESIMTARËVE

T‘i themi lutjet tona drejtuar Zotit, Atit tonë, i cili e dërgon në tokë Birin e vet Jezu Krishtin, të lindur prej Virgjërës Mari, i ngjashëm me ne përveç mëkatit.

Të themi së bashku: Na shiko, O Zot dhe ki mëshirë për ne!

– Dhuroji gëzimin Kishës sate, që të jetë lajmëtare me gëzim për shpëtimin e të gjithëve, të lutemi:

– Forcoj, o Zot të gjithë ata që kanë përgjegjësi në Kishë, le të jetojnë në dëgjesë, drejtësi dhe pastërti, të lutemi:

– Dhuroju paqen tënde të gjithë popujve të botës, dhe nxiti në dashuri vepruese dhe dhuruese, të lutemi:

– Liroj të gjithë ata që janë të robëruar në trup apo shpirt, dhuroju plotësinë e jetës, të lutemi:

– Ndihmoje bashkësinë tonë, që sikurse Maria Virgjër, të jetë e hapur ndaj Shpirtit tënd, të lutemi:

– Shndriti më dritën e amshuar të gjithë ata që në paqe kaluan nga kjo botë, të lutemi:

O Hyj i gjithëpushtetshëm, ti për dashurinë tënde të madhe që pate ndaj neve, na e dërgove Birin tënd që të na liroj nga errësira e mëkatit dhe të na tërheq kah rruga e shëlbimit. Po të lutemi që nëpërmes Shpirtit tënd të shenjtë të ripërtërish shpresën e gëzueshme për takimin me Mësuesin dhe Shëlbuesin tonë Jezu Krishtin, i cili jeton e mbretëron në shekujt e shekujve. Amen.

Përgatiti: Dom Tomë Karrica

Shpërndaje

Comments are closed.

« »