Kush është Nënë Tereza (1910 – 1997) e lumja shqiptare që do të shpallet e shenjtë?

Dec 19 • Editorial

Në jetën dhe veprën e Nënës Tereze kemi tri faza bazore jetësore që mund t’i dallojmë dhe quajmë edhe me tri emërtime: Gonxhe Bojaxhiu (1910 – 1928), Motra Tereze e Loretos (1929 – 1950) dhe Nëna Tereze – Misionare e Dashurisë (1950 – 1997). Këto tri periudha jetësore kanë tri qëndime apo orientime, përcaktime themelore që përputhën me tri virtytet hyjnore: feja, shpresa dhe dashuria.

Feja – kërkimi, shpresa – veprimi,  dashuria – flijimi dhe dhurimi

Nga Don Lush Gjergji

Gonxhe Bojaxhiu u lind në Shkup më 26 gusht 1910, nga prindërit shqiptarë katolik Kolë Bojaxhiu dhe Drane lind. Bernaj – Bojaxhiu, me prejardhje nga Prizreni dhe Novosella e Gjakovës. Shkollën fillore, katër vitet e para, i kreu pranë famullisë së “Zemrës së Krishtit”, vitet tjera dhe gjimnazin në shkolla shtetërore. Në moshën 18 – vjeçare vendoset për shërbim të plotë Zotit, Kishës, njeriut me jetën rregulltare të “Motrave të Loretos” që vepronin në Kalkutë. Atje bëri studimet universitare histori – gjeografi, dhe për pak kohë punoi i infermiere, pastaj si profesoreshë dhe drejtoreshë e shumë shkollave të mesme në Kalkutë. Në vitin 1946 braktisi rregullin për t’iu kushtuar tërësisht “të varfërve ndër më të varfër”.

Në vitin 1950 themeloi motrat “Misionaret e Dashurisë”, pastaj “Vëllezërit Misionarët e Dashurisë” (1963), “Bashkëpunëtorët e Nënës Tereze”(1969), “Misionaret e Dashurisë – dega kontemplative” (1976) dhe “Vëllezërit e Fjalës – dega meshtarake” (1977).

Mori gati të gjitha shpërblimet më të larta kishtare dhe shekullare, edhe atë Nobel për Paqe (1979). Mbarë bota e çmoi dhe nderoi me titullin më të lartë dhe më të ëmbël: Nëna e Dashurisë.

Si në jetë, ashtu edhe në vdekje dhe selakim, mblodhi dhe bashkoi mbarë botën.

U kthye në “Shtëpinë e Atit” apo ndërroi  jetë më 5 shtator 1997.

Në jetën dhe veprën e Nënës Tereze kemi tri faza bazore jetësore që mund t’i dallojmë dhe quajmë edhe me tri emërtime: Gonxhe Bojaxhiu (1910 – 1928), Motra Tereze e Loretos (1929 – 1950) dhe Nëna Tereze – Misionare e Dashurisë (1950 – 1997).

Këto tri periudha jetësore kanë tri qëndime apo orientime, përcaktime themelore që përputhën me tri virtytet hyjnore: feja, shpresa dhe dashuria.

FEJA – KËRKIM

Faza e pare 18 – vjeçare karakterizohet me kërkime. Gonxhja së pari në gjirinë e saj familjar gjithnjë kërkonte prej prindërve babës Kolë dhe nënës Drane – kuptimin e jetës dhe domethënien e veprimit. Më vonë këtë kërkim e kishte vazhduar edhe në bashkësinë famullitare të “Zemrës së Krishtit” në Shkup, së bashku me rininë katolike, por edhe me të gjithë të tjerët. Kërkonte në brendi dhe në thellësi psehin e shumëçkahit, nuk ndalej vetëm në vrojtime dhe konstatime, por gjithnjë hulumtonte, gjurmonte, analizonte…

Ja dëshmia e saj: “Isha ende shumë e re, pa i mbushur 12 vjet, e rrethuar nga familja, kur ndjeva dëshirën e parë për t’u dhënë tërësisht Zotit. Gjashtë vjet kam medituar dhe jam lutur… Në fillim nuk më pëlqente fare ky mendim, “tundim”. Disa herë kam menduar se isha liruar nga kjo dëshirë… Ndonjëherë më dukej se po bëja gabim, se kjo nuk ishte thirrje, por më në fund u binda se isha e ftuar nga Zoti. Zonja e Letnicës, Zonja Cërnagore, më ndihmoi shumë për ta arritur një vendim të tillë”.

Pas afro gjashtë viteve të “luftës” me Zotin, ajo kupton, pranon, përcaktohet për jetën rregulltare. Ajo thoshte: “Më 14 gusht të vitit 1928 u gjunjëzova para trupores së Zonjës së Letnicës me qiri në dorë dhe me zemër të dhezur duke u lutur kështu: Më munde o Zot, fitove o Zonjë! Unë kam vendosur që të bëhem motër misionare për t’iu kushtuar Zotit dhe të afërmit, sidomos të varfërve të botës”.

Dhe kjo fe, ky kërkim nuk u ndërpre më askurrë. Kërkonte vullnetin e Zotit, Zotin, nëpërmjet njeriut, dhe në njeriun vëlla – motër – Zotin, bile edhe në ata që s’kishin më as dukje njerëzore, sepse ishin të shëmtuar nga varfëria, uria, sëmundja, dëbimi, gërbula… Gjithnjë kërkonte dhe gjithnjë gjente Zotin në çdo njeri, dhe mu për këtë ishte aq e lumtur, më e lumtura në botë “sepse 24 orë në ditë jetonte dhe vepronte me Zotin, për Zotin, me njeriun, për njeriun”.

Kërkimi i saj vazhdoi gjatë tërë jetës, në çdo hap dhe kënd të botës, në çdo mënyrë dhe rrethanë jetësore, me çdo mjet dhe mundësi, me një qëllim të vetëm: Që njeriu – njerëzimi mos të pësojë, por të jetojë, mos të urrejë, por të dashurojë, mos të vdesë, por të jetojë tani dhe në amshim. Syri, mendja dhe zemrae saj e madhe ishin gjithnjë në kërkim në nder dhe lavdi të Zotit, në të mire dhe në dobi të njeriut, të popullit.

Për Nënën Tereze të besosh domethënë të kërkosh.

SHPRESA – VEPRIM

Faza e dytë jetësore e Nënës Tereze karakterizohej me veprim sipas stilit dhe porosisë së Jezu Krishtit i cili thotë: S’kam ardhur të më shërbejnë, por të shëbej dhe ta dhuroj jetën time për shëlbimin e botës. Motra Tereze e Loretos shpresën e konkretizoi në veprim shërbimi. Së pari si infermiere, më vonë si profesoreshë dhe drejtoreshë e shumë shkollave të mesme të Motrave të Loretos në Kalkutë dhe në rrethinë, gjithnjë me shumë përkushti dhe me plot dashuri. Së shpejti bëhet Histori e kërkimit të pashoq dhe të veprimit shembullor në dobi të vëllaut njeri, pa dallime gjinore, kombëtare, fetare, rasore, kastore… Për afro 20 vite e mësonte rininë e Kalkutës, i edukonte me fjalë, mësime,  shembull, jetë gjithnjë e udhëhequr nga fuqia e fesë dhe nga frymëzimi i dashurisë. Mirëpo as kjo nuk e kënaqte. Të gjithë e donin dhe e nderonin, e admironin, mrekulloheshin me jetën dhe veprimtarinë e saj, ndërsa ajo gjithnjë kërkonte, vepronte dhe e pyste vetveten para Zotit dhe para ndërgjegjjes: Kush jam unë? Çka kërkon dhe prêt Zoti prej meje? Çka duhet të bëj unë këtu dhe tani për këta njerëz, për mbarë Kalkutën, Indinë, për mbarë njerëzimin?

Dhe ja prapë dëshmia e saj: “Si fluturon koha këtu. Kur ndalem dhe mendoj për thirrjen time misionare, mund të them vetëm një FALËNDERIM të madh e të përzemërt, Ty o Zot, që më ke dashur aq shumë dhe që më ke dhënë mundësinë e dashurisë së përkujdesjes ndaj të tjerëve” (Nga letra vëllaut Lazër në viti 1937).

DASHURIA – FLIJIM DHE DHURIM

Nga kjo fe – kërkim – shqetësim kreativ, nga ky veprim – shërbim që ishte shpresa e saj e madhe dhe e pathyeshme, lindi edhe faza e tretë: NËNA TERZE – MISIONARE E DASHURISË, dhurimi dhe flijimi si shprehje e vazhdueshme dhe e plotë e Dashurisë. Kërkimi (feja), veprimi (shpresa) dhe dhurimi (dashuria) ishin dhe mbesin shtyllat në të cilat ajo e mbështeti mbarë jetën dhe tërë veprim – flijimin për ta mahnitur njerëzimin si Nëna e Dashurisë.

Vetëm duke dhënë njeriu merr;

Vetëm duke harruar vetveten, njeriu e gjen veten;

Vetëm duke falur njeriu është i falur;

Vetëm duke dashuruar njeriu gjen jetën dhe lumturinë”.

Dhe vazhdon:

            “Më bëj të denjë, o Zoti im

            t’u shërbej të gjithë të varfërve të mbarë botës

            të cilët jetojnë dhe vdesin në uri dhe në varfëri.

            Jepju atyre nëpër duart tona  bukën e përditshme

            nëpër dashurinë tonë paqen dhe gëzimin”.

Së bashku me Nënën tone Tereze edhe ne do të besojmë në Zotin dhe në Njeriun, do ta kërkojmë njeriun vëlla ose motër, për t’u takuar, afruar, vëllazëruar dhe bashkuar në shërbim të të Mirës, të të Drejtës, të Vërtetës, mbi të gjitha të Dashurisë. Nëna Tereze me ZOTIN – DASHURI dhe me VËLLAUN – NJERI bëri vërtet mrekullii si binom i pandashëm i jetës dhe veprimit të saj të madh në të gjitha meridianet e botës. Risia e vjetër dhe gjithnjë e re është feja, shpresa dhe dashuria, që për Nënën Tereze ishin kërkimi, veprimi dhe dhurimi, e vetmja  mundësi dhe fuqi për ta ndërruar dhe përmirësuar së pari veten, pastaj edhe të tjerët. Plagët tona të vjetra apo të reja ende gjakojnë dhe si të tilla na kërcnojnë dhe rrezikojnë.

T’i çelim sytë për të parë më mire, më qartë, më thellë dhe më larg, ta angazhojmë mendjen për të kuptuar më mirë dhe më rrënjësisht vetveten dhe botën rreth nesh, ta zgjojmë dhe zgjerojmë ndërgjegjjen dhe zemrën për kërkim, veprim dhe dhurim, për bashkpunim dhe bashkëjetesë dhe vëllazëri me të gjithë. Nëse nuk i mundim ndarjet dhe përqarjet e çfarëdo lloji, atëherë ne ende nuk jemi të lirë, aq më pak të mirë, por të robëruar nga e keqja. Ta flakim urrejtjen dhe ta mësojmë dhe zbatojmë artin e jetës – dashurisë, sepse vetëm kështu ne do të jemi bijtë dhe bijat e denja të Nënës së Dashurisë, dhe ajo do të jetë dhe do të mbetet Nëna jonë Tereze, së shpejti Shën Terezja jonë. Kështu ajo na mëson dhe na frymëzon, këtë ajo na dhuron. Me të të gjithë t’i kthehemi vetvetes dhe të Vërtetës, dmth. së pari Zotit, pastaj njëri – tjetrit, sepse vetëm vëlazërisht dhe bashkarisht mund të jetojmë dhe përparojmë duke u mbështetur në të vërtetën dhe në dashurinë.

Këtë ia kemi borxh Nënës Tereze, vetvetes, të tashmes dhe ardhmërisë sonë.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »