Simbole: Ngjyra vjollcë e kohës së adventit

Koha e Ardhjes apo Adventi karakterizohet me ngjyrë vjollcë. Meshtari gjatë kremton meshët në kohën e ardhjes duke e veshur meshoren me ngjyrë vjollcë, shtola dhe veshjet tjera kanë po këtë ngjyrë, madje edhe kurora e adventit, zakonisht bëhet me qirinj me ngjyrën vjollcë.

Por çfarë rëndësie dhe kuptimi ka kjo ngjyrë, dhe pse Kisha ka zgjedhur pikërisht këtë për të simbolizuar një kohë të veçantë liturgjike?

Ngjyrat dhe petkat liturgjike në përgjithësi shprehin natyrën dhe kohërat e ndryshme të ciklit liturgjik. Edhe pse për një kohë të gjatë ngjyrat nuk kanë luajtur ndonjë rol të veçantë, me kohë, edhe ato kanë marrë rëndësinë e vet në përdorimet liturgjike dhe u është dhënë kuptim i qartë për porosinë dhe domethënien e tyre.

Rregullorja e Përgjithshme e Mesharit Romak, kur flet për qëllimin e larmisë së ngjyrave të petkave të shenjta, thotë se ato kanë për qëllim të shprehin frytshëm edhe për së jashtmi karakterin e veçantë të mistereve të kremtuara të fesë dhe ndjenjën e kalimit të jetës së krishterë nëpër vitin liturgjik (Nr. 345). Në vazhdim, Rregullorja përshkruan qartë përdorimin e ngjyrave gjatë vitit liturgjik (Nr. 346-347).

Ngjyra vjollcë përdoret në kohën e Ardhjes për të shprehur shpresën, ecjen përgatitore për festën e madhe të Krishtlindjes. Pasi është një ngjyrë, që ka karakter të fortë dhe solemn, besimtarin e ndihmon që të ketë një ecje të qetë dhe të sigurt drejt gëzimit që e pretë. Gjithashtu, ngjyra vjollcë shpreh gjendjen e reflektimit, pendesës dhe kthimit shpirtëror, që koha e ardhjes e bartë në vetvete.

Duke i pasur të gjitha këto cilësi, kisha e përdorë ngjyrën vjollcë edhe në kohën liturgjike të Kreshmëve, për t’i shoqëruar besimtarët drejt gëzimit pashkvor.

Për të fituar ngjyrën vjollcë kërkohet një kombinim nga e kuqje dhe e kaltra e mbyllur. Edhe ky kombinim i dy ngjyrave për të përfituar ngjyrën vjollcë, mund të cilësohet si një bashkim i dashurisë (e kuqe) dhe të pakufishmes qiellore (e kaltër), hapjes së horizonteve, që përputhet këndshëm me atë që ne e presim në festën e Krishtlindjes: dashuria hyjnore e mishëruar në Jezusin, që zbret prej qiellit dhe vjen për ta takuar njeriun, për ta ngrohur me dashurinë e tij të pakufishme./drita.info

Përgatiti për Dritën: Don Agim Qerkini

Shpëndaje: