Kur e takon një person, takon Zotin

Dec 20 • Meditimi i ditës

20 dhjetor 2015 – E diela IV e Ardhjes, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 

Prania e Hyjit

 

Disa minuta do të ndalem e mendoj për praninë e fshehur të Hyjit në sende: në elemente duke u dhënë që ato të ekzistojnë;
në bimë duke u dhuruar jetën; në kafshë duke u dhënë që të ndjejnë;
dhe më në fund në mua, sepse m`i jep të gjitha këto edhe më shumë,
më bën tempull, vendbanim të Shpirtit të Shenjtë.

 

Liria

 

O Zot, më ke krijuar që të jetoj në liri.
Shpesh herë lehtë e pranoj dhe e marrë këtë dhuratë.
Më frymëzo që të jetoj në lirinë që e ke parashikuar për mua,
me një zemër të pangarkuar dhe me një besim të plotë në ty.

 

Ndërgjegjësimi

 

Si jam duke e ndjerë veten vërtet? I/e pa brengosur? I/e turbulluar?
Ndoshta jam i/e qetë, i/e lumtur pse ekzistoj.
Por ndoshta i/e frustruar, i/e brengosur apo i/e zemëruar.
E pranoj atë çfarë jam duke ndjerë përnjëmend.
Sepse Hyji më do pikërisht të tillë siç jam përnjëmend.

 

Fjala

 

Hyji i flet çdonjërit prej nesh personalisht.
Duhet të përgjoj në mënyrë që të dëgjoj çfarë dëshiron të më thotë.
Do ta lexoj tekstin disa herë, pa u ngutur, pastaj do të dëgjoj…

 

Lk 1, 39-45

 

39 Ndër ato ditë Maria u nis me nxitim për krahinën malore në një qytet të Judës. 40 Ajo hyri në shtëpinë e Zakarisë dhe e përshëndeti Elizabetën.

41 Tashti, Elizabetës, posa e dëgjoi përshëndetjen e Marisë, i kërceu foshnja në kraharor. Elizabeta u mbush me Shpirtin Shenjt 42 dhe brohoriti me zë të lartë:

“Je më e bekuar se të gjitha gratë dhe i bekuar është fryti i kraharorit tënd! 43 Dhe, nga e pata fatin të vijë tek unë Nëna e Zotit tim?! 44 Ja, që, posa zëri i përshëndetjes sate arriti në veshët e mi, foshnja prej hareje kërceu në kraharorin tim. 45 E lumja ti që besove se do të plotësohet çka të qe thënë prej Zotit!”

 

Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?

  

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

 – Fjala e Elizabetës është mahnitëse. E përshëndet Marinë me “Nëna e Zotit tim”, titull ky që i rezervohej vetëm Hyjit. Si duket Elizabeta e njihte madhërinë e gjendjes së Marisë dhe pozitës së Jezusit që u bë i qartë për nxënësit vetëm pas ringjalljes.

– Kur e takoj dikë për të parën herë a e respektoj atë person dhe a sillem me të si me fëmijën e Hyjit?

– E si qëndron puna me njerëzit që i takoj çdo ditë?

 

Bashkëbisedimi

 

Më udhëheqtë Shpirti yt i shenjtë

në marrëdhëniet e mia me njerëz të tjerë.

O Zot i dashur, rri pranë meje gjithmonë.
Ma jep një zemër e cila do të të besojë gjithmonë.
Faleminderit që më do.

 

Përfundimi

 

Të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto momente vetëm me ty.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »