Aftësia për të pranuar dhe çmuar tjetrin

Dec 21 • Meditimi i ditës

21 dhjetor 2015 – E hënë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 

Prania e Hyjit

 

E marr me mend se gjatë kohës së qëndrimit tim ulur, këtu dhe tani, Hyji më vështron me dashamirësi dhe dashuri
duke lejuar që të ekzistoj.
Ndalem një moment dhe mendoj për këtë.

 

Liria

 

Hyji ma ka dhënë dhuratën e lirisë.
Madje edhe nëse jam fizikisht i/e robëruar, shpirti im është i lirë.
Më ndihmo që lirinë e dhënë prej teje, me hirin tënd, ta përdori mençurish.

 

Ndërgjegjësimi

 

Si po e ndiej veten përnjëmend? I/e pa brengosur? I/e turbulluar?
Ndoshta jam i/e qetë, i/e lumtur pse ekzistoj.
Por ndoshta i/e frustruar, i/e brengosur dhe i/e zemëruar.
E pranoj atë çfarë ndiej përnjëmend.
Sepse Hyji më do pikërisht të tillë siç jam përnjëmend.

 

Fjala

 

Lute Shpirtin Shenjt që të të ndriçojë dhe të ta hapë mendjen dhe zemrën që të mund ta dëgjosh Zotin se si po të flet në Fjalën e tij.

 

Lk 1, 39-56

 

39 Ndër ato ditë Maria u nis me nxitim për krahinën malore në një qytet të Judës. 40 Ajo hyri në shtëpinë e Zakarisë dhe e përshëndeti Elizabetën.

41 Tashti, Elizabetës, posa e dëgjoi përshëndetjen e Marisë, i kërceu foshnja në kraharor. Elizabeta u mbush me Shpirtin Shenjt 42 dhe brohoriti me zë të lartë:

“Je më e bekuar se të gjitha gratë dhe i bekuar është fryti i kraharorit tënd! 43 Dhe, nga e pata fatin të vijë tek unë Nëna e Zotit tim?! 44 Ja, që, posa zëri i përshëndetjes sate arriti në veshët e mi, foshnja prej hareje kërceu në kraharorin tim. 45 E lumja ti që besove se do të plotësohet çka të qe thënë prej Zotit!”

 

46 Atëherë Maria tha:

“Shpirti im e madhëron Zotin,

47 shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,

48 sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvuajtur:

ja, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,

49 sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm

‑ i shenjtë është Emri i tij!

50 Mëshira e tij brezni më brezni

për ata që e druajnë.

51 E tregoi fuqinë e krahut të vet:

i hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,

52 i rrëzoi princat prej froneve të tyre

e i lartësoi të përvuajturit.

53 Me të mira i mbushi ata që s’kishin ç’të hanë

e të pasurit i nisi duarthatë.

54 I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,

duke e sjellë në mend mëshirën

55 ‑ si ua pati premtuar etërve tanë ‑

në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve

të tij në amshim.”

56 Maria ndenji me Elizabetën rreth tre muaj e atëherë u kthye në shtëpinë e vet.

 

Çka dëshiron të më thuash, Zotëri?

 

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

– Vështroje Elizabetën: nuk është më e re, por edhe pse shtatzënë duket se nuk është e shqetësuar për veten e vet. Ajo e kishte ruajtur qartësinë e vështrimit, të shikuarit, është në gjendje të pranojë dhe ta vlerësojë se Maria është e bekuar.

– Lutem që të kem diçka nga personaliteti i Elizabetës, të jem në gjendje për të parë se çfarë po ndodh rreth meje dhe të pranoj bekimin, që të mirëpres të mirën në të tjerët.

 

Bashkëbisedimi

 

Jezus, po më flet me tekstin e Shkrimit Shenjt.
Bëj që t`i përgjigjem thirrjes tënde të sotshme.
Më mëso që ta njoh dorën tënde vepruese në jetën time të përditshme.

 

Përfundimi

 

Të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto momente vetëm me ty.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »