Bëni gati udhën Zotit

Dec 21 • Këndvështrime

Nga Veneranda QERIMI

Fjala për ta jetuar e këtij muaji është marrë nga ungjilli sipas Markut: “Bëni gati udhën e Zotërisë, rrafshoni shtigjet e tij” (Mk 1, 3). Na duket shumë e bukur kjo pjesëz që do të thellojmë së bashku ndërkohë që i afrohemi Krishtlindjes dhe na përgatitë në thellësi për ardhjen e Jezusit.

Kiara Lubik shkruante:“Krishtlindja: Revolucioni që vazhdon. Të gjithë një! Është një qëllim. Është një urdhër: një urdhër i Atij të cilit çdo njeri do duhej t’i nënshtrohej me gëzim. Zoti është Atë. Nësë do të hapeshin qiejt e të na fliste, duke na shikuar një nga një do të na thoshte: “Të gjithë një! Jeni vëllezër, prandaj bashkohuni!”.

Një ditë qielli qe hapur, që Fjala të bëhej njeri, u rrit, mësoi, bëri mrekulli, bashkoi apostuj, themeloi Kishën dhe para se të vdiste në kryq i tha Atit: “që të jenë një gjë e vetme”. Nuk ju drejtua njerëzve: mbase ata nuk do e kishin kuptuar. Ju drejtua Atit, sepse lidhja e gjithë këtij bashkimi është Zoti, dhe na dhuron hirin që të mund të jemi mes nesh një gjë e vetme.

Tani ne të krishterët flasim shumë për bashkimin e Trupit mistik – Kishës, por shpesh biem në absurditetin e dëshirës për t’i ditur gjërat, për t’i njohur, por jo për t’i jetuar. E dimë që jemi vëllezër e motra, e dimë që jemi të lidhur nga një lidhje, por nuk veprojmë si vëllezër dhe motra. Kalojmë njëri pranë tjetrit pa u shikuar, pa u dashur. Atëherë nga se përbëhet vëllazëria jonë?

Po, nëse jemi në hir, Zoti na lidh tashmë por nuk është vetëm kjo ajo që ai do nga ne. Ai do që të hapim sytë dhe ta shikojmë njëri-tjetrin, të ndihmohemi dhe të duhemi. Dëshiron që ta duam tjetrin sikurse vetveten. Pikërisht kështu: si vetveten.

Por kush vepron sot kështu? Atëherë përse e ka thënë Jezusi një gjë të tillë? A është e mundur që vetëm shenjtërit ta jetojnë ungjillin? Po të krishterët cfarë bëjnë? Kur munden përpiqen që të mos bëjnë keq dhe kur kanë pak më shumë dëshirë mundohen të bëjne mirë.

Nuk është kjo ajo që dëshironte Jezusi.

Nëse ecën në një qytet pagan, thuajse nuk e vë re aspak që po ecën në një qytet jo të krishterë. Në qytetet e krishtera nuk shihen më të krishterë autentik, ata që e dëshmojnë Zotin e tyre. Faji është i joni. Kemi harruar thelbësoren. I kemi sytë e mbyllur nga të mirat, nga angazhimet, nga dukja, nga idetë personale dhe nga egoizmi. Anjëra nga këto nuk na është propozuar nga Zoti.

Zoti është. Po edhe Zoti është por është një ndër mijëra gjëra. Kujtohemi për të në ato momente kur kemi nevojë.

Si të krishterë duhet të jetojmë ndryshe, dihet ta vëmë Zotin në vendin e tij dhe t’ia nënshtrojmë të gjitha Atij. E ai do të na mësojë si duhet të jerojmë dhe do të na përsërisë fjalën e tij: “Duajeni njëri-tjetrin”. Kjo është gjithçka.

Nëse gjithsecili nga ne i përkthen këto fjalë në jetë dhe do t’i dojë ata që e rrethojnë sikurse do të bënte vetë Jezusi, prej secilit nga ne do të marri jetë shkëndija e revolucionit të krishterë, e cila është pjesë e “ti detyrosh” të tjerët që me dashuri ta pranojnë njëri-tjetrin si vëllezër dhe të sillen po ashtu. Atëherë do të ndryshojnë shumë gjëra. Familja ime do të jetë njerëzimi, sikurse e pati thënë edhe Jezusi: “Nëna ime dhe vëllezërit e mi janë ata që e dëgjojnë Fjalën e Zotit”.

Duke kaluar nëpër rrugët e botës do të vetëdijësohemi që njerëzit nuk janë vetëm njerëz, por janë bij të Hyjit. Të gjithë një! Të bëjmë me tokën një familje të vetme, ku rregulli i cdo rregulli është dashuria. Të bëjmë nga cdo qytet një qytet të ri. Ky është qëllimi ynë. Nëse nuk do të punojmë për këtë gjë si të krishterë mund t’i themi vetës të dështuar”.

 “Bëni gati udhën e Zotërisë, rrafshoni shtigjet e tij” (Mk 1, 3)

Këto fjalë më drejtohen mua. Zoti vjen dhe duhet të jem gati që ta pres. Çdo ditë e lus “Eja, o Zot Jezus”. Dhe ai përgjigjet: “Po, po vij së shpejti” (krh Zb 22, 17.20). Është tek dera dhe troket, kërkon të hyjë në shtëpi (krh. Zb 3, 20). Nuk mund ta lë jashtë jetës sime.

Ftesën për ta pritur Zotin që vjen na bën Gjon Pagëzuesi. Ajo u ishte drejtuar hebrenjve të kohës së tij. Ai u kërkonte atyre që të rrëfenin mëkatet e veta dhe të ktheheshin, ta ndryshonin jetën. Ai ishte i sigurt se ardhja e Mesisë do të ishte e afërt. Por populli, që gjithashtu e priste prej shekujsh, a do ta njihte, do t’i dëgjonte fjalët e tij, do ta ndiqte? Gjoni e dinte se për ta pritur Mesinë duhej bërë përgatitje, për këtë qëllim bënte thirrjen e ngutshme: 

“Bëni gati udhën e Zotërisë, rrafshoni shtigjet e tij”

Këto fjalë më drejtohen mua, sepse Jezusi vazhdon të vijë çdo ditë. Çdo ditë troket në derën time, por, sikurse për hebrenjtë e kohës së Pagëzuesit, edhe për mua nuk është e kollajtë për ta njohur. Në atë kohë, ndryshe nga pritshmëritë, ai u paraqit si një marangoz i thjeshtë, që vinte prej Nazareti, fshat i humbur. Sot na paraqitet me pamjen e një emigranti, një të papuni, një punëdhënësi, e shoqes së shkollës, e familjarëve, edhe në njerëz, në të cilët fytyra e Zotit jo gjithmonë shfaqet me plotësinë e ndriçimit të vet, madje, nganjëherë duket e fshehur. Zëri i tij i ëmbël, që thërret tek falja, tek dhënia e besimit dhe e miqësisë, tek mospërshtatja me zgjedhjet që e kundërshtojnë Ungjillin, shpesh mbulohet prej zërave të tjerë, që nxisin tek urrejtja, tek leverdia personale, tek shthurja.

Nga këtu buron metafora e rrugëve gjarpëruese dhe të pakalueshme, që kujtojnë pengesat që i vendosen ardhjes së Hyjit në jetën tonë të përditshme. Nuk ia vlen të rreshtojmë këtu meskinitetet, egozimat, mëkatet, që strehohen në zemrën tonë dhe na bëjnë të verbër ndaj pranisë së tij dhe të shurdhër ndaj zërit të tij. Secili prej nesh, nëse është i sinqertë, e di cilat janë pengesat që e pengojnë takimin e tij me Jezusin, me fjalën e tij, me njerëzit me të cilët ai njëjtësohet. Dhe ja atëherë ftesa e Fjalës për ta jetuar, që sot më drejtohet pikërisht mua:

“Bëni gati udhën e Zotërisë, rrafshoni shtigjet e tij”

Ta rrafshoj atë gjykim që më çon ta dënoj tjetrin, që të mos i flas më, për të arritur, përkundrazi, që ta kuptoj, ta dua, të vihem në shërbim të tij. Ta rrafshoj sjelljen e shtrembër, që më bën të tradhëtoj një miqësi, më bën të jem i dhunshëm, të mos zbatoj ligjet, për të më shndërruar në një njeri të gatshëm të durojë edhe padrejtësinë, veç për të shpëtuar një marrëdhënie, të sakrifikojë nga vetja ime, veç për të rritur vëllazërinë në mjedisin tim.

Është një fjalë e vështirë dhe e fortë, ajo që na propozohet këtë muaj, por edhe një fjalë çliruese, që mund ta ndryshojë jetën time, të më bëjë të hapur ndaj takimit me Jezusin, me qëllim që ai të vijë e të banojë në mua, dhe të jetë ai që vepron dhe do në mua.

Kjo fjalë, nëse jetohet, mund të bëjë edhe më shumë: mund të bëjë të lindë Jezusi në mesin tonë, në bashkësinë e krishterë, në familje, në grupet ku ne punojmë. Gjoni ia drejtoi mbarë popullit: dhe Hyji “banoi ndër ne” (Gjn 1, 14), në mesin e popullit të vet.

Prandaj, duke e ndihmuar njëri-tjetrin, dëshirojmë t’i rrafshojmë shtigjet e marrëdhënieve tona, të zhdukim çdo shtrembërim që mund të jetë mes nesh, ta jetojmë mëshirën, tek e cila na fton ky vit i shenjtë. Në këtë mënyrë do të bëhemi së bashku shtëpia, familja e aftë për të pritur Hyjin.

Do të jetë Krishtlindje: Jezusi do ta gjejë rrugën e hapur dhe do të mundë të qëndrojë në mesin tonë.

Ndërsa në nje tjetër shkrim përsëri Kjara Lubik shkruante mbi Krishtlindjen:

“Mirepresim  Jezusin  Fëmijë. Po afrohet Krishtlindja dhe udhët e qytetit vishen me drita.Një sërë dyqanesh pambarim, një pasuri me shije të hollë, por e tepruar. Nga e majta e makinës sonë, ja një sërë vitrinash që bien në sy. Përtej xhamit po bie këndshëm dëbora: iluzion optik. Pastaj fëmijë mbi slitatërhequr nga drerë e kafshëza si të Walt Disey. Dhe përsëri slita e Plakut të Vitit të Ri, drerë të vegjël, derrkucë të vegjël, lepurusha, bretkosa e xhuxha të kuq. Ah! Ja ku janë engjëjt…Por s’qenka e vërtetë, janë zana, të sajuara së fundi, si zbukurime për peisazhin e bardhë.Një fëmijë me prindërit po ngrihet mbi majet e gishtëronjëve dhe vrojton i magjepsur.Por në zemrën time kam mosbesim  pothuajse revoltë: kjo botë e pasur ka “futur në kurth” Krishtlindjen dhe gjithçka përreth dhe e ka përzënë Jezusin! Do poezinë e Krishtlindjes, mjedisin, miqësinë që ajo nxit, dhuratat që të këshillon, dritat, yjet, këngët. Synon për Krishtlindje fitimin më të mirë të vitit. Por për Jezusin nuk mendon. « Erdhi në mes të tijve dhe nuk e pritën…»«nuk kishte vend për të nën pemë…», as për Krishtlindje.

Sot në mbrëmje nuk kam fjetur. Ky mendim më la pa gjumë. Nëse do të rilindja, do të bëja shumë gjëra. Do të themeloja një vepër, e cila do t’i shërbente Krishtlindjes së njerëzve mbi tokë. Do të shtypja kartolinat më të bukura të botës. Do të prodhoja shtatore të mëdha e të vogla me artin më të vlerësuar. Do të thurja vargje, poezi, këngë të kohës së shkuar dhe të së tashmes, do të ilustroja libra për të vegjël e të mëdhenj për këtë “mister dashurie”, do të ndërtoja skenografi për të paraqitur shfaqje e filma. Nuk e di se çfarë do të bëja…Sot falenderoj Kishën e cila ka shpëtuar figurat,pikturat dhe portretet. Njëzet e pesë vite me parë isha në një shtet ku mbizotëronte ateizmi dhe  kam parë një meshtar që gdhendte shtatoret e engjëjve për t’u kujtuar njerëzve qiellin. Sot e kuptoj më tepër. E kërkon ateizmi praktik, që tani po pushton botën gjithandej. Sigurisht që mbajtja e Krishtlindjes dhe braktisja e të sapolindurit është diçka që të trishton.Të paktën në të gjitha shtëpitë tona le të thirret me zë të lartë Ai(Jezusi) që ka lindur, duke e  festuar sikurse kurrë ndonjëherë. Kiara Lubik

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »